Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca rrëzon Kastratin dhe Kaspetrol

Teksa Autoriteti i Konkurrencës, kishte vendosur në maj të këtij viti, hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve, Kastrati dhe Kaspetrol, dy kompanitë e të njëjtit grup dhe më të mëdhenjtë në tregun përkatës, kërkuan në qershor revokimin e këtij vendimi.

Autoriteti i Konkurrencës njofton se revokimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, mund të bëhet vetëm nëse plotësohet njëri nga kriteret e parashikuara në Nenin 46 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Sipas këtij Neni, Komisioni mund të revokojë ose të ndryshojë vendimet e veta, duke vendosur kushte a detyrime, ose të rifillojë procedurën kur:

a) njëri ose disa nga faktet që kanë shërbyer si bazë për dhënien e vendimit, kanë ndryshuar;

b) palët shkelin një ose disa detyrime, të parashikuara në vendim;

c) vendimi është bazuar në të dhënat jo të sakta ose është marrë nëpërmjet mashtrimit.

Por, Konkurrenca ka konstatuar se nga vlerësimi i kërkesës së ndërmarrjeve “KASTRATI” SHA dhe “KASPETROL” SHA dhe i argumenteve të dhëna nga këto ndërmarrje, konstatohet se nuk ndodhemi para kushteve të sipërcituara. Pra, në kuptim të Nenit 46 të Ligjit 9121, datë 28.09.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kërkesa e ndërmarrjeve “KASTRATI” SHA dhe “KASPETROL” SHA nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në këtë nen.

Si rrjedhojë, Konkurrenca ka rrëzuar kërkesën e ndërmarrjeve “KASTRATI” SHA dhe “KASPETROL” SHA për revokimin e Vendimit nr. 315, datë 13.05.2014 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve”, si të pabazuar në ligj dhe prova.

Ajo ka miratuar lënien në fuqi të Vendimit nr. 315, datë 13.05.2014 të Komisionit të Konkurrencës “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve”.

Vendimi për hapjen e hetimit të thelluar ishte marrë pasi nga një hetim paraprak rezultoi se pothuajse të gjitha ndërmarrjet e naftës janë të integruara vertikalisht në këtë treg. Përqendrimi i tregut mbetet i lartë deri në nivelin e shitjes me pakicë. Ky përqendrim i lartë dhe karakteristikat e tregut si transparenca, homogjeniteti dhe kërkesa e qëndrueshme për produktin bëjnë që elasticiteti i kërkesës ndaj çmimit të shitjes për karburantet të jetë i ulët. Nga hetimi u evidentua se se ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA te cilat zotërohen nga të njëjtët aksionerë, si dhe Europetrol Durrës SHA, Taçi Oil SHA, Everest Oil SHA jane ndermarrjet kryesore ne tregun e importit, tregtimit, dhe të aktivitetit importues dhe tregtar në zonën e lirë doganore në Shqipëri. Sipas Konkurrencës, Kastrati SHA është importuesi më i madh i produktit naftë për periudhën objekt hetimi. Pjesa e tregut të kësaj ndërmarrje është rritur në vitin 2013 duke arritur rreth 46,3% të tregut të produktit naftë dhe rreth 37% të tregut të produktit benzinë.

Sipas Autoritetit, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar.

Revista Monitor, 03.09.2014