Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca i kërkon ERE-s trasparencë

Komisioni i Konkurrencës pas një takim konsultues me Bordin Drejtues të ERE i ka kërkuar këtij të fundit të bëjë trasparente rregullat dhe procedurat e procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve.

Sipas një njoftimi zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës ERE dhe OSHE duhet të rrisin konkurrencës në tregun e blerjes së energjisë elektrike, tashmë që OSHE është publike të rishikojnë procedurat e blerjes së energjisë elektrike mujore dhe vjetore për OSHEE.

Rekomandimet e konkurrencës synojnë (a)nxitja e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë, (b)Nxitja e konkurrencës ndërmjet blerësve; (c) sigurimi i trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë; dhe (d) sigurimi i integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa me te uleta per keto lloj transaksionesh.

Më konkretisht Konkurrenca ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të blerjes nga KESh SH.A….” duke specifikuar që pranimi, vleresimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar te gjithe aktoret e tregut(edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjese ne procedurat e tenderit duke e bere ne kete menyre me konkurrues procesin.

Gjithashtu është rekomanduar që mënyra e përcaktimit të ofertës fituese të përshtatet sipas Rregullores së Ministrisë së Financave “Për emetimin e obligacioneve”, “kërkesat konkurruese pranohen si fituese duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar”.

Duke marrë në konsideratë faktin që aktualisht në Shqipëri të gjitha procedurat e prokurimit publik janë në formë elektronike dhe realizohen nëpërmjet platformave përkatëse elektronike, Komisioni i Konkurrencës rekomandon që kjo procedurë të parashikohet edhe në rregullat e blerjes së energjisë elektrike.

Në këtë treg Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka hapur një procedurë hetimi sipas një ankese se “ofertat e paraqitura nga disa prej operatorëve janë të paarsyeshme dhe mbi çmimin e tregut dhe me diferenca të papërfillshme me njëri tjetrin, me 5 cent dhe ka koordinim për sasitë e ofertuara dhe se skualifikimi i ofertave me çmime konkurruese ka sjellë humbje për OSHEE-në, buxhetin e shtetit dhe për konsumatorin përfundimtar”.

Segmenti i tregut të energjisë elektrike për blerjen e OSHEE-së për mbulimin e humbjeve sipas Modelit Të Tregut Të Energjisë Elektrike, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave me nr.338, datë 18.3.2004, është i vetmi segment i liberalizuar dhe ku mund të zhvillohet konkurrenca, pasi OSSHEE ka të drejtë të prokurojë energjinë nga operatorët e licensuar.

Sipas vendimit të shtatorit 2014 publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit Komisioni i Konkurrencës ka hapur procedurën hetimore për të evidentuar kufizimet e mundshme të konkurrencës nga sjellja e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve nga ana e OSHEE-së, që mund të sjellin pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës në treg, në kuptim të nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Periudha e hetimit do të jetë Janar – Shtator 2014 dhe duhet të përfundojë deri në mesin e muajit të ardhshëm.

Revista Monitor, 07.11.2014