Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE, investim 13 milionë USD në N/Stacionin e ish-Uzinës Traktora

Investimi prej rreth 13 milionë dollarësh, në nënstacionin elektrik në zonën e ish-Uzinës Traktora në Tiranë ka transformuar rrënjësisht mënyrën e operimit të këtij nënstacioni, duke rritur jo vetëm kapacitetet e tij, por njëkohësisht duke përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike për mijëra banorë si dhe duke reduktuar nivelin e humbjeve.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë inspektuar investimin e kryer, si dhe janë njohur nga afër me planet e mëtejshme për modernizimin e infrastrukturës elektrike në këtë zonë.

Administratori i OSHEE, Adrian Çela bëri të ditur se ky nënstacion është më i rëndësishmi që kompania administron. “Investimi i nisur është në tre faza. Nga 35 fidera që ka ky nënstacion, ne po i eliminojmë të gjitha ato të nivelit 6 dhe 10, që janë fidera të investimeve të viteve ‘70-të. Kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar rreth 130 kabina, më shumë se gjysmën e tyre i kemi kthyer të automatizuara dhe komandohen në distancë. Ky nënstacion është pjesë e komandimit SCADA, monitorohet nga salla e komandimit SCADA që kemi tek Drejtoria Qendrore”, u shpreh Administratori Çela, duke nënvizuar edhe objektivin që deri në fund të vitit të ardhshëm të gjitha nënstacionet elektrike që ndodhen në Tiranë dhe Durrës të përshihen në sistemin e kontrollit online, SCADA.

Ministrja Belinda Balluku theksoi se nënstacioni në fjalë siguron furnizim me energji elektrike për një numër të madh banorësh, por edhe biznesesh që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën përreth, ndërsa shtoi se investimet e fundit në këtë nënstacion datojnë në vitet ’70-të.

“Është një zonë mjaft e rëndësishme, e cila ka një numër të konsiderueshëm banorësh, por edhe disa fabrika, të cilat furnizohen nga ky nënstacion. Mos harrojmë që këtu kemi trashëguar një rrjet të amortizuar me investime të fundit, të kryera në fillim viteve ‘70. Me punën që kemi nisur, duke plotësuar edhe pjesën e fundit, atë që do të nisë në nëntor të këtij viti, duke shtuar edhe katër fiderat e rinj, do të kemi komplet një investim të ri në 20 kilovoltsh”, u shpreh Balluku.

Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se së bashku me fazën e tretë të projektit shuma totale e investimit në këtë nënstacion do të arrijë shifrën e 13 milionë dollarëve, ndërsa bëri të ditur se ky investim është mbështetur nga Banka Botërore, e cila e ka mbështetur këtë investim ashtu siç ka mbështetur të gjitha investimet në energji në kuadër të paketës së rimëkëmbjes.

Të gjitha këto investime, shtoi ministrja Balluku, kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e nivelit të humbjes së energjisë duke synuar që këtë vit humbjet të ulen poshtë 21%. “Duke ju referuar sigurisë energjetike dhe të shpërndarjes duhet të theksojmë, që në vitin 2013 humbjet në rrjet ne i kemi pasur 45%, ndërsa sot, nga të gjitha llogaritjet jemi, në 22.45% dhe synojmë që ta mbyllim vitin poshtë 21%. Do kishim shkuar edhe më mirë, por i kemi ndaluar investimet, pasi nuk kemi prekur asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit në blerjen e energjisë këtë vit”, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aktualisht në nënstacionin e ish-Uzinës Traktora, OSHEE ka lidhur kontrata dhe po investon 321 milionë lekë për vendosjen e pajisjeve të reja si dhe po ndërton 6 fidera të rinj 20kV dhe 7 kabina. Në muajin nëntor të këtij viti parashikohet të nisë puna për rikonstruksionin e 7 fiderave, kalimin e tyre nga 6kV në 20kV, si dhe ndërtimin dhe rikonstruksionin e 13 kabinave.

energjia.al 02.09.2020