Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimi: “Lista C” e privatizimit, bashkë me “Albpetrolin” do të shitet edhe deti

Kush janë dy blloqet e lira dhe miliardat e fshehura.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kompanisë “Albpetrol” nuk i ka mbetur asgjë për të menaxhuar, por vetëm kontratat me shoqëritë koncesionare, të cilat aktualisht shfrytëzojnë 95 për qind të puseve të naftës. Pjesa e mbetur është sasi nafte imagjinare, e vlerësuar nga kompani të ndryshme, por asnjëherë nuk janë paraqitur të dhëna konkrete, kurse tokat dhe ndërtesat nuk vlejnë për asgjë, si për skrap, ashtu dhe për shkak të ndotjes.
Në këto kushte, qeveria është e detyruar të gjejë mundësi të tjera për të tërhequr vëmendjen e investitorit. Plani kryesor nga ku bazohet çmimi i lartë i shitjes janë të drejtat e kontratave, që aktualisht “Albpetroli” ka me koncesionarët dhe ofrimi i disa zonave të lira, që deri dje menaxhoheshin nga Agjencia e Burimeve Natyrore, ndryshe lista B, por që i merr blerësi (privatizuesi).
“Asi nën mëngë”, nga ku priten zhvillime interesante, është ofrimi i një pjese tjetër të territorit, atë të detit Adriatik, ku kompani të ndryshme kanë shprehur interes për të kërkuar naftë. E konsideruar ndryshe si lista C, paraqet zona të lira dhe blloqe nafte në zonën e detit pranë Durrësit dhe Kavajës, madje në kufi me Jonin.
Në zonën bregdetare pranë Durrësit është dikur punuar aktualisht një kompani, me seli në Dublin. E listuar në bursën e Londrës, kompania e njohur “San Leon Energy”, ka lidhur marrëveshje me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2011, nga ku ka marrë licencën e kërkimit. Kompania, në faqen zyrtare deklaron se në detin Adriatik, pikërisht në zonën ku ka marrë licencën e kërkimit, me sipërfaqe 4200 kilometra katrorë, ka mundur të zbulojë një sasi nafte, me gati 1 miliard fuçi.
Gazeta “Shqip” disponon hartën e plotë të zonave me naftë dhe ku ndërmarrja “Albpetrol” menaxhon bashkë me koncesionarët puset, e cila u është prezantuar investitorëve francezë nga Ministria e Ekonomisë gjatë një takimi të zhvilluar dy javë më parë, ku e pranishme ishte edhe këshilltarja e Kryeministrit.
Ofrimi i këtyre zonave, plus të tjerat në privatizimin e “Albpetrolit”, shikohet si mjet marketingu për qeverinë, e frikësuar nga fakti se mund të dështojë me shitjen e kompanisë së vetme shtetërore të prodhimit të naftës në vend.
Për vite me radhë, kompania ka lidhur marrëveshje me koncesionarë të ndryshëm, me synim rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit përmes investimeve, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Shteti nuk mori gjë, ndërsa të ardhurat nga renta në masën 90 milionë dollarë shkuan për pagat e 3 mijë punonjësve të ndërmarrjes.
Tashmë edhe vetë qeveria pranon se kompania, e infektuar nga korrupsioni masiv, me pasoja të rënda për shtetin, e ka të pamundur të menaxhojë kontratat koncesionare disa miliardëshe, dhe për këtë fakt shikohet si mundësi ardhja e një investitori serioz që t’i bëjë ballë furisë dhe përvojës së kompanive private që menaxhojnë për vite të tëra puset tona.
Tjetër diskutim mbi kalimin e së drejtës nga shteti te privati pas privatizimit lidhet me të ardhurat, të cilat në një vit arrijnë afro 50 milionë dollarë. Këto të ardhura që i merr buxheti i shtetit, tashmë i përfiton shoqëria që blen “Albpetrolin” dhe ndoshta për këtë arsye, qeveria shprehet me eufori se kompaninë mund ta shesë deri në 500 milionë dollarë dhe nga ku Kryeministri var shpresat për menaxhimin e krizës financiare. Megjithatë, së fundmi ekspertët dyshojnë se mund të arrijnë në këto vlera. Eksportet e naftës kanë arritur aktualisht deri në 900 mijë tonë në vit ose mbi 450 milionë dollarë, por shteti ynë nuk merr asgjë.

Ministri: Dështuam me koncesionarët, nuk mbledhim dot të ardhurat
Qeveria ka pranuar se kompanitë e huaja, të cilat eksportojnë miliona dollarë naftë nga Shqipëria, në tetë vjet nuk kanë paguar asnjë lek tatim-fitimi në buxhet. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, thotë se kompanitë deklarohen me humbje. “Nuk ka arritur asnjëherë barazimi i shpenzimeve me të ardhurat. Po marr kompaninë që është dhënë për Patoz Marinzën, e cila ka investuar rreth 930 milionë dollarë, të ardhurat i ka pasur gati 730 milionë dollarë, pra i duheshin edhe 200 milionë dollarë që të arrinte shifrën”, thotë Naço. Kompanitë deklarojnë qindra milionë dollarë shpenzime për paga. Zoti Naço thotë se qeveria nuk e kontrollon dot nëse bilancet janë të rregullta apo abuzive, pasi nuk ka ekspertizë. “Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve, që nuk kemi arritur dot të bëjmë një kontroll të saktë”, thotë Naço.
Por, sipas tij, një pjesë e fajit se pse buxheti nuk merr para nga rezervat e naftës, i takon qeverisë socialiste, që lidhi kontratën koncesionare në 2004-n.
“Unë e nis prapë të Marrëveshja e Hidrokarbureve, që ka hedhur bazat në vitin 2004 dhe ka pasuar edhe marrëveshje të tjera. Nuk them se kanë gabuar apo kanë shkelur ligjin në atë kohë dhe t’i akuzoj për këtë marrëveshje. Aq i kanë pasur njohuritë e tyre me marrëveshjet e hidrokarbureve dhe e kanë lidhur me ato kushte që nuk përfiton shteti shqiptar”, tha Naço. Disa ditë më parë, qeveria miratoi ligjin për privatizimin e “Albpetrolit”, që kontrollon marrëveshjet koncesionare të naftës.

“Bankers” rrit fitimet 2.4 herë në 2011-n
Shoqëria kanadeze siguron 340 milionë dollarë të ardhura nga nafta e Patoz-Marinzës
Kompania e nxjerrjes së naftës bruto “Bankers Petroleum” realizoi të ardhura prej 340 milionë dollarësh vitin e kaluar, dy herë më shumë se gjatë 2010-s. Sipas të dhënave zyrtare, të paraqitura nga vetë kompania në faqen e internetit, fitimet neto u rritën me 2.4 herë dhe arritën në 36 milionë dollarë, ndërkohë që kompania investoi rreth 243 milionë dollarë për të kryer rehabilitimin e rreth 80 puseve.
Rritja e fortë e të ardhurave ishte rrjedhojë e shtimit të prodhimit me 33 për qind dhe rritjes së çmimit mesatar të shitjes me rreth 50 për qind. Prodhimi mesatar i naftës arriti në 12784 fuçi në ditë nga 9600 fuçi që ishte në 2010-n. Një fuçi është e barabartë me afërsisht 159 litra dhe në rastin e naftës shqiptare, 1 ton naftë është afërsisht i barabartë me 6.2 fuçi.
Kompania që shfrytëzon zonën e Patos–Marinzës është prej vitesh prodhuesi më i madh në Shqipëri, pasuar nga shtetërorja “Albpetrol”, e cila vitin e kaluar prodhoi 57 mijë tonë naftë bruto (mesatarisht rreth 960 fuçi në ditë). Disa prodhues të tjerë privatë kanë prodhim shumë të ulët.
Shqipëria filloi të japë me koncesion operacionet e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës në vitin 1994 me anë të një ligji të posaçëm, që parashikon që koncesion-marrësit të paguajnë 50 për qind tatimfitimi për qeverinë, pasi të jetë rikuperuar kostoja e investimit fillestar për kërkimin dhe zhvillimin.
Sa i takon planeve për këtë vit, kompania parashikon të kryejë investime kapitale prej 215 milionë dollarësh, të cilat do të financohen nga të ardhurat nga shitja e naftës. Gjithashtu, parashikohet hapja e 100 puseve të reja vertikale dhe horizontale si dhe riaktivizimi i 60 puseve ekzistuese. Kompania pret të nisë punën këtë vit për një naftësjellës me gjatësi 35 kilometra, nga Fieri në drejtim të Vlorës, me kapacitet prej 70 mijë fuçish në ditë, projekt ky i lançuar edhe herë të tjera. Investimet nuk ndalen këtu, pasi shoqëria deklaron se do të hapë dy puse në bllokun F, ku do të shihet mundësia e gjetjes së burimeve të reja të naftës apo gazit në këtë zonë.
“Janë gjetur tregje të reja për eksportin e naftës bruto gjatë vitit 2012”, theksohet në raportin e 2011-s, ku ndër të tjera vlerëson se, nafta shqiptare është e cilësisë së keqe, e rëndë dhe në të shkuarën është shitur përkundrejt një çmimi sa 50 për qind e bursës Brent të Londrës. Gjatë këtij viti pritet të shitet për 72 për qind të çmimit të Brent-it, i cili përfaqëson çmimin mesatar të shitjes së naftës që nxirret në Detin e Veriut nga Anglia dhe Norvegjia. “Kemi rënë dakord që t’ia shesim edhe rafinerisë përkundrejt çmimit mesatar prej 66 përqindësh të bursës Brent, ose 7 për qind më shtrenjtë se viti i kaluar. Çmimi i naftës që i shiste rafinerisë, megjithëse është më i ulët, sjell po aq përfitime sa eksporti, për shkak se nuk ka kosto transporti”, raporton shoqëria.

Kriza financiare e kompanisë lë punëtorët dy muaj pa rroga
Ministria e Ekonomisë vijon të mos autorizojë kompaninë “Albpetrol” në zhvillimin e ankandeve për shitjen e naftës, duke lënë shoqërinë në vështirësi financiare dhe për rrjedhojë punëtorët nuk kanë mundësi të marrin pagat. Prej dy muajsh, afro 3 mijë punonjës të shoqërisë së prodhimit të naftës nuk i kanë marrë rrogat, ndërsa kompania e ka të pamundur të sigurojë të ardhura shtesë, në kushtet kur tenderët e planifikuar nuk po zhvillohen. Burime pranë kompanisë pohojnë për “Shqip”, se vonesat në realizimin e tenderëve kanë shkaktuar mungesa financiare të forta, aq sa kanë lënë pa rroga punonjësit, pjesa më e madhe e të cilëve janë kryefamiljarë. Mësohet se edhe pse “Albpetrol” ka vënë në dijeni METE-n për planin vjetor, për gjithë sasitë e naftës së nxjerrë në 2011-n, ankandet e shitjes së saj nuk janë kryer në kohën e duhur, por gjithçka është lënë për në ditët e fundit, duke sjellë për pasojë bllokimin e sasive të kësaj nafte.
Ndërkaq, për shkak të borxheve që ARMO i detyrohet prej vitesh shoqërisë “Albpetrol”, kjo e fundit nuk i ka kryer më shitje kompanisë së përpunimit të thellë të naftës. Tjetër shkak që ka lënë pa shitur naftën është edhe cilësia e saj, e cila nuk mund të ekspertohet drejt tregjeve të huaja. Për vitin e kaluar ishte tejkaluar plani i nxjerrjes së naftës, nga 51 mijë tonë në 59 mijë tonë, ndërsa fitimi neto i siguruar arriti 14 milionë dollarë. Edhe pse është nga të vetmet kompani shtetërore që nxjerr një fitim, veç shpenzimeve, punonjësit e saj vazhdojnë të mbetën pa pagat mujore dhe të përballen me grabitësit e skrapit, të cilët, në disa raste, i kanë sulmuar edhe me armë.

METE dështoi me “Albpetrol” kur largoi ekspertët e AKBN, tani punojnë për koncesionarët
Braçe, kritika Naços për kontratat. Kushtet e shitjes dhe trajtimi i punonjësve
 Kur kompania CEZ bleu shumicën e aksioneve të OSSH-së, lëvizja e parë ishte rekrutimi i asaj kategorie specialistësh të shkarkuar nga shteti, që edhe pse ishin me përvojë të gjatë në punë, si në Entin Rregullator të Energjisë (ERE) dhe në KESH, nuk gjetën vend për shkak të lëvizjeve politike dhe nepotike. Aktualisht këto dy institucione e vuajnë një “migrim” të tillë dhe pranojnë se të negociosh me kompani perëndimore, të projektosh apo të tregtosh me kushte të favorshme është e vështirë (dhe rezultatet duken).
Këtë po vuan aktualisht edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, institucioni që monitoron kontratat dhe projektet e kompanive koncesionare në fushën e hidrokarbureve. Dy ditë më parë, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, pranoi se shteti kishte dështuar të mbikëqyrte si duhet kompanitë private të naftës, që kishin marrëveshje me “Albpetrolin”, për pasojë nuk kishte mundur të siguronte të ardhura të mjaftueshme. “Ne nuk i menaxhojmë dot kontratat me privatin, prandaj do t’ia shesim ndërmarrjen një tjetër privati”, ishte justifikimi i ministrit. Fakti pse arritëm në këtë situatë të rëndë dhe me pasoja për buxhetin e shtetit ishte thjesht paaftësia METE-s dhe ndërhyrjet e saj politike në AKBN.
Në vitet e fundit, shumë nga specialistët më me emër të agjencisë u larguan nga puna, për shkak të presioneve, u shkarkuan pa motivimin dhe për arsye politike, duke u zëvendësuar nga të rinj pa eksperiencë, të cilët sot duhet të përballen me agresivitetin e kompanive lider të naftës, të listuara në bursë. Gazeta “Shqip” ka mësuar faktin se 3-4 specialistë me emër në kërkimin e naftës, që deri dje punonin për AKBN-në, aktualisht po ofrojnë përvojën e tyre në kompanitë e njohura që kanë marrë me koncesione puset e “Albpetrol”, dhe me të cilat ministri i Ekonomisë thotë se e ka të pamundur t’i mbikëqyrë si duhet.
“Nuk ka arritur asnjëherë barazimi i shpenzimeve me të ardhurat. Po marr kompaninë që është dhënë për Patoz-Marinzën, e cila ka investuar rreth 930 milionë dollarë, të ardhurat i ka pasur gati 730 milionë dollarë, pra i duheshin edhe 200 milionë dollarë që të arrinte shifrën”, thotë Naço, duke shtuar se, qeveria nuk e kontrollon dot nëse bilancet janë të rregullta apo abuzive, pasi nuk ka ekspertizë. Po pse shteti arriti në këtë pikë dhe kush jep llogari për abuzimet e “Albpetrol”, e menaxhuar nga ata individë të emëruar nga politika. Natyrisht që nëse AKBN do të kishte punuar me rregullat e forta të lojës, qeveria do të mundësonte arkëtimin e të ardhurave, të cilat në tetë vite i mungojnë.
“Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve, që nuk kemi arritur dot të bëjmë një kontroll të saktë”, deklaroi dy ditë më parë ministri.
Një ditë më pas vjen dhe reagimi i deputetit aktiv të PS-së për fushën e naftës, Erjon Braçe, i cili akuzoi ashpër ministrin se nuk menaxhon si duhet kontratat koncesionare.
“Në kohën e qeverisjes së socialistëve është lidhur vetëm një marrëveshje hidrokarbure nga katër gjithsej dhe jo koncesione afatgjatë për 25 vjet, për 6 vendburime nafte, sikundër është bërë gjatë qeverisjes së demokratëve, që pas vitit 2005”, tha Braçe. Për të dhënë argumente më të detajuara të mënyrës skandaloze të shfrytëzimit të pasurive të naftës, anëtari socialist i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i referohet rastit të kompanisë “Stream Oil”, ku thotë se, “kjo kompani edhe pse ka nisur shfrytëzimin, plani i saj i zhvillimit nuk është miratuar nga asnjë institucion, madje është rrezuar nga oponenca akademike dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore”.
Një tjetër argument i replikës së zotit Braçe lidhet me justifikimin e ministrit të Ekonomisë, se qeveria nuk ka ekspertizë për të kontrolluar kompanitë e naftës, të cilat sot nuk kanë paguar asnjë lekë tatim të ardhura, duke justifikuar kështu edhe shitjen e “Albpetrolit”.
Sakaq, zbardhen dy vendimet e rëndësishme të qeverisë për trajtimin financiar të punonjësve që do të largohen pas privatizimit të 100 për qind të aksioneve dhe forma se si do të shitet kompania. Në vendim thuhet se, punonjësit që dalin të papunë si pasojë e ristrukturimit, gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në çastin e privatizimit të shoqërisë, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë, për një periudhë njëvjeçare, pagesë sipas pagës bruto të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia. Periudha, gjatë së cilës këta punonjës do të marrin pagesën e përcaktuar njihet periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit e atij familjar dhe të barrë-lindjes kundrejt pagesës së kontributit në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror. Përfitojnë nga ky vendim të gjithë punonjësit aktualë të shoqërisë “Albpetrol”, Patos, që kanë qenë të punësuar në këtë shoqëri për një periudhë jo më pak se dy vjet pa ndërprerje, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Gazeta Shqip & TOP Channel, 25.03.2012