Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Detajet e marrëveshjes SHBA-Shqipëri! Ndërtimi i HEC Skavicës nga ‘Bechtel’

Kompania amerikane ‘Bechtel’ do të ndërtojë një tjetër vepër madhore, pas Rrugës së Kombit; hidrocentralin e Skavicës.  Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së SHBA-vë, u nënshkrua edhe marrëveshja përkatëse mes Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell. Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe Nënsekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.

Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.

Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri.

Përmes nënshkrimit të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, palët angazhohen të punojnë së bashku në të gjitha fazat e këtij procesi për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për realizmin e këtij projekti me rëndësi kombëtare. Palët kanë shprehur interes gjithashtu, që krahas bashkëpunimit të tyre në fushat e projektimit dhe zbatimit të punimeve, të trajtojnë edhe financimin e duhur të Projektit, që të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkarisht Planin e Veprimit për zbatimin e Projektit, i cili do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, planin e veprimtarive të projektit, modelet e propozuara të financimit, drejtuesit e veprimtarive të projektit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të Projektit.

Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e Fushë Shkodrës dhe Fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese.

Scan,  05.10.2020