Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Asnjë ofertë për naftën, Albpetrol detyrohet të anulojë ankandin

Albpetrol bëri me dije se asnjë ofertë nuk është paraqitur në ankandin e fundit ku kompania tentoi të shiste 20 mijë tonë naftë bruto e për rrjedhojë procedua është anuluar. Vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi përmes një publikimi të shkurtër këtë arsye të dhënë nga Albpetrol.

“Autoriteti shitës, Albpetrol sh.a njofton anulimin e procedurës të ankandit “Procedurë e hapur”, me objekt “Shitje nafte bruto, sasia 20 000 ton”, zhvilluar më datë 03.11.2020, ora 11.00, pranë ambienteve të MIE, për mungesë konkurrence, pasi nuk u paraqit asnjë ofertë, bazuar kjo në pikën 15, të urdhrit Nr. 83, datë 10.02.2012 “Për rregullat dhe procedurat e shitjes të produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar”, thuhet në njoftimin e MIE.

Kjo ishte procedura e radhës pas asaj të mbajtur në korrik kur Albpetrol tentoi te shiste 48 mijë tonë naftë .

Ankandi i korrikut i Albpetrol u realizua me sukses vetëm pas një sërë tentativash të pasuksesshme të zhvilluara gjatë periudhës mars-maj kohë kur vendi ishte në karantinë. Pas këtij ankandi Albpetrol do të deklaronte se kjo vinte në një moment të rëndësishëm.

Nafta në botë

Fitchrating në një raport të fundit për situatën në industrinë e naftës bëri me dije se vendosja e karantinës së detyrueshme në shumë vende të Europës po sjell të njëjtën situatë që pamë në fillim të vitit me një rënie drastike të konsumit të arit të zi. Kjo kërkesë pritet të mbetet e dobët edhe në fillim të 2021 ndërkohë që masa kufizuese pritet të shfaqen edhe përtej kontinentit europian në vende si SHBA-të apo rajone të ndryshme.

Në shtator-tetor konsumi i naftës ra me 5 për qind në raport me të njëjtën periudhë para pandemisë edhe pse shënoi një përmirësim dramatik po të kemi parasysh që në prill kërkesa ishte 20 për qind më e ulët në raport me një vit më parë.

Një fuçi naftë u shit për 41 dollarë në bursë duke shënuar një rritje të lehtë ashtu sikurse edhe shumë tregje të tjerë që ndoqën tendencën pas njoftimit të fitores së Biden dhe kalimit të tij të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Monitor,  10.11.2020