Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Becchetti del në treg si “mediatik”, lë “në tako” Kalivaçin e kreditorët!…

Në tregun shqiptar ka ndodhur disa herë që një biznesmen, i ndodhur në vështirësi me përmbushjen e detyrimeve kontraktore, ndaj shtetit e të tretëve, është hedhur në sektorin e medias, me synimin për të ushtruar presion me linjën e vet editoriale ndaj shtetit e të tretëve. Kjo ka ndodhur rëndom gjatë qeverisjes socialiste, por në këtë prag zgjedhjesh nuk mund të mos linte pa tërhequr vëmendjen tentativa e radhës e investitorit italian Francesco Becchetti për të hapur një televizion. Themi “e radhës”, pasi ky person nuk e ka të re kuturisjen në labirintet e ekonomisë shqiptare, që kur mori, në vitin e largët 1997, një licencë për të ndërtuar një hidrocentral me fuqi të konsiderueshme në Kalivaç të Tepelenës, për të shfrytëzuar ujërat e Vjosës për të prodhuar energji elektrike. Sikurse është shkruar edhe nga gazeta “Standard” muaj më parë, të gjitha projektet e tij deri tani janë realizuar përgjysmë. Por, sa para bën? Një HEC i ndërtuar në gjysmë të projektit nuk mund të prodhojë energji. Për këtë, diga dhe aksesorët e këtij projekti duhet të ndërtohen deri në fund. Megjithatë, ky investitor duket se e ka devijuar së fundmi objektin e veprimtarisë së tij në Shqipëri, edhe pas problemeve të pafundme që ka me nënkontraktorët e tij, të cilët ankohen se nuk u ka paguar fatura deri në 2 milionë euro. Por, nuk janë vetëm këto.
Gati një muaj më parë, më datë 28 janar të këtij viti, shoqëria “Pelikani Security”, që kryen veprimtari në fushën e rojeve civile dhe shërbimin e ruajtjes fizike të personave dhe objekteve, u është shtuar ankuesve ndaj zotit Becchetti dhe ka hedhur në gjyq pikërisht firmën ku ai është administrator. Fjala është për çështjen civile nr. 8858, të depozituar tashmë në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë, ku i paditur rezulton shoqëria “Kalivaç Green Energy” sh.p.k. “Pelikan” i kërkon gjyqësorit të nxjerrë një vendim përkatës, që ta detyrojë kompaninë e investitorit në fjalë të paguaj një detyrim të prapambetur, konkretisht: ”Detyrimin e palës së paditur të paguajë detyrimin kontraktor në masën 28.800 euro për shërbimin e ruajtjes fizike sipas faturave për periudhën shtator-dhjetor 2012”. Çështja është pranuar për gjykim nga gjyqtari Ervin Pollozhani.
Pra, edhe një “tullë” tjetër në murin e ankesave zyrtare ndaj një investitori, që nuk ka realizuar ende, pas 16 vitesh, as objektin e veprimtarisë së tij, për të cilin ka marrë një licencë dhe për të cilin ka punësuar firma e punonjës shqiptarë në vite.
Jo shumë larg në kohë, pas publikimit të një raporti të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore mbi ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë këtij institucioni deklaroi se një tjetër grup ekspertësh ka kryer një tjetër monitorim në datën 18 shkurt 2013.
Nga kontrolli i ushtruar nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore rezultoi se punimet e kompanisë koncesionare “Bechetti Energy Group” vazhdojnë të jenë minimale, madje janë në të njëjtën fazë të një viti më parë. ”Në këtë HEC vazhdojnë punimet minimale, me një ritëm të ulët. Mund të themi se këto punime janë praktikisht të njëjtat si një vit më parë. Aktualisht, po punohet kanali i deviacionit të punimit si dhe një pjesë e skarpatit, si dhe… restaurimi i disa zyrave”, – deklaroi Entiol Laço, shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve në AKBN.
Situata
Shefi i sektorit të monitorimit të HEC-eve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore përforcon konkluzionet e raportit të qershorit 2012, duke thënë se HEC-i duhet të kishte nisur punën në afatin më të fundit të caktuar, më 17 korrik 2011, pra kompania ka shkelur afatet me 19 muaj deri më tani.
Konkluzionet e këtij monitorimi priten të publikohen në një tjetër raport, i cili, me sa thonë ekspertët e AKBN-së, duket se do të jetë i ngjashëm me raportin e qershorit te kaluar, në të cilin agjencia del me konkluzionin se kompania koncesionare italiane “Becheti Energy Group” nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit.
Kompania e zotit Becchetti është regjistruar me objektin e mëposhtëm: “Projektimin, zhvillimin, organizimin, realizimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentralit me fuqi të instaluar rreth 100 MW, për t’u ndërtuar në Shqipëri, Kalivaç, zona Krahës, Tepelenë, Gjirokastër, sipas kontratës së koncesionit të lidhur me shtetin shqiptar. Shitjen dhe eksportin e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentrali i sipërpërmendur, për llogari të vet apo të të tretëve. Aktivitetet e kërkimit, zhvillimit, këshillimit, mbështetjes, vlerësimit të burimeve dhe mjeteve dhe në përgjithësi çdo aktivitet tjetër që ka të bëjë me realizimin dhe vënien në punë të hidrocentralit të Kalivaçit. Shoqëria mund të ushtrojë veprimtarinë e saj në Shqipëri dhe jashtë saj e të kryejë çdo aktivitet tjetër të lidhur, ndihmës, të ngjashëm, plotësues apo të dobishëm për përmbushjen e objektit të saj”.
Në asnjë rresht të këtij objekti nuk është thënë – dhe nuk e lejon as Kodi Civil – që investitori mund të vonojë, refuzojë, anashkalojë, harrojë, pagesën për punën e kryer nga subjekte apo persona të tjerë. Por, ja që lista e kreditorëve që tashmë janë në gjyqe civile me kompaninë në fjalë zgjatet e zgjatet dhe zgjidhjen personi që e drejton atë e ka gjetur në një sektor krejtësisht jashtë energjetikës: në media.
Francesco Becchetti është regjistruar me afat deri në 29 qershor të këtij viti si administrator i kompanisë që ndërton Kalivaçin. A mos kjo, vallë është një rastësi? Ka lidhje kjo datë me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri? Ndoshta ky investitor shpreson se miqtë e tij, që i dhanë dikur licencën, do të kthehen në pushtet dhe për të do të jetë më e lehtë të vegjetojë dhe të kryejë çdo lloj aktiviteti me fondet e veta, me përjashtim të mbylljes së punimeve për ndërtimin e një HEC-i shumë të rëndësishëm, të parit mbi ujërat e lumit të Vjosës? Dhe, deri në këtë kohë, ai do të ushtrojë presione mediatike mbi shtetin shqiptar, AKBN-në, METE-n e institucionet e tjera që e kanë licencuar? Nëse është kështu, hesapet e tij janë bërë pa hanxhinë, në çdo drejtim që ta marrësh…

Gazeta Standard, 27.02.2013