Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministrat e mjedisit të BE, marrëveshje për klimën

Ministrat e mjedisit të Bashkimit Europian arritën një marrëveshje për ta bërë ligjërisht të detyrueshëm objektivin e bllokut për zero emetime deri në vitin 2050. Ndërsa objektivat për uljen e emetimeve deri në vitin 2030 do të diskutohen nga udhëheqësit e Bashkimit Europian në takimin e dhjetorit. Ligji historik i ndryshimit klimatik do të hedhë bazat për planin e Europës për të ulur emetimet e gazrave serë, i cili do të riformojë të gjithë sektorët, nga transporti e deri te industria e rëndë, projekt që kërkon qindra miliarda euro investime vjetore. Marrëveshja do të kthejë në ligj objektivin e BE për të pasur zero emetime deri në vitin 2050 dhe do të përcaktojë rregullat për rishikimin e progresit drejt objektivave të klimës. Asnjë nga 27 vendet anëtare nuk e kundërshtoi projektligjin, megjithëse Bullgaria abstenoi. “Ligji do t’i japë Brukselit mundësinë ligjore për të vepruar nëse vendet nuk i mbajnë premtimet”, deklaroi shefi i politikave të klimës në BE, Frans Timmermans, pas takimit të ministrave të mjedisit. Ministrat ranë dakord për ta bërë objektivin për zero emetime në vitin 2050 një synim të gjerë të BE dhe jo një kërkesë për vendet individuale. Parlamenti Europian, i cili së bashku me vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të bjerë dakord mbi ligjin final, dëshiron ta bëjë objektivin e detyrueshëm për secilin vend. Vende si Suedia, Danimarka dhe Luksemburgu e mbështesin këtë ide. Gjithashtu, ministrat ranë dakord që BE duhet të vendosë një objektiv për uljen e emetimeve deri në vitin 2040 dhe Komisioni Europian mund të konsiderojë masa të reja legjislative për emetimet, nëse objektivat fillestarë nuk arrihen. Menjëherë pas marrëveshjes së ministrave të mjedisit, çmimi i lejeve në tregun e karbonit të Bashkimit Europian u rrit me më shumë se 5%. Objektivat klimatikë të Bashkimit Europian parashikohet të forcojnë edhe dhënien e lejeve në këtë treg.

Rritja e infektimeve mund të vonojë rimëkëmbjen e tregut të naftës

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC deklaroi se rimëkëmbja e tregut të naftës mund të dojë më shumë kohë se parashikimet fillestare, nëse infektimet me koronavirus vijojnë të rriten në të gjithë botën. Mohammad Barkindo ka sinjalizuar se OPEC dhe aleatët e tjerë do të qëndrojnë të bashkuar për të balancuar tregun e naftës. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe partnerët e tjerë, me në krye Rusinë, që nga muaji prill kur pandemia goditi kërkesën, po zbatojnë marrëveshjen për uljen e paprecedentë të prodhimit, fillimisht me 9.7 milionë fuçi në ditë dhe aktualisht me 7.7 milionë fuçi në ditë. Sipas marrëveshjes, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm ulja e prodhimit do të reduktohet në 5.5 milionë fuçi në ditë, që përkthehet në një rritje të prodhimit me 2.2 milionë fuçi në ditë. Sekretari i Përgjithshëm i OPEC deklaroi në Forumin virtual të Energjisë në Indi se një valë e dytë e koronavirusit kërkon edhe ndryshimin e strategjisë nga OPEC+. Megjithatë, ai shprehu besimin se kërkesa do të vijojë rimëkëmbjen pavarësisht se me një hap të ngadaltë. “Gjatë gjysmës së dytë të këtij viti kemi parë një rimëkëmbje të kërkesës. Për fat të keq, rritja ekonomike dhe rimëkëmbja e kërkesës për energji mbetet anemike për momentin, kryesisht për shkak të virusit”, deklaroi Barkindo. Ai shtoi se prodhuesit nuk presin një kolaps të çmimeve të naftës, siç ndodhi në tremujorin e dytë të vitit, kur nafta Bruto amerikane ra, për herë të parë në histori, në territor negativ. Ndërkohë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke folur në të njëjtin forum, nuk e përjashtoi mundësinë për të vijuar me kuotat aktuale të uljes së prodhimit edhe përtej janarit të vitit 2021. Prodhuesit e OPEC+ e kanë respektuar në masën 100% marrëveshjen për uljen e prodhimit me 7.7 milionë fuçi në ditë dhe kanë shprehur angazhimin për të marrë çdo masë të nevojshme për të balancuar tregun. “Jemi të vendosur për të mbështetur tregun, në mënyrë që të sigurojnë stabilitet dhe të shmangim goditjet, siç ndodhi në muajin prill”, përfundoi Barkindo.

India do të udhëheqë rritjen e kërkesës globale për energji

India do të jetë motori kryesor i rritjes së kërkesës globale për energji, gjatë viteve në vijim, dhe do ti mbajë në nivele të ulëta emetimet e karbonit pavarësisht rritjes së konsumit. Deklarata është bërë nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi. India, që është importuesi i tretë më i madh i naftës në botë, ka implementuar një sërë reformash në vitet e fundit, duke përfshirë ngritjen e një platforme të tregtimit të gazit dhe duke garantuar lirinë e tregut për prodhuesit. “India do të dyfishojë konsumin e energjisë në terma afatgjatë”, deklaroi Modi, në fjalën hapëse të Konferencës “Forumi Energjetik Indian”.  Ai tha se, pavarësisht se agjencitë ndërkombëtare projektojnë një kontraktim të kërkesës për energji, e kundërta ndodh në Indi, pasi kërkesa parashikohet të rritet. “Sektori ynë i energjisë do të jetë në qendër të rritjes, miqësor ndaj industrisë dhe i ndërgjegjshëm ndaj mjedisit. Ne jemi në rrugën e duhur për të  përmbushur angazhimin që i kemi bërë komunitetit globa”, shtoi Modi. Për të ulur emetimet e karbonit, India synon të rrisë përdorimin e gazit natyror deri në 15% të totalit në vitin 2030, nga rreth 6.2% që është aktualisht dhe të rrisë gjenerimin e energjisë së rinovueshme në 175 gigavat deri në vitin 2022 dhe në 450 gigavat në vitin 2030. Vendi i Azisë Jugore, i cili rreth 80% të nevojave për naftë i siguron nga jashtë, po kërkon mekanizma për çmime të ndërgjegjshme të naftës bruto dhe transparencë e fleksibilitet më të madh në tregjet e naftës dhe të gazit, për ti dhënë fund paqëndrueshmërisë.

Rimëkëmbet tregu global i çelikut, rritet me 2.9% në shtator

Prodhimi global i çelikut u rrit me 2.9% në nivel vjetor, gjatë shtatorit, duke u zgjeruar për të dytin muaj me radhë, pas pesë muajsh me radhë në rënie, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, që shkatërroi kërkesën. Prodhimit global i çelikut u rrit në 156.4 milionë ton, i mbështetur kryesisht nga rimëkëmbja në Kinë, që njohu një rritje prej 10.9% në 92.6 milionë ton. Të dhënat u publikuan nja Shoqata Botërore e Çelikut. Kina është prodhuesi dhe konsumatori më i mad hi këtij metali në botë.  “E gjithë rritja është udhëhequr nga prodhimi dhe konsumi në Kinë. Të dhënat sugjerojnë se rimëkëmbja në vendet e tjera të botës do të duhet të presë vitin 2021”, deklaroi Caroline Bain, shefe e lëndëve të para pranë “Capital Economics”. Megjithatë, rritja e kërkesës në Kinë mund të ngadalësohet pasi qeveria ka shtrënguar kushtet e huadhënies për kompanitë e ndërtimit. Vihet re një kontrast i madh mes Kinës, që është kthyer fuqishëm për shkak të stimujve të konsiderueshëm në infrastrukturë, dhe pjesës tjetër të botës. Prodhimi i çelikut ra me 18.5% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 19.3% në Japoni dhe me 9.7% në Gjermani. Ndërkohë, për 9-mujorin e këtij viti, prodhimi i çelikut në rang global ra me 3.2%, ndërsa në Kinë u rrit me 4.8%, referuar të dhënave të Shoqatës Globale të Çelikut, një grup që përfaqëson prodhuesit e rreth 85%  të prodhimit global. Gjithashtu, grupi deklaroi se rënia e kërkesës globale që lidhet me pandeminë e koronavirusit do të jetë 2.4%, një shifër më e ulët se parashikimi fillestar, kryesisht për shkak të përmirësimit të tregut në Kinë.

Scan,  14.11.2020