Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Çmimi i energjisë drejt uljes

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot ambientet e reja të dispeçerisë kombëtare në Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Projekti është financuar përmes një kredie bankare nga qeveria italiane. Në total ky projekt ka kushtuar 23 milionë euro, ku 16 janë përdorur për të vënë në punë sistemin SCADA/EMS, ndërsa 7 milionë euro për ndërtimin e godinës.  Gjatë fjalës së tij shefi i qeverisë, Edi Rama tha se do e transferojnë sistemin elektro-energjetik në një qendër strategjike për të gjithë ecurinë e mëtejshme.

Kreu i qeverisë tha se energjia do të jetë që këtej e tutje një pasuri kombëtare dhe jo një mall elektoral si në të shkuarën. Ai deklaroi se që nga qershori nuk do të ketë më fatura amorfe për qytetarët, ndërsa për çmimin e energjisë premtoi se do të ketë ulje në vazhdimësi.

“Jam krenar që Shqipëria ka një qendër të këtyre standardeve edhe që sistemi elektro-energjetik disponon një tru elektronik të këtyre përmasave. Jam njeriu më i pakënaqur më të gjitha gjërat e tjera, se kam vetëdijen se kemi bërë shumë, por mbetet shumë më tepër për të bërë. Kjo është një e vërtetë që na udhëheq. Me reforma po i kthejmë publikut atë çka shqiptarët po investojnë. Sistemi ishte i përmbytur nga borxhet, korrupsioni, hajdutëria dhe i paralizuar në raport me ambicien e Shqipërisë për të qenë një vend normal, evropian. Energjia është një pasuri kombëtare dhe jo mall elektoral siç është përdorur në të shkuarën”, – theksoi Rama.

“Sot falë këtij investimi, – vijoi kryeministri, – ju e keni integruar Shqipërinë në familjen evropiane, sepse keni hyrë në sistemin evropian në lidhje me shërbimin energjetik. Puna filloi në mes të vitit 2014 dhe sot realizmi i tij ka sjellë anëtarësimin e operatorit të transmetimit në rrjetin evropian të operative”.

Më tej, Rama shtoi se ka një lajm të mirë për të gjithë qytetarët: “Nga muaji qershor, të gjithë shqiptarët, do paguajnë atë që konsumojnë dhe faturat aforfe nuk do të ekzistojnë më. Një lajm me rëndësi të madhe, për barazinë para ligjit dhe detyrimeve mbi cilësinë. Nuk mund të ndërtojmë një vend serioz me faturat aforfe, duke i deklaruar dikujt që është i rregullt, të paguajë më shumë nga ç’i takon. Ne bëmë gjithë këtë reformë pa e rritur çmimin e energjisë, përkundrazi, ka pësuar një rritje të lehtë. Sigurisht që nuk mjafton, por duam që të shkojmë më tutje, sepse duam që të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit dhe përmbushjes së zotimit për Tvsh-në e energjisë së konsumatorit familjar”, – premtoi Rama.

Gazeta Shqip,  25.05.2016