Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ish-drejtori i Bankers, Leonidha Cobo nën hetim nga autoritetet italiane

Leonidha Cobo, ish-drejtor i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania (BPAL) i kallëzuar në Shqipëri nga kompania që ishte pjesë dhe italiani Massimiliano Calabro, ish-drejtor Ekzekutiv i kompanisë konsulente “MAB Oil Ltd” janë paditur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Romës, Itali.

Por përse përfunduan në hetim? Bankers dhe MAB Oil Ltd, një kompani e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, nisën bashkëpunimin në vitin 2009 dhe e përfunduan këtë vit. MAB Oil Ltd ofronte shërbime të marketingut, në shitjen në treg të naftës së papërpunuar të prodhuar nga  fusha e Patos-Marinzës. Massimiliano Calabro ishte përfaqësues i “MAB Oil”. Nga hetimet ka rezultuar se MAB Oil përmes Calabro abuzoi me marrëveshjen kontraktuale për të siguruar fitime personale.

Po sipas dosjes hetimore, MAB Oil përmes italianit Calabro urdhëroi dhe ekzekutoi pagesa të konsiderueshme për një periudhë të gjatë për ish-drejtorin e BPAL, Leonidha Cobo, gjatë kohës që kontrata midis MAB Oil Ltd dhe BPAL ishte në fuqi. Gjithashtu, Calabro dhe Cobo janë përfshirë në një skemë të paligjshme kundër BPAL duke kryer “taktika” të paligjshme përmes përdorimit të informacionit shumë konfidencial dhe njohuritë që ata kishin nga BPAL për të realizuar objektivin e tyre, për të blerë Bankers.

Nga hetimet ka rezultuar se ata janë bashkëthemelues të një kompanie të re të quajtur “Four Force Ventures Energy” (“Four Force”) përmes të cilës u përpoqën të përdorin informacionin konfidencial të Bankers për interesat e tyre vetjake, por u zbuluan dhe u kallëzuan penalisht, pasi thyen detyrimin e besimit ndaj Bankers. Calabro dhe Cobo qëllimisht përdorën informacionin për të krijuar përfitime personale, duke e vendosur interesin e tyre mbi BPAL.

Ish-drejtorët e tjerë të Bankers Petroleum Albania, Suneel Gupta, Justin Kereluk dhe ish-konsulenti juridik Trent Mercier janë gjithashtu bashkëthemelues të kompanisë së re, Four-Force, të cilët po ashtu kanë shkelur etikën profesionale dhe përgjegjësitë ligjore ndaj Bankers në krijimin e kësaj sipërmarrjeje të re.

Akuza tashmë është ngritur dhe do të procedohet nga autoritetet në Itali. Prokuroria në Romë do të hetojë rastin dhe pajtueshmërinë me dispozitat e tatimit mbi të ardhurat, në lidhje me deklaratat tatimore dhe pagesat e konsiderueshme të paligjshme të bëra nga MAB Oil tek ish-drejtori i BPAL Leonidha Cobo gjatë vlefshmërisë së marrëveshjes ndërmjet BPAL dhe MAB Oil vitet 2009-2020.

Shqiptarja.com  1507.2020