Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama me sipërmarrësit italianë të energjisë së rinovueshme

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Itali, mori pjesë në Konferencën për Energjinë e Rinovueshme, në Bari, ku parashtroi para sipërmarrësve italianë, potencialet që Shqipëria ofron në këtë fushë.

Në parashtrimin e tij, Kryeministri Rama shpalosi avantazhet që Shqipëria ofron për investime si koston e ulët të forcës punëtore dhe të punës në tërësi, taksim konkurrues dhe mundësi të mëdha për t’u shfrytëzuar.

Kryeministri ftoi sipërmarrjen pulieze dhe atë italiane në përgjithësi për të shtrirë aktivitetin në Shqipëri, ku ndër të tjera do të gjejnë edhe një mjedis miqësor dhe vullnetin e plotë të qeverisë për të lehtësuar e thjeshtëzuar procedurat burokratike. “Ne do të presim krahë hapur të gjithë sipërmarrësit italianë që duan të investojnë në Shqipëri,” – u shpreh Kryeministri.

Gjatë qëndrimit në Itali, Kryeministri Rama zhvilloi edhe një seri takimesh me sipërmarrës italianë në Romë, anëtarë të Konfindustrias së shtetit fqinj, ku është diskutuar për rritjen e mundësisë së investimeve në Shqipëri.

Kryeministri theksoi se qëllimi i këtyre takimeve, që do të pasohen nga një tur takimesh në Veri të Italisë, është të përcjellë mesazhin e qartë, se Shqipëria mund të jetë sot “një tokë shprese” për investitorët italianë dhe se investimet e tyre janë të mirëpritura në Shqipëri, në ndjekje të suksesit të shumë sipërmarrësve italianë këtu.

Gjithashtu, Kryeministri zhvilloi në Bari, një takim edhe me Guvernatorin e Rajonit të Pulias, Nichi Vendola.

Pas takimit, Kryeministri Rama dhe Guvernatori i Pulias dhanë këtë prononcim për mediat:

Nichi Vendola: “Ishte një rast për ta uruar Kryeministrin, për fitoren në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Shqipëri dhe për t’i rishprehur ndjenjat e gjithhershme të miqësisë me popullin shqiptar, të interesave për jetë me një vend motër të Italisë dhe për t’i shprehur shpresën që marrëdhëniet tashmë intensive midis sipërmarrëse të Pulias e Shqipërisë të intensifikohen edhe më tej. Ne jemi shumë të interesuar për këtë shkëmbim ekonomik midis të sipërmarrjeve tona. Kryeministri pati mundësinë të takojë shumë sipërmarrës puliezë, shumë prej të cilëve janë prej kohësh protagonistë në jetën ekonomike shqiptare. Është gjë shumë e mirë të shfrytëzohen mundësitë për të forcuar këto kontakte e marrëdhënie dhe për sa më përket. Por, mbi të gjitha, besimi në rritje shërben për të luftuar çdo lloj paragjykimi, në njërën dhe tjetrën anë. Për ne, Shqipëria është vend motër dhe pjesë e vlerësuar e Evropës që ëndërrojmë dhe duam. Ne i konsiderojmë shqiptarët ndërtues të Evropës dhe i ndjejmë pjesë të saj dhe nga ky këndvështrim, do të bëjmë gjithçka që mundemi për pasur si dhuratë prezencën e tyre, të pasurimit të historisë së rrugëtimit të Bashkimit Evropian.”

Kryeministri Rama: Faleminderit! Unë ju kam sjellë një libër të shkruar nga një shqiptar që tashmë është bërë gjysh në Itali dhe që përfaqëson atë që për ne shqiptarët, Italia ka përfaqësuar; një tokë shprese.

Në këtë vizitë kam ardhur të nënvizoj se edhe Shqipëria përfaqëson një tokë shprese, sot, për sipërmarrësit italianë dhe e kemi filluar nga Pulia këtë udhëtim, që do të shtrihet në disa etapa e në disa muaj, për të përcjellë një mesazh të thjeshtë e të qartë; Ne i presim krahë hapur të gjithë ata sipërmarrës që duan të ndërkombëtarëzohen, duke përfituar nga kosto e punës konkurruese, nga një taksim shumë konkurrues dhe nga vullnet shumë i madh nga ana qeverisë sonë, për të lehtësuar të gjitha procedurat e për të bërë të mundur që ata që kanë përshkuar tashmë një rrugë të rëndësishme në Shqipëri, të pasohen nga të tjerë, që sot ndoshta do të duam më shumë frymëmarrje për sipërmarrjet e tyre.

Ky ishte edhe një rast shumë i mirë për të ritakuar Guvernatorin dhe për të vazhduar dialogun që kemi nisur vite më parë, në Tiranë. Për ta falënderuar për të gjithë ndihmën që nuk ka refuzuar kurrë ta japë si në nivelin e dialogut politik, ashtu edhe të ndihmës në momente të vështira. Unë nuk do të harroj kurrë bujarinë e tij dhe gatishmërinë për të pritur këtu, njerëz në nevojë për terapi mjekësore urgjente dhe ka shpëtuar jetë njerëzore. Për këtë do t’i jemi përherë mirënjohës rajonit të Pulias dhe Guvernatorit.

energjia.al 13.12.2013