Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Impianti diellor në Akërni, ministria po shqyrton ofertat

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka një afat të përcaktuar mbi shpalljen e kompanisë fituese për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Akërni të Vlorës. Rreth një muaj pas administrimit të 6 ofertave zyrtare, përfaqësues të këtij dikasteri thanë për TV SCAN se aktualisht është duke u shqyrtuar dokumentacioni teknik i secilës prej tyre.

Të njëjtit përfaqësues, shtuan se për shkak të dosjeve tejet voluminoze, procesi do të kërkojë kohë dhe është e pamundur që të vendoset një datë e saktë se kur do të shpallet kompania fituese. Ministria nuk ka preferuar të bëjë publike emrat e operatorëve që tashmë janë bërë pjesë e garës, ndërsa i vetmi informacion lidhet me faktin se të 6 ofertat kanë ardhur nga kompani ndërkombëtare.

Kompania që do të shpallet fituese nga kjo garë do të përfitojë dhe masat mbështetëse për ndërtimin e impiantit fotovolatik në zonën e Akërnisë, duke i  dhënë edhe një tjetër dimension tregut të prodhimit të energjisë, që aktualisht është i varur në masën 100% nga burimet ujore.

Impiant gjenerues me energji diellore do të jetë me kapacitet gjenerues të instaluar 50 MW, duke synuar kështu një investim nga më të mëdhenjtë në rajon në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë.

Ndërkaq, si një risi në këtë lloj procedure, është zgjedhur formula për ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë nga 20 MW deri në 50 MW, të cilat nuk do të jenë pjesë e masave mbështetëse, por të cilat janë lirisht të tregtueshme në tregun e lirë, gjë që do t’i hapë rrugë krijimit të tregut të energjisë elektrike dhe Bursës shqiptare të energjisë.

Scan,  12.10.2018