Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca shfajëson karburantet!

Operatorët e tregut të karburanteve presin të dalin “të larë” nga hetimi I fundit që Autoriteti i Konkurrencës po zhvillon për këtë treg. Sipas tyre, nuk janë gjetur prova për fiksim çmimi, ndërsa çmimet pasqyrojnë realitetin. Lajmi bëhet i ditur për Monitor.al nga aktorë të këtij tregu. Mosgjetja e argumenteve për abuzim me pozitën dominuese i “çliron” operatorët edhe nga gjoba.

E kontaktuar nga Monitor, zj.Lindita Lati, pranon se është bërë një mbledhje e Komisionit të Konkurrencës në parim, por nuk është marrë ende asnjë vendim. “Vendimi pritet të merret deri në fund të javës dhe deri atëherë nuk mund të them asgjë”, pohon ajo.

Megjithatë zj.Lati lë të nënkuptohet se nuk do të ketë gjoba, pasi sipas saj “përvoja e vitit 2014 ka treguar se pjesa rregullatore është më e rendësishme se ajo e gjobës”.

Tregu i karburanteve ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik muajt e fundit, për shkak të ritmeve të ulëta të rënies së çmimeve të naftës në vend, në raport me tregjet ndërkombëtare, ndaj dhe rezultatet e hetimit të Autoritetit priteshin me shumë interes.

Autoriteti i Konkurrencës hapi në maj të vitit të kaluar hetimin e thelluar (http://caa.gov.al/decisions/read/id/507). Sipas vendimit për hapjen e hetimit të thelluar të Autoritetit të Konkurrencës, “struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar”.
Çmimet e naftës janë ulur me rreth 30 lekë për litër në janar të këtij viti në raport me janarin e vitit të kaluar, apo me rreth 16-18%, ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare zbritja ka qenë gati 50%. Operatorët e tregut kanë fajësuar taksat e larta për këtë sjellje. Në janar 2014 taksa e qarkullimit u rrit me 7 lekë për litër, ndërsa në janar 2015 edhe me 10 lekë të tjera për litër, duke e çuar në total këtë taksë në 27 lekë për litër.

Revista Monitor,  03.02.2015