Këshilli Botëror i Arit deklaroi se rritja e investimeve në fondet e listuara në burë që ndjekin çmimin e arit kanë kompensuar për rënien e blerjeve të stolive dhe monedhave, duke rritur kërkesën për metalin e çmuar në tremujorin e tretë. Kërkesa botërore për ar rezultoi në 1,107 ton në Korrik-Shtator, 3% më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë.
Kjo e çoi kërkesën totale për 9 muajt e parë të vitit në 3,317 ton, që është niveli më i lartë për këtë periudhë që prej 2016-ës. “Rritja e vazhdueshme tek fondet e listuara në bursë ka kompensuar për kërkesën e dobët në vende të tjera”, deklaroi Këshilli. Ari shihet si një investim i sigurt në periudha të pasigurive dhe përkeqësimi i ekonomisë botërore ka sjellë një fluks të investitorëve financiarë si manaxhuesit e portofolëve dhe fondet e mbrojtjes (hedge fund).
Zotërimet e fondeve të listuara në bursë (ETF) që ndjekin arin, u rritën në 258.2 ton në tremujorin e tretë, duke prekur një nivel rekord të lartë. Megjithatë, ndërkohë që çmimet e arit janë rritur frikshëm në nivelin më të lartë në 6 vite, konsumatorët me pakicë janë larguar.
Kërkesa për stoli në 461 ton në tremujorin e tretë, ishte në rënie me 15% nga e njëjta periudhë një vit më parë, ndërsa blerjet e shufrave dhe monedhave u përgjysmuan në 150 ton. Bankat Qendrore shtuan 156.2 ton në rezerva në tremujorin e tretë, në rënie krahasuar me vitin e kaluar. Oferta e arit u rrit me 4% në 1,222 ton në tremujorin e tretë, falë rritjes së madhe të riciklimit, në nivelin e 2016-ës.
Scan, 5.11.2019