Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohet plani i ndihmës shtetërore për bizneset e reja “të gjelbërta” në Tiranë

Sipërmarrës të rinj që aspirojnë të krijojnë biznese të gjelbërta apo edhe ndërmarrje ekzistuese prodhuese, që aplikojnë parimet e ekonomisë së gjelbërt do të mund të përfitojnë grante mbështetëse nga skema e ndihmës shtetërore. Projekti do të zbatohet për sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në territorin e Bashkisë së Tiranës.

Në vendimin e Ministrisë të Financave të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se bashkia e Tiranës do të jetë autoriteti përgjegjës për zbatimin e planit të ndihmës për periudhën 2020-2022.

Vlera totale e fondit, për dy vjet do të jetë 36 mln lekë. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 12 mln lekë. Çdo përfitues do të mbështetet me grant të drejtpërdrejtë në shumën 500,000 lekë. Intensiteti i ndihmës do të jetë 80% të kostove të pranueshme.

Plani i ndihmës shtetërore në formën e granteve synon rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e disa ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në treg. Baza ligjore e njoftimit të planit është miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës në fund të dhjetorit 2019 “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2020–2022 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2020” në programin “Mbështetje për zhvillimin ekonomik”.

Vendimi përcakton se Bashkia e Tiranës, brenda datës 31 mars të çdo viti, duhet të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar. Raportet e zbatimit duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi shpenzimet e bëra dhe produktet e arritura. Sakaq, të gjitha për zbatimin e skemës duhet të ruhen deri në dhjetë vjet, pasi ndihma e fundit individuale të jetë dhënë në kuadër të kësaj skeme.
Kostot që do të mbulojë ndihma shtetërore:
-kostot e investimit në asete të prekshme dhe të paprekshme,
-kostot e parashikuara të pagave, në lidhje me punësimin e krijuar drejtpërsëdrejti nga projekti i investimit, të përllogaritura gjatë një periudhe dyvjeçare,
– vendet e punës të jenë të krijuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti i investimit,
– investimi do të konsiderohet si kosto e pranueshme, pra në asete të prekshme dhe/ose të paprekshme për ngritjen e një ndërmarrjeje të re apo zgjerimin e një ndërmarrjeje ekzistuese, për të diversifikuar prodhimin e një ndërmarrjeje me produkte të reja shtesë ose një ndryshim rrënjësor në procesin e përgjithshëm të prodhimit të një ndërmarrjeje ekzistuese.

Monitor, 12.11.2020