Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Milionat e biznesit të diellit, si do ndahet torta

Një vit nga miratimi i ligjit për burimet e energjisë së rinovueshme, qeveria ka avancuar vetëm me projektet e parqeve fotovoltaikë deri në 2 MW. Deri më tani janë dhënë 10 licenca që parashikojnë një vlerë investimi rreth 20 milionë euro. Aktorët e tregut pohojnë rritje të interesit për sektorin. Bankat gjithashtu kanë reflektuar, duke zgjeruar portofolin me produkte të reja për t’ju përshtatur zhvillimeve të tregut.

Nga Nertila Maho

Nëse ju do të kishit instaluar një impiant fotovoltaik 60 kwp, nga janari i vitit të kaluar e deri në mes të prillit 2018, do të kishit prodhuar 74.88 megavat/orë energji që, në vlerë monetare, me një çmim referencë prej 14 lekë/kwh, do të ishte 1.1 milionë lekë. Kjo do të thotë që çdo muaj, fatura juaj do të zvogëlohej me 68,750 lekë.

Shembulli në fjalë është një rast konkret i një fabrike që ka instaluar mbi çatinë e saj me panele diellore. Si ky rast, në Tiranë ka me dhjetëra, por deri më tani situata ka qenë disi e vështirë. Së pari, nuk ishte përfunduar ende net-metering që mundëson matjen me dy kahe (tashmë i mbyllur në prill) si dhe nuk është përcaktuar një çmim për këtë kategori (ende në diskutim).

Por grupi i prodhuesve konsumatorë është vetëm njëri prej atyre që mund të përfitojnë nga biznesi i diellit. Të tjerët janë individët, investitorët në parqe me kapacitet deri në 2 MW, si dhe ata mbi këtë fuqi të instaluar. Qeveria vendosi në Planin Kombëtar për Burimet e Energjisë së Rinovueshme, që torta e fotovoltaikëve të rritet edhe me 70 MW të tjera kapacitet, duke e çuar totalin e kësaj kategorie në 120 MW.

Ku ndodhemi sot një vit pas miratimit të ligjit

Një vit nga miratimi i ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë, tregu ka përjetuar fazat e tij dinamike. Së pari, një lloj ngurrimi, pastaj një dyndje me projekte të llojllojshme dhe më pas, me një qëndrueshmëri dhe maturim të kërkesave. Ajo që u shfaq si më tipike përgjatë vitit 2017 dhe 2018 ishte kërkesa për parqe fotovoltaikë deri në 2 MW, me vlera investimi nga 1-2 milionë euro. Aq shumë kërkesa u bënë për zonën e Fierit dhe Lushnjës, sa të dy rajonet mund të mbuloheshin me panele pa asnjë problem.

Por nga ato dhjetëra kërkesa, provën e kanë kaluar shumë pak. Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bën me dije se, deri më tani, janë dhënë 10 licenca për parqe fotovoltaikë nga 2 megavat dhe me një vlerë investimi prej rreth 20 milionë eurosh. Kjo do të thotë që kapaciteti prej 20 MW është ezauruar tashmë, ndërkohë që mbeten për t’u dhënë edhe 70 MW.

Me shumë gjasa do të kemi dy projekte të mëdhenj centralesh që do të kalojnë tek privati përmes ankandit. “Plani parashikon që dhe këto kapacitete, në bazë të kushteve teknike dhe të studimeve të fizibilitetit, të ndahen me urdhër të ministrit, pra sa megavat do të mbeten për të vegjlit dhe sa për ankandet e mëdha. Për ankandet e mëdha, ideale do ishte që të ishin dy projekte të mëdha, duke marrë në konsideratë kryesisht përdorimin e tokës dhe zonat e identifikuara që kanë rrezatimin më të madh dhe që përshtatet me bonitetin (prodhueshmërinë) e ulët. Fieri dhe Vlora janë dy zona të tilla. Sigurisht që do të shihen mundësitë e OSHEE për gjendjen e rrjetit në bazë të të cilit do të bëhet studimi për të tërhequr energjinë nga ato nën 2 MW”, – shprehet Entela Çipa, Këshilltare për Energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas saj, energjia nga dielli ka tërhequr një vëmendje të konsiderueshme dhe donatorët janë shprehur pozitivë për të qenë pjesë e këtij zhvillimi në tregun shqiptar. Aktualisht, pjesa më e rëndësishme e këtij viti do të jetë procedura e ankandit për centralet e mëdhenj që po asistohet nga BERZH. “Lidhur me projektet që do të jepen përmes ankandit, ne jemi në fazë përfundimi dhe ndoshta do të jenë ankande për projekte deri në 30 megavat. Ne po përgatisim terrenin që kur të shpallet ankandi, gjithçka të jetë e qartë. Sigurisht që do të ketë shumë rëndësi projekti dhe kushtet e tjera bazë që duhet të plotësojnë operatorët që do marrin pjesë dhe kjo lidhet me përvojën dhe garancinë financiare. Janë projekte që mund të shkojnë në vlera të konsiderueshme, ndaj duan siguri financiare. Mendoj që do t’i prezantojmë para qershor-korrik, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi një projekt fitues”, shprehet ajo.

Prodhoni energji tepër, OSHEE do t’ua blejë energjinë aq sa ua shet

Të gjithë ata që kanë instaluar një impiant fotovoltaik deri më tani nuk mund të hidhnin energji në rrjet, pasi mungesa e ‘net metering’ i bënte ata që edhe energjinë e konsumuar dhe atë të prodhuar ta paguanin. Me përfundimin e instalimit të ‘net metering’ në muajin prill, i jepet zgjidhje edhe këtij problemi, por mbetet ende në diskutim çmimi. Sa lekë do ta blejë shteti një kilovat/orë tepër që prodhon një biznes konsumator. Pra një biznes që prodhon më shumë sesa ka konsumin.

Është lakuar se metodologjia do të synojë nxjerrjen e një çmimi stimulues, por pak a shume duket se është e qartë skema. OSHEE, me shumë gjasa, do ta blejë energjinë nga ju aq sa ua shet. “Ne mendojmë që, në këtë fazë, është e rëndësishme të gjejmë një skemë të thjeshtë që është e kuptueshme dhe për biznesin dhe për OSHEE. Ndaj pa përfshirë shumë elemente, të paktën fillimisht mund të përdoret i njëjti çmim me të cilin e blejnë sot energjinë nga OSHEE. Pra e blejnë 14 lekë dhe do ta shesin 14 lekë. Duhet thënë që kjo kategori që e blejnë 14 lekë/kah, është e konsiderueshme dhe përfshin të gjithë ata të lidhur në 0.4 kv, që nisin nga prodhuesit e vegjël, tek agrikultura, turizmi, fasonët. Për të gjithë këto kategori, shfrytëzimi i energjisë diellore është i rekomandueshëm”, – nënvizon Çipa.

Kujt i leverdis të investojë në panele fotovoltaike

Ka gjithmonë një kufi që ndan fizibilitetin ose jo të një projekti, pra nëse ia vlen të investoni apo jo. Për biznesin që kërkon të ulë koston e energjisë në aktivitetin e tij, ky kufi i artë është kur çmimi që i paguan OSHEE-së është 14 lekë. Elton Çekrezi, administrator i kompanisë Euro Elektra, nënvizon se investimi te kjo kategori biznesi, që paguajnë këtë nivel tarife, është i leverdishëm. Jo se te grupet e tjera nuk ka leverdi, por kthimi sipas tij është më afatgjatë.

“Investimin në fotovoltaik do t’ia rekomandoja çdo biznesi që sot paguan tarifën 14 lekë pa TVSH, sepse llogaria është e thjeshtë. Për shembull, nëse gjatë gjithë vitit paguan një faturë prej 100 mijë lekësh çdo muaj, me një total 1.2 milionë lekë në vit, për një periudhë 5-vjeçare, vlera arrin një total prej 6 milionë lekësh. Me një llogari të thjeshtë, ti mund të reduktosh faturën tënde aktuale dhe të investosh tek vetja. Me kthimin që ka ky investim, ty të duhen 5-7 vjet dhe pastaj mund të kesh energjinë “falas”. Prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike e redukton tarifën në masën 6-8 lekë/kwh. Ndërsa për target-grupin që energjinë e paguan me 9 lekë, periudha e kthimit nga investimi shkon 8-9 vite dhe është më e lartë se periudha e kthimit të investimit të kategorisë së mëparshme”, shprehet Çekrezi.

Bankat për fotovoltaikët, rritet stoku i kredisë, produkte të dedikuara në treg

Potenciali që shfaq Shqipëria në shfrytëzimin e energjisë diellore është i konsiderueshëm. Sektori bankar duket se gjykon pikërisht mbi këtë potencial duke ju përshtatur dinamikës dhe duke i kushtuar produkte specifike. “Kredia për Panele Fotovoltaike është një produkt kreditor që financon nevojat e bizneseve për investime në blerjen dhe instalimin e paneleve diellore për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim përdorimin vetjak të biznesit.

Panelet Fotovoltaike kanë jetëgjatësi të lartë, amortizimi i tyre shkon deri në 25 vjet, ndërsa kthimi i investimit shkon në 6-7 vite pune. Ky investim është me shumë përfitim, pasi shoqëria do të paguajë këstin e kredisë me ato çfarë do të kursejë nga pagesa e faturës së energjisë për vitet e kredisë, ndërsa pas shlyerjes së kredisë do të kursehet totalisht pagesa e energjisë pasi shoqëria do ta prodhojë vetë atë”, shprehet Bledar Çergani, zëvendësdrejtor i Departamentit të Shitjes për Biznesin, Union Bank.

Fokusi tek energjia në disa dimensione të saj, qoftë tek eficenca, qoftë ato miqësore me mjedisin prej kohësh është pjesë e strategjive të bankave. Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive e ProCredit Bank Shqipëri, shpjegon se stoku i kredisë që përfshin investimet EKO ka vite që është në rritje, duke regjistruar një vlerë prej 50 milionë eurosh. Sipas saj, interesi për projektet e parqeve fotovoltaikë ka ardhur edhe si efekt i çmimit 100 euro MW, që është përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

“Për sa i përket shprehjes së interesit për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, interesi ka qenë i lartë, sidomos në investime në parqe fotovoltaike deri në 2 MW, pasi tarifa 100 euro/MW për blerjen e energjisë nga impiantet fotovoltike është realisht një tarifë e leverdishme. Një avantazh tjetër është edhe çmimi i paneleve fotovoltaike, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit, gjë që bën të mundur kthimin e investimit në një periudhë prej 7 vitesh, nga 25 vjet që e ka jetëgjatësinë vetë parku”, – pohon Hristic.

Flet Bledar Çergani, zëvendësdrejtor Departamenti i Shitjes për Biznesin Union Bank

“Produkte të dedikuara për fotovoltaikët”

Plotësimi i kuadrit ligjor për energjinë nga burimet e rinovueshme dhe rritja e interesit për këtë aspekt ka bërë që edhe sektori bankar t’u përshtatet zhvillimeve të tregut, duke nxjerrë produkte të dedikuara. Bledi Cergani, zëvendësdrejtor i Shitjeve pranë Union Bank, në një intervistë për “Monitor” shprehet se ky sektor vlerësohet me potencial për shkak të kushteve të favorshme klimatike që ofron Shqipëria, ndaj ofrimi i një produkti të dedikuar është një hap pozitiv.

Ju keni diversifikuar portofolin e produkteve që lidhen me energjinë duke shtuar përveç eficencës edhe pjesën e fotovoltaikëve. Pse ky vendim?

Union Bank, prej disa vitesh është në treg me produktin e kredisë për eficencën e energjisë. Kjo kredi ka si përfitues të saj individët, të cilët investojnë në apartamentin e tyre në funksion të eficencës së energjisë.
Politikat energjetike kudo në botë po zhvillohen drejt një ekonomie me karbon të ulët, duke nxitur prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.

Kapacitetet e limituara, si dhe varësia e plotë e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike po i orientojnë bizneset gjithnjë e më tepër drejt investimeve në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, një prej të cilave është edhe energjia diellore. Për shkak të kushteve të favorshme atmosferike, Shqipëria renditet ndër vendet me potencial të lartë për prodhimin e energjisë së rinovueshme në Europë. Duke parë interesin e bizneseve në këtë drejtim, Banka jonë vendosi të futet në treg me këtë produkt të ri.

Çfarë përfaqëson produkti i ri që keni lidhur me fotovoltaikët (kushtet mbi të cilat jepet, interesi etj.)?

Kredia për Panele Fotovoltaike është një produkt kreditor që financon nevojat e bizneseve për investime në blerjen dhe instalimin e paneleve diellore për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim përdorimin vetjak të biznesit. Panelet Fotovoltaike kanë jetëgjatësi të lartë, amortizimi i tyre shkon deri në 25 vjet, ndërsa kthimi i investimit shkon në 6-7 vite pune. Ky investim është me shumë përfitime, pasi shoqëria do të paguajë këstin e kredisë me ato çfarë do të kursejë nga pagesa e faturës së energjisë për vitet e kredisë ndërsa pas shlyerjes së kredisë do të kursehet totalisht pagesa e energjisë pasi shoqëria do ta prodhojë vetë atë.

Banka financon deri në 70% të vlerës së investimit, me normë interesi preferenciale prej 5% për kredinë në euro dhe me këste mujore sipas sezonalitet të biznesit. Mjafton që biznesi të ketë rezultuar me fitim gjatë 3 viteve të fundit dhe kësti i kredisë të rezultojë më i ulët se pagesa e kryer për faturën e energjisë dhe kredia rezulton e aprovuar. Nëse aplikimi për kredi nuk shoqërohet me një kolateral hipoteke, kemi opsionin e financimit me anë të Leasing-ut me kompaninë tonë Landeslease, ku mjafton paneli i blerë si garanci për kredinë e kërkuar.

A mund të kemi një shembull për një kredi një plan shlyerje. Nëse unë si (X) biznes kam një investim 20 mije euro për këtë projekt dhe marr nga ju 70% të vlerës, si vijohet me planin sa llogariten këstet?

Për një investim në panele fotovoltaike kërkohet kapital më i lartë se 20 mijë euro, pasi energjinë e prodhuar do ta përdorësh për konsumin e biznesit tënd dhe nevojitet një konsum minimal mujor me kosto 1.5 milionë lekë në vit që investimi të rezultojë eficient.
Më poshtë po ilustroj 2 shembuj plan shlyerje kredie:

1) Nëse investimi është 20 mijë euro, klienti mund të financohet nga UB deri në 14 mijë euro, për shumën 14 mijë euro me afat 5-vjeçar rezulton një këst 265 euro/muaj.

2) Nëse investimi është 300 mijë euro, klienti mund të financohet nga UB deri në 210 mijë euro. Për këtë shumë me afat 5-vjeçar rezulton një këst
3’970 euro/muaj.
Siç e theksova më sipër. klienti kredinë do ta paguajë me kursimin që kryen nga mospagesa e faturës së energjisë elektrike me investimin e ri, duke qenë se nuk do t’i duhet të blejë me energji nga OSHEE.

Si ka qenë interesi i bizneseve dhe qytetareve për këtë lloj kredie?

Në Shqipëri janë kryer disa investime nga bizneset në panelet fotovoltaike, por mangësia në legjislacion për këto lloj investimesh dhe saktësimi i ligjit i cili përcakton marrëdhënien me shtetin në këtë fushë ka stepur shumë nga bizneset që të futen në këtë lloj investimi, i cili është shumë atraktiv për investitorin. Me miratimin e ligjit, pritet të rritet kërkesa për këto lloj investimesh dhe padyshim për këto lloj financimesh bankare.

Flet Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri

“Investimet EKO, në rritje”

Ka një interes në rritje për ato që quhen investime miqësore me mjedisin dhe që tek energjia i gjejmë të reflektuara te projektet e eficencës apo parqet fotovoltaikë.

Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri në një intervistë për “Monitor”, tregon se stoku i kredisë për investimet EKO ka arritur 50 milionë euro. Sipas saj, një interes të veçantë ka lidhur me parqet fotovoltaikë deri në 2 MW, të cilët nxiten edhe nga çmimi i favorshëm prej 100 euro MW që është përcaktuar në një vendim të veçantë të Entit Rregullator të Energjisë.

Sa interes ka sot nga individët dhe bizneset për një kredi “te gjelbër” në kuptimin e eficences së energjisë, por edhe investimit në impiante fotovoltaike?

Mbrojtja e mjedisit dhe kontributi aktivisht në zhvillimin ekonomik, me përgjegjshmëri sociale dhe mjedisore, është një komponent qendror i misionit të Grupit ProCredit. Duke u nisur nga ky qëllim, banka është e fokusuar në promovimin e kredisë Eko dhe ofrimit të këshillimit për klientët e saj, lidhur me investimet Eko që ata mund të realizojnë në banesa dhe biznese. Mund të themi që nga viti në vit, ndërgjegjësimi për përfitimet afatgjata që investime të tilla sigurojnë ka ardhur në rritje.

Nëse flasim për investimet në biznese investimet me tipike janë zëvendësimi i linjave të prodhimit/makineri, pajisje, apo dhe asete të tjera fikse me linja apo makineri të reja eficente. Këto investime ulin kostot dhe rrisin eficencën, cilësinë e produkteve që ata prodhojnë dhe tregtojnë, duke siguruar avantazh konkurrues në treg për këto biznese. Ndikim kryesor gjatë vitit 2017 ka pasur sektori i prodhimit, i cili ka synuar që me investime të tilla të rrisë kapacitetin prodhues, të reduktojë konsumin e energjisë elektrike, kostot e mirëmbajtjes, defekteve për të krijuar një ide më tepër rreth interesit që këto kredi kanë, gjatë vitit 2017 banka ProCredit ka pasur rritje të portofolit të kredisë së gjelbër me 20%, krahasuar me vitin 2016.

Për sa i përket shprehjes së interesit për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, interesi ka qenë i lartë, sidomos në investime në parqe fotovoltaike deri në 2 MW, pasi tarifat 100 euro/MW për blerjen e energjisë nga impiantet fotovoltike është realisht një tarifë e leverdishme. Një avantazh tjetër është edhe çmimi i paneleve fotovoltaike, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit, gjë që bën të mundur kthimin e investimit në një periudhë prej 7 vitesh, nga 25 vjet që e ka jetëgjatësinë vetë parku. Të gjithë investitorët duhet të tregojnë kujdes të veçantë në momentin që bëjnë planin e tyre të biznesit, pasi rreziqet për përfundimin e ndërtimit dhe operimin e parkut janë nga më të ndryshmet. Rreziku fillon që me përzgjedhjen e teknologjisë, dhe cilësinë e pajisjeve dhe materialeve që do të përdoren për realizimin e projektit. Të gjitha pajisjet duhet të përshtaten me vendin dhe klimën se ku do të ndërtohet parku fotovoltaik.

Cili është ngërçi që mund të ndikojë në financimin e një projekti, a janë të gjithë aplikimet fizibël në kuptimin e një plani të plotë biznesi?

Nëse konsiderojmë një plan investimi standard EKO nuk ka asnjë arsye që mund të çojë në mos financim. Nëse do të trajtojmë financimin e një projekti fotovoltaik në tërësi, kujdes i veçantë duhet të tregohet nga investitorët në kontratat që lidhin midis palëve, ku fokusi kryesor është zbutja dhe shpërndarja e rrezikut. Mospërcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe garancive të materialeve mund të ndikojë në krijimin e një ngërçi gjatë procesit të financimit. Gjithashtu një tjetër problematike që mund të sjellë bllokimin e financimit është edhe mungesa e lejes ndërtimore, si dhe lejet dhe licencat e tjera nga autoritetet përkatëse.
Aplikimet e realizuara deri tani kanë qenë në nivele të kënaqshme dhe me problematika të vogla teknike. Gjithsesi, në bashkëpunim të ngushtë me klientët dhe me ekspertizën profesionale nga staf i specializuar në fushën e Energjive të Rinovueshme, punohet çdo ditë që t’i ofrohen zgjidhje alternative.

Sa favorizuese janë normat e interesit sot për këtë lloj kredie në kushtet kur ka një rënie të përgjithshme të normave edhe si efekt i politikës monetare lehtësuese të BSH?

Vendosja e normave të interesit për financimin është pjesë e analizës së marrëdhënies së bashkëpunimit që klientët kanë me bankën, sido qoftë çdo financim që cilësohet Eko është pjesë e një analize të kujdesshme financiare dhe ofertohet me një normë interesi 1% më pak se norma e një kredie standarde.

Sa e marketon banka juaj këtë lloj kredie dhe sa të informuar janë njerëzit që vijnë në sportelet tuaja për këtë opsion?

Ndjeshmëria për çështjet mjedisore dhe eficencën e energjisë është artikuluar që në vitin 2009, duke qenë banka e parë në Shqipëri që ka promovuar dhe ofruar kredi eficente ndaj energjisë. Që nga ky vit, banka ka financuar rreth 50 milionë euro projekte përmes kredisë Eko, që kanë pasur për qëllim investime në eficencë të energjisë, energji të rinovueshme dhe investimeve të tjera “miqësore me mjedisin”.

Me synim rritjen e ndërgjegjësimit në publik dhe vizibilitetit, ne jemi përfshirë në projekte lokale të ndryshme mjedisore, jemi angazhuar në seminare të shumta në lidhje me investimet Eko për bizneset, agrobizneset, bashkitë, nxënësit, etj.

Këshilluesit tanë ofrojnë në çdo moment, këshillimin në lidhje me investimet Eko, me të përshtatshme për banesën/biznesin, në mënyrë që investimi të sjellë një vlerë të shtuar për të gjithë. Në takimet me klientë kur diskutohen plane investimi gjithmonë konsiderohet “a është eko ky investim”, këshilluesit tanë janë të fokusuar të analizojnë, argumentojnë dhe këshillojnë klientët, në mënyrë të përfitojnë nga kryerja e investimeve Eko. Mund të them me siguri që përpjekjet jo vetëm për ta promovuar, por edhe për ta aplikuar gjerësisht kanë rezultuar të suksesshme.

Revista Monitor,  14.05.2018