info@energjia.al

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, pasi shkurtimet e furnizimit me naftë nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shkaktuar rënien e rezervave të naftës në ekonominë më të madhe në botë.

Gjithashtu, çmimet po mbështeten edhe nga pritshmëritë se, OPEC do të shtyjë marrëveshjen për uljen e prodhimit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.3 dollarë për fuçi.

TransCanada Corp deklaroi se do të ulë furnizimin me naftë në SHBA, me të paktën 85% në rreth 590 mijë fuçi në ditë, deri në fund të nëntorit. Gazsjellësi Keystone, që lidh fushat naftëmbajtëse të Albertas me rafineritë amerikane, u mbyll javën e kaluar, pas derdhjes së 5 mijë fuçive në Dakotën e Jugut.

Tregtarët shprehen se, një mbështetje e lehtë për çmimet vjen edhe nga raporti javor i Institutit Amerikan të Naftës, ku thuhej se, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 6.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 nëntor.

Ndërkohë, nafta Brent e Londrës vazhdon të mbështetet nga mundësitë që OPEC dhe vendet e tjera prodhuese të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit, përtej marsit të vitit të ardhshëm. Marrëveshja skadon në mars të 2018, por OPEC do të takohet më 30 nëntor në Vjenë për të përcaktuar politikat e ardhshme të naftës.

Në raportin mbi tregun e lëndëve të para, J.P. Morgan parashikon se, tregu i naftës do të balancohet më tej në vitin 2018, për shkak të shtyrjes së marrëveshjes për uljen e prodhimit. Por, banka shtoi se, nëse nuk do të shtyhet kjo marrëveshje, atëherë tregu do të përballet me një suficit.

Scan TV,  23.11.2017

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive për një rritje të mëtejshme të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka eklipsuar optimizmin e OPEC dhe vendeve të tjera prodhuese për të balancuar tregun.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 63 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 56.6 dollarë për fuçi. Javën e kaluar, 2 bençmarkët kryesorë prekën nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2015, por në sesionet në vijim tendenca ka qenë në rënie.

Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë vendosur shumë baste për çmime më të larta të naftës, por në anën tjetër, prodhimi në Shtetet e Bashkuara është rritur me 14%, që nga mesi i vitit 2016, në një rekord prej 9.62 milionë fuçi në ditë.

Qeveria amerikane deklaroi të hënën se, prodhimi i naftës argjilore, do të rritet për të 12 muaj me radhë, gjatë dhjetorit. Gjithashtu, ftohja e ekonomisë kineze ka risjellë shqetësimet në krahun e kërkesës.

Agjencia e vlerësimit të kreditit, Fitch Ratings, deklaroi se, çmimet gjatë vitit 2018 do të jenë në të njëjtin nivel krahasuar me 2017-ën.

Pavarësisht kësaj ndjenje kujdesi, tregtarët shprehen se, çmimet nuk do të bien ndjeshëm, për shkak të marrëveshjes së OPEC për të ulur prodhimin dhe pritshmërive për shtyrjen e kësaj marrëveshjeje përtej marsit të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë solli një parashikim më të kujdesshëm, përsa i përket kërkesës për naftë.

Në raportin mujor, agjencia me bazë në Paris e uli me 100 mijë fuçi në ditë parashikimin për kërkesën, gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm.

Scan Tv,  15.11.2017

Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan vendimin për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet e klimës.

Departamenti i Shtetit deklaroi se ShBA-ja ka ndërmend të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit menjëherë sapo të jetë e përshtatshme. Një vendim i tillë mund të ndryshojë nëse kushtet e marrëveshjes “do të favorizonin” popullin amerikan.

Komentet u bënë gjatë bisedimeve mbi çështjet klimatike të cilat nisën javën e shkuar në Bon të Gjermanisë.

Siria ndërkohë, ka njoftuar se do të nënshkruajë Marrëveshjen e Parisit. Kështu që Shtetet e Bashkuara mbeten i vetmi vend në botë që hedh poshtë paktin global mbi klimën.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  14.11.2017

Çmimet e naftës po ndryshojnë shumë pak gjatë sesionit të sotëm, por megjithatë po gjejnë një mbështetje nga tensionet në Irak dhe nga rënia e aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas analistëve mund të jetë e përkohshme.

Numri i shpimeve në fusha të reja naftëmbajtëse ra me 7 njësi në 736, gjatë javës që u mbyll më 20 tetor, niveli më i ulët që nga qershori i këtij viti. Kështu, nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 57.6 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 52 dollarë për fuçi.

Gjithsesi, analistët mendojnë se, tendenca e çmimeve mund të jetë në rritje për shkak të luftimeve në veri të Irakut mes forcave irakiane të sigurisë dhe rebelëve kurdë.

Në ditën e diel, eksportet nga Kurdistani drejt portit turk të Ceyhanit, ranë në rreth 200 mijë fuçi në ditë, nga 600 mijë fuçi, që është kapaciteti. Ndërkohë, gjatë një vizite historike në Irak, ministri i naftës i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, për të shkurtuar prodhimin.

Indeksi i luhatshmërisë së naftës bruto, i cili mat pritshmëritë e tregut për 30-ditët e ardhshme, ra në nivele të ngjashme me ato të vitit 2014.

Scan Tv,  24.10.2017

Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pas tre ditësh në rritje, pasi rezervat e karburanteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën gjatë javës së kaluar, pavarësisht përpjekjeve të OPEC për të ulur prodhimin.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 51 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës tregtohet pranë 56.6 dollarëve për fuçi.

Që nga fillimi i këtij viti, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe disa vende të tjera, duke përfshirë Rusinë, kanë rënë dakord të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, në përpjekje për të mbështetur çmimet.

Gjithsesi, kjo marrëveshje ka ndihmuar që çmimet në rriten nga 35 dollarë në fillim të vitit 2016, në mbi 50 dollarë aktualisht.

Përpjekjet e OPEC për të rritur çmimet janë dëmtuar nga prodhimi i lartë i naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mund ta detyrojë OPEC të shtyjë marrëveshjen përtej marsit të vitit të ardhshëm.

Përsa i përket të dhënave ekonomike, rezervat e naftës Bruto në Shtetet e Bashkuara u rritën me 3.1 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar në 468.5 milionë fuçi.

Ndërsa në terma afatgjatë, Goldman Sachs parashikon se, çmimi mesatar i naftës Brent të Londrës, gjatë vitit 2018, do të jetë 58 dollarë për fuçi.

Scan Tv,  13.10.2017

Në përpjekje për të nxitur zhvillimin e sektorit të energjisë, administrata e presidentit Donald Trump po konsideron tkurrjen apo eliminimin e plotë të 11 zonave të mbrojtura detare, qëllimi i të cilave është mbrojtja e 425 milionë akrave (172 mln hektarë) barriera korale, habitateve të gjitarëve detarë dhe plazheve të virgjëra.

Rishikimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për të hapur zona të reja shpimesh për naftë dhe gaz, duke vendosur në vend të parë nevojat për energji të familjeve dhe bizneseve amerikane.

Që në fushatë, Trump premtoi nxitjen e prodhimit të karburanteve fosile, duke eliminuar rregulla për mbrojtjen e ambientit, por çudia ka ndodhur, pasi industria e energjisë në SHBA duket se nuk është e interesuar për planin më të fundit.

“Reuters” raporton se ka zhvilluar intervista me përfaqësues të industrisë, që kanë sinjalizuar hapur se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses. Jo vetëm industria e naftës, por edhe ajo e prodhimit të energjisë nga era nuk është e interesuar për shfrytëzimin e këtyre zonave të mbrojtura detare, e një nga shkaqet kryesore është sfida kolosale që paraqesin marrëdhëniet me publikun.

Për më tepër, përparimet teknologjike e kanë bërë më fitimprurës shpimin për naftë në tokë, madje edhe në vendet e shfrytëzuara më herët, ndërsa në det ky proces vazhdon të jetë i kushtueshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë situatën, pasi duket se po lodhet për një plan që s’do ta përdorë askush, ndërsa sektori i energjisë u tregua mjaft diplomatik duke thënë “Faleminderit, por jo!”. Departamenti amerikan i Tregtisë pritet të japë rekomandime për zonat e mbrojtura detare muajin e ardhshëm, ndërsa mësohet se shumica e komenteve publike për çështjen janë për ruajtjen e tyre.

Top Channel,  29.09.2017

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një varg sanksionesh të reja nga Kombet e Bashkuara, kundër Koresë së Veriut.

Propozim-rezoluta, e shpërndarë tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshin ndalimin e naftës për Korenë Veriore dhe ngrirjen e aseteve të liderit të saj, Kim Jong-un.

Ajo vjen pasi Phenjani ka kryer testin e gjashtë bërthamor dhe ka lëshuar vazhdimisht raketa.

Phenjani gjithashtu thotë se ka krijuar bombën e hidrogjenit dhe kërcënon me sulme SHBA-në.

Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut, dhe Rusia pritet t’i kundërshtojnë sanksionet e reja.

Phenjani, me vite, është nën sanksione të OKB-së, që janë ndërmarrë në përpjekje për ta detyruar regjimin të kufizojë programet e armëve.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  07.09.2017

Çmimet e naftës u regjistruan në rënie të lehtë gjatë sesionit të sotëm. As stuhia që ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se nuk është e aftë të nxisë çmimet, pavarësisht se, raportimet e fundit tregojnë se, Harvey ka fshirë një të katërtën e prodhimit të naftës në Shtetet e Bashkuara.

Uragani i deklaruar tashmë në stuhi pritet të shkaktojë përmbytje edhe më të mëdha se ato aktuale. Të Martën në mbrëmje, rafineria më e madhe në Shtetet e Bashkuara pezulloi punën si pasojë e përmbytjeve.

Në çelje të sesionit të sotëm, nafta bruto amerikane kuotohej pranë nivelit të 46.35 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo Brent e Londrës pranë 51.94 dollarëve për fuçi.

Scan Tv,  30.08.2017

Një raport për klimën thotë se Shtetet e Bashkuara tashmë janë duke vërejtur efektet e ndryshimeve klimatike, pasi temperaturat janë rritur në mënyrë drastike gjatë katër dekadave të fundit.

Sipas raportimeve të The New York Times, e cila ka thënë se ka siguruar një kopje të raportit të shkenctarëve nga 13 agjenci federale, thuhet se, valët e të nxehtit janë bërë shumë me të shpeshta në krahasim me valët e të ftohtit që nga vitit 1980.

Në këtë raport, po ashtu thuhet se gazrat serrë do të ndikojnë në rritjen e temperaturës globale, gjë të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dheanëtarët e kabientit të tij e kanë hedhur poshtë.

Një shkencëtar i cituar në mënyrë anonime nga Times, ka thënë se ai dhe hulumtesit e tjerë janë të shqetësuar se administrata e presidentit Trump, e cila duhet fillimisht ta miratojë raportin në mënyrë që të publikohet, do ta refuzojë një gjë të tillë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  09.08.2017

Çmimet e naftës u regjistruan në luhatje minimale gjatë sesionit të sotëm.

Të dhënat që flasin për një rënie të prodhimit të naftës në Arabinë Saudite kanë lënë në hije të dhënat e tjera që flasin për rritje të prodhimit nga prodhues të tjerë të mëdhenj, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tashmë dy gjigandët kanë ndërruar sërish rolet, me SHBA që shqetëson dhe Arabinë Saudite që qetëson tregjet.

Kompania shtetërore e naftës në Arabinë Saudite, “Aramco” ka shkurtuar furnizimin me naftë ndaj klientëve nëpër botë me 520 mijë fuçi në ditë tregojnë të dhënat e fundit.

Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 52.42 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 49.49 dollarëve për fuçi.

Scan Tv,  09.08.2017