info@energjia.al

Enti Rregullator i Energjisë i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për amendime ligjore që synojnë rritjen e pavarësisë së institucionit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.

“Domosdoshmëria e rishikimit nga Parlamenti për statusin  dhe pavarësinë e ERE-s. Për respektimin e direktivës së BE lidhur me një Ent Rregullator të Pavarur është e nevojshme dhe e domosdoshme miratimi nga Kuvendi i dy amendimeve, të cilat do të ndikonin në punën tonë në mënyrë cilësore”,- cilëson ERE në kërkesën ndaj Kuvendit.

Të dy këto amendime janë paraqitur nga një grup deputetësh të të gjithë krahëve politikë, që në muajin prill të vitit 2015, janë diskutuar në Komisionet Parlamentare, janë diskutuar në seancë parlamentare, dhe mbetet vetëm për t’u votuar në Parlament.

“Këtë e kërkojmë sepse miratimi i këtyre dy amendimeve nga Kuvendi përmbush një nga kushtet kryesore  të implementimit të Paketës së Tretë të Energjisë, “Për një Pavarësi Funksionale dhe Financiare të Entit Rregullator të Energjisë”, argumenton ERE.

Enti Rregullator i Energjisë nuk financohet nga buxheti i shtetit, por nga tarifat e rregullimit që merr nga kompanitë e rregulluara, kjo e bën atë më fleksibël në punën e tij, të veçantë në lidhje me institucionet e tjera të pavarura, si dhe shumë specifik dhe me impakt të drejtpërdrejte në ekonomi.

Mosmiratimi i këtyre amendimeve ka penguar në miratimin e strukturës së këtij institucioni, ai vazhdon të funksionojë me strukturën e para 11 viteve, strukturë që i përkiste vetëm sistemit të energjisë elektrike, duke mos pasur asnjë shtesë për Gazin Natyror, shpjegon më tej Enti në kërkesën për Kuvendin.

“Në kushtet aktuale kemi  shtimin në mënyrë intensive të problemeve të Gazit Natyror. Me projektin TAP dhe IAP, jemi vendosur në vështirësi të mëdha në realizimin e detyrave tona, të cilat kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe profesionale. E kemi të domosdoshme ngritjen e Departamentit të Gazit, por që kemi pengesën kryesore, atë të miratimit të strukturës së këtij institucioni. Mosmiratimi i këtyre dy amendimeve në këtë legjislaturë do të ishte një pengesë e madhe dhe serioze në punën tonë, e cila sa vjen dhe shtohet me ritme të larta” , përfundon ERE në argumentet e saj për ndryshimet.

Revista Monitor,  18.04.2017

Një nga ligjet e rëndësishme që u shqyrtua nga komisionet parlamentare ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”, pjesë e së cilës janë edhe përfitimet lokale, që do të bëjë në interes të komunitetit shoqëria TAP.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP AG përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshjeje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e do të miratoheshin nga Greqia”, tha znj. Alimadhe.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele, tha se përfitimet mund të grupohen në tri kategori: “Janë ato përfitime që kanë të bëjnë me amendimet e legjislacionit me efekt fiskal, dhe si të tilla janë përfitime që do të shtrihen gjatë gjithë periudhës kur TAP do funksionojë, pra fillojnë nga ky moment dhe kanë përfitime për gjithë këtë periudhë; janë ato përfitime të karakterit ligjor, ku më i prekshmi përsëri lidhet me pjesën e stabilitetit fiskal, por dhe me atë që është vetë zgjatja e kësaj marrëveshjeje; krahas kësaj, elemente të tjerë të rëndësishëm të kësaj marrëveshjeje kanë të bëjnë me përfitimet direkte për komunitetin, të cilat janë si pagesa direkte për projekte komunitare. Nëse do t’i kuantifikonim këto benefite, mund të themi që në total, duke përfshirë edhe efektin afatgjatë të lehtësisë fiskale dhe të ndryshimeve me efekt fiskal, arrijmë në një marzh i cili është afërsisht 90 milionë dollarë”, tha Bele.

Sipas tij, Shqipëria është e angazhuar që të rrisë përfitimet e saj nga ky projekt. Kjo lidhet me ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për gazifikimin dhe shfrytëzimin e gazit nga industria.

Revista Monitor,  12.04.2017

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja ishte sot i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e  Njeriut, ku prezantoi para deputetëve të pranishëm projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit midis Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline ag lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

Z.Bejtja shpjegoi para të pranishmëve qëllimin e këtij projektligji, si dhe objektivat që synohen  të arrihen. Ai u shpreh se ky projektligj propozohet me qëllim ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 86, datë 8.2.2017 dhe është nënshkruar nga palët më datë 1.3.2017. Kuvendi me anë të ligjit nr. 116/2013, ka ratifikuar Marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik . Projekti TAP është parashikuar të kalojë në territorin e tre shteteve dhe në këtë kuptim, marrëveshja me qeverinë e vendit pritës parashikohej të miratohej me secilën nga shtetet pritëse (Shqipëri, Greqi dhe Itali nëse do të ketë)”, u shpreh Zëvendës Ministri.

Duke sqaruar përparësitë, problematikat, si dhe efektet e pritshme të këtij projektvendimi Z.Bejtja nënvizoi se komponent i përfitimeve nga implementimi i këtij projekti të rëndësishëm janë edhe përfitimet lokale, që përfaqësohen nga investimet që do të bëjë në interes të komunitetit lokal shoqëria TAP dhe përfitimet për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP ag, përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e miratoheshin nga Greqia, në një kohë më të vonë, palët, pra Republika e Shqipërisë e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Shoqëria TAP a.g nënshkruan Marrëveshjen Krahasuese (Referuese) ose Benchmarking Agreement, e ratifikuar me ligjin 116/2013, ku në pikën 2 të saj u përcaktua që nëse marrëveshja me shtetin grek do të kishte parashikime që i siguronin Greqisë tarifa apo nivele tatimesh më të larta (me kusht që të mos jenë parashikuar si të tilla në legjislacionin e tyre të brendshëm), MQP të mund të ndryshohet nga palët, me qëllim përafrimin e saj me MQP-në e Greqisë për sa u përket çështjeve specifike financiare dhe tatimore në përputhje me parashikimet e Marrëveshjes Referuese”, sqaroi më tutje ai.

Z.Bejtja tha se parashikohet që menjëherë pas datës së nënshkrimit të Marrëveshjes Krahasuese, palët do të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë bashkëpunuese për hartimin e plotë të Marrëveshjes së Angazhimit për Zhvillimin e Tregjeve të Gazit dhe Marrëveshjes për përfitimet vendase.

energjia.al  11.04.2017

Marrëveshja e rishikuar e vendit pritës mes Shqipërisë dhe projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline pritet të marrë miratimin e Kuvendit për të nisur nga zbatimi.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të TAP për:

– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;

– Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;

– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;

-Memorandumin e Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.

Në vitin 2012, qeveria shqiptare e asaj kohe hyri në bisedime me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (projektin) duke supozuar se mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë do të lidhej dhe nënshkruhej një marrëveshje me qeveritë e vendeve pritëse, e cila më pas do të depozitohej pranë parlamenteve përkatës për ratifikim.

Ndërsa në prill 2013, Parlamenti shqiptar nënshkroi Marrëveshjen Krahasuese.

Më pas, në dhjetor të 2013-s, edhe Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Vendit Pritës.

Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të gjitha shtetet pasi përmes saj përcaktohen përfitimet dhe detyrimet nga ky projekt, i cili do të ndikojë jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende nga ku kalon më shumë ky projekt.

Ndërkaq aksionerja spanjolle, Enagas, e cila është edhe një nga aksionerët (16%) ka parashikuar që të investojë rreth 1.4 miliardë euro deri në vitin 2020.

Po kështu, vetëm pak ditë më parë ka qenë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila zhvilloi edhe në Tiranë takime të nivelit të lartë me përfaqësues të projektit TAP, ku u bisedua angazhimi i bankës për të kredituar projektin. Në total parashikohet që BERZH të investojë rreth 1.5 miliardë euro, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga ky institucion financiar.

Revista Monitor,  04.04.2017

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 93 vota për dhe as një kundër kanë miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri në Fushën e energjetikes.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke prezantuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST dhe KOSTT-it, ka thënë se me këtë do të rritet siguria në energjinë elektrike.

Ai tha se ky projektligj përkufizon saktë bashkëpunimin në mes qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ku objektivi kryesor është krijimi i zonës rregulluese dhe integrimi në mekanizmin regjional, i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare, duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike.

“Me këtë pritet të rritet siguria e energjisë elektrike në përmbushjen e direktivave të BE-së”, tha Stavileci.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë se komisioni e ka shqyrtuar ketë marrëveshje dhe i rekomandon Kuvendit që të miratojë, e cila i kontribuon stabilizimit të dyja sistemeve energjetike si dhe rrit edhe furnizimin me energji elektrike.

Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve duhet të marrin masa që Serbia mos ta pengojë KOSTT-in.

Telegrafi,  31.03.2017

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri gjatë seancës së sotme parlamentare:

Sapo dëgjuam poezinë e radhës për Zharrëzën, nga njeriu që Zharrëzën nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë edhe vite më parë kur problemi ka qenë prezent. Fatkeqësisht, kur erdhe këtu me poezinë tënde mund të kishe gjetur një rresht diku që të paktën të thoje një fjalë të mirë për këtë qeveri. Ti na dole një delirant, delirant i fjalës së lirë apo i interesave popullore të Zharrëzës, duke bërë lidhje fallco dhe duke e nxjerrë në pah që ajo protestë u instrumentalizua politikisht dhe synonte të linte në hije atë që në fakt po bënte qeveria shqiptare prej dy muajsh. Disa të vërteta duhen thënë. Fatkeqësisht, edhe media shpesh dominohet nga tendenca populiste kundër çdo gjëje të mirë që mund të bëhet në këtë vend. Problemi i Zharrëzës është shumë më i thellë, problemi ka filluar 10 vite më parë kur njerëzit protestonin dhe ziheshin me dru nga policia. Asnjë masë qeveria e asaj kohe nuk kishte marrë. Përkundrazi, as në media nuk dilte problemi. Madje, deputetë tanë janë tërhequr zvarrë kur kanë qenë bashkë me banorët për të protestuar apo për të ngritur shqetësimin dhe asnjë njeri nuk e ngriti zërin.

Kjo qeveri që në vitin 2013 e mori seriozisht këtë problem dhe gjëja e parë që bëmë vumë sizmografët. Instituti i Gjeoshkencave është një institut shkencor dhe i vetmi përgjegjës që mund të nxjerrë ndonjë lidhje shkak-pasojë pasi ky është problem shkencor, nuk është çështje poezie. Këto janë fenomene shkencore që duan kohë të hetohen, nuk janë nga ato zgjidhje që jepen kështu duke pirë kafe në tavolinë. Këtij instituti i mungonin sizmografët për të monitoruar zonën e Zharrëzës. Pikërisht për shkak të presionit tone, edhe duke detyruar Bankersin meqë ti e ke merak, bëmë që të bliheshin sizmografët dhe që të monitorohej në mënyrë më të imtë zona.

U mor masa e dytë, kompania italiane SNAPE e cila injektonte fluide me presion në puse. Nafta jonë është një naftë e rëndë, e cila nxirret bashkë me një pjesë të ujit dhe uji teknologjik duhet futur diku, është një pus i thellë që shpohet dhe futet me presion aty. Mendohet që ky fenomen mund të ketë lidhje shkak-pasojë me lëkundjet. Edhe instituti ynë, pas matjeve të shumta dhe kur tërmetet u rikthyen me intensitet në periudhën e Dhjetorit të vitit 2016 veproi menjëherë.

Qeveria pezulloi injektimin e ujit teknologjik i cili ka edhe një faturë ekonomike, që ta dinë shqiptarët se janë 20 milion dollarë në vit që i mungojnë ekonomisë kombëtare. Gjithësesi detyra e parë e qeverisë është të prandalojë çdo lloj pasoje të rëndë për banorët dhe ne ndaj e ndaluam injektimin. Qeveria duhet të dalë në konkluzione shkencore se nuk janë çështje që zgjidhen me poezi këto.  Fjalë të bukura mund të thotë gjithësecili, dikush lexon më shumë, ty mbase ta ka dhënë natyra talent të shkruash por problemi është që do të marrësh vendime, do qeverisësh. Do marrësh edhe interesin ekonomik por do e fusësh në llogari edhe interesin publik të njerëzve. Ekonominë duhet ta zhvillosh por njëkohësisht duhet të ruash edhe shëndetin e njerëzve dhe të gjithë komunitetit aty. Kështuqë nuk janë vendime të thjeshta. E megjithatë, për të parandaluar çdo lloj pasoje ne morëm një vendim që pezulluam injektimin e ujit.

Ndërkohë, me urdhër të Kryeministrit, po atë ditë u ngrit një grup pune me specialistë nga Instituti i Gjeoshkencës, specialistë të naftës edhe specialistë të tjerë në fusha të tjera të emergjencës civile për të investiguar paraprakisht dhe për të nxjerrë konkluzione se çfarë lidhje ka ky fenomen, pra fenomenet e industrisë hidrokarbure me tërmetet. Arritëm në konkluzione paraprake që mund të ketë lidhje por nuk është konkluzion përfundimtar. Është fenomen shkencor i cili do vite monitorime, do edhe sizmografë shtesë të cilët ne do ti marrim dhe do ta monitorojmë më në thellësi zonën për të nxjerrë konkluzionet e sakta nëse do të dalë lidhja shkak-pasojë ndërmjet industrisë hidrokarbure dhe fenomenit të tërmeteve sepse tërmete aty edhe sot që flasim ka vazhdimisht. Për ta ditur, ajo është zonë e njohur sizmike ku pllakat tektonike kanë bashkimin me njëra-tjetrën dhe vazhdimisht ka tërmet. Na duhet një shpjegim shterues dhe për të kuptuar se çdo të bëjmë përfundimisht me atë komunitet. Edhe çfarë ngarkese do të ketë kompania edhe çfarë do të bëhet me industrinë e naftës. Ashtu siç kanë bërë vende të tjera të përgjegjshme, ky fenomen duhet studiuar për të dalë në konkluzionet nëse ka lidhje aktiviteti hidrokarbur me fenomenet e tërmeteve. Konkluzioni thashë është paraprak.

Asnjë shtet nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe idioteske dhe të marrim masa të menjëhershme. Përkundrazi! Meqenëse e përmende vendimin dhe që duhet ta kishe përshëndetur, po të lexosh në vendim, pjesa e dëmshpërblimeve, e atyre 70 shtëpive që janë dëmtuar rëndë, gjysma përballohet nga qeveria dhe gjysma nga Bankers. Faji akoma nuk është përcaktuar përfundimisht dhe do ekspertizën ndërkombëtare që ne e kemi marrë. Sa për ta ditur shqiptarët, që në momentin që doli fenomeni dhe kur filluam pezullimin e operacioneve hidrokarbure në atë zone, përzgjodhëm 5 institute ndërkombëtare për të përzgjedhur një prej tyre. Zgjodhem Institutin Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë që të sjellë ekspertët e tij për të investiguar fenomenin e operacioneve hidrokarbure, pra të kësaj teknologjie me lëkundjet e tokës, për të dalë me një konkluzion përfundimtar.

Nëse del në mënyrë shteruese, megjithëse ne besojmë se mund të ketë lidhje, pra nëse del që kjo ka lidhje patjetër që ne duhet të marrim masa konkrete. Masa të cilat mund të jenë ose reduktim të aktivitetit hidrokarbur në atë zonë ose ndryshim të çdo lloj aspekti teknologjik që mund të ketë lidhje me lëkundjet e tokës ose mbase edhe zhvendosje të banorëve kundrejt një kompensimi të drejtë që patjetër të gjitha këto shpenzime do ti paguajë kompania. Kjo është e shkruar qartë në marrëveshjen hidrokarbure dhe patjetër shteti do ta zbatojë këtë. Por, nuk mund të flitet këtu në mënyrë populiste dhe të dalësh e të hedhësh akuza të tilla pa parë se çfarë punë e mirë është bërë për të realizuar edhe këtë që kemi realizuar. Mbi të gjitha, qeveria tregoi përgjegjshmëri për të ndërprerë çdo lloj aktiviteti edhe me kosto ekonomike, në mënyrë që të parandalohej çdo lloj pasoje.

E dyta, të merremi pak me grevën, aspekte të grevës, se ju vetëm doni të mohoni se çfarë është bërë në këto 3 vite për një fenomen që thashë ka vite që ekziston dhe asnjë nuk ka guxuar të flasë madje njerëzit zhdëpeshin në dru dhe nuk i jepej një përgjigje. Ajo grevë, me një pjesë të tyre u manipulua. U financua nga një organizatë që drejtuesit e asaj organizate kanë qenë edhe drejtues të institucioneve që mbikëqyrnin naftën dikur. Njerëz që në atë kohë kur ishin tërmetet nuk e ngritën njëherë zërin. Përkundrazi, morën 7 veta peng sepse 400 banorë të tjerë nuk ju bashkuan atyre por plotësuan formularët e po bashkëpunonin me grupet e monitorimit për dëmshpërblimet. Pse nuk ia shtruat vetes pyetjen, ku ishin 400 banorë të tjerë? Përse 400 banorë të tjerë tek zyra e kryebashkiakes së Patozit po plotësonin formularët dhe po bashkëpunonin me grupet të cilët po monitoronin dëmtimet për të marrë shpërblimin?! Kush është e vërteta? 7 njerëz të manipuluar, të mbështetur edhe nga njerëz që duan të gjejnë kauzë politike, se ti nuk ke kauzë, ti je tipik njeriu që Zharrëzën nuk e dije megjithëse këto fenomene kanë qenë që më pare. Nuk të kam dëgjuar njëherë të flasësh atëherë në opozitë, meqenëse flet si opozitë tani por asnjëherë nuk e ngrite zërin. Përkundrazi, të doli një temë për të kapitalizuar dhe njerëzit që janë tipik populistë e nuk kanë dijeni nga shteti, marrin tema të ndryshme, bëjnë atë rokokonë e tyre për të qenë interesant tek njerëzit. Çdo njeri e bën atë.

Përkundrazi banorët e tjerë nuk u ngritën për këtë proces por besuan tek masat e qeverisë, bashkëpunuan me qeverinë dhe po prisnin daljen e vendimeve. Vendimet e qeverisë dalin pas konkluzioneve paraprake, nuk janë vendimet e qeverisë si ato ëndrrat që të vijnë në kokë, as si ide. Vendimi i qeverisë do një strukturë, do të dhëna paraprake, do konkluzione, do edhe faturë. Pikërisht këtë bëmë ne por 7 njerëz të manipuluar politikisht dhe të mbështetur edhe nga organizata jo qeveritare me financim për ti bërë presion qeverisë pasi ky është një plan më i thellë. Plani ishte të bllokoheshin institucionet shqiptare por qeveria patjetër reagoi në kohë sepse ishte në proces të punës së saj. Plani ishte për të mbledhur çdo plagë sociale që janë normale për një vend, në çdo vend demokratik ka plagë sociale. Synohej për të mbledhur grupe, për të bërë presion ndaj çdo ministrie të qeverisë shqiptare në mënyrë që të bllokohej puna. Dhe ky është plani i vërtetë. Këtë duan njerëz si ty apo opozitë si ata që janë në çadër, që çdo lloj pakënaqësie sado e vogël të jetë të mbledhë një grup dhe në formë presioni të gjunjëzojë qeverinë. Nuk qeveriset shteti kështu, as me njerëz si ty që thjesht bëjnë poezi këtu. Prandaj, minimalisht kur dole këtu duhet të kishe thënë se qeveria reagoi në kohë për herë të parë për një fenomen që ka 10 vjet.

Ti flet për sistemin hidrokarbur por nëse ne do të ishim të blerë nga Bankersi meqë thua kështu, a nuk ishim ne që në vitin 2014 ngritëm disa taksa të holluesit dhe të gjithë proceseve të tjera teknologjike që përdoren nga Bankersi dhe që praktikisht i sollën Buxhetit të Shtetit 40 milion dollarë më shumë çdo vit?! Po të ishim ne të blerë nga Bankersi, pse do të bënim audit ne dhe do të shkonim në arbitrazh ndërkombëtar duke e ngarkuar Bankersin me qindra milionë dollarë, duke pretenduar shpenzime të fryra në mënyrë që të evadoheshin taksat, tatim fitimi mbi shtetin shqiptar?! Sot që flasim, vetëm për vitin 2011, Bankers ka paguar 37 milion dollarë më shumë të cilat kanë vajtur në Buxhetin e Shtetit. Kjo qeveri ka treguar përgjegjshmëri. Qeveria nuk mund të bjerë pre e frymës populiste të njerëzve që janë të papërgjegjshëm, që meqenëse ka një tendencë anti-kapitaliste apo njerëz që vjen dikush dhe thotë ta sulmojmë industrinë sepse i tillë je dhe ti. O burra ti turremi kompanive ne me gjoba ti mbyllim, apo siç thoshte diku ta mbyllim fare naftën. Me llafe, se ke ti në dorë ta mbyllësh, as ne me dëshirat tona. Ajo do një qasje shumë të strukturuar që do të vijë, e thashë mbas konkluzioneve që do të dalin nga puna shkencore, jo nga vargje poetike që thuhen këtu në parlament. Puna shkencore është punë shkencore. Do djersë puna, do ulesh aty do bisedosh edhe me shkencëtar, do shohësh edhe anën ekonomike të çështjes, do shohësh edhe anën mjedisore dhe do të dalësh në konkluzion. Kështu bëhet shteti. Po është kollaj kështu të vish tek mikrofoni, shkruan aty, pi një gotë verë në darkë, madje edhe me njerëz që mund të jenë edhe ata kapitalistë se me ata rri dhe ti. Rri me elitën e Tiranës, merr ndonjë ide aty dhe vjen do ti bie unë atyre. Jo Blush, po ta them miqësisht se unë nuk dua të hy në replika personale. Që të kesh mbështetje të vërtet dhe nëse mendon se ndonjëherë do të bëhesh shtetar duhet të flasësh objektivisht. Të pranosh edhe atë që është bërë mirë, por patjetër edhe të na kritikosh për ato që nuk janë bërë mirë. Ky vendim ka pjesën e pranimit të asaj të mire që ti duhet ta bëje, jo ta bëje si poezi se ajo nuk të del nga shpirti, por pesë fjalë të mira mund ti kishe thënë për një gjë që nuk është bërë.

Së fundi, për sektorin hidrokarbur dhe për t’ia thënë qytetarëve në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri, mendohet që kompanitë e naftës janë kompani që evadojnë, kanë shpenzime të fryra. Që kanë dobësi institucionet tona këtë nuk e mohojmë. Por, të paktën përpjekjet tona gjatë gjithë këtyre viteve janë shumë serioze. Mbi të gjitha, një shembull tjetër i qartë është modeli i ri i kontratave që po promovojmë. SHELL është kompania e dytë më e madhe në botë dhe e detyruam që me kontratën që po nënshkruan me qeverinë shqiptare, shteti që në fuqinë e parë përveç rentës do marrë edhe fitim. Pra, do ti njihen kostot hidrokarbure vetëm deri në 90% dhe në pjesën e mbetur, që në fuçinë e parë 5% shkojnë për shtetin e 5% për kompaninë. Kjo është një arritje e madhe e që normalisht meriton vlerësim. Këtë e bën vetëm një qeveri që nuk mund të jetë e kapur nga industria naftës, përkundrazi është një qeveri që e sheh industrinë e naftës si partner. E sheh si partner por edhe me syhapur për të qenë vigjilent që ato shpenzime të fryra, për shkak të modelit të keq të trashëguar që ne kemi, të mos i lejojmë të evadojnë por njëkohësisht të shkojnë më shumë para për Buxhetin e Shtetit.

Duhet pohuar që ne kemi hequr edhe koncesione abuzive. Kontrata e 2007 e 2008, ku e ke Stream Oil?! Qeveria e mori mbrapsht atë fushë. Pse?  Dështoi koncesionari. Bankers ka 100 mëkate dhe nuk diskutohet që ai është një proces, por duhet thënë që ka performuar nga ana industriale. Pra, e ka rritur prodhimin dhe e ka respektuar të gjithë pjesën e investimeve. Ku janë kompanitë e tjera?! Grupe njerëzisht që e zhvatën naftën!! Qeveria shqiptare i ktheu ato fusha në dobi të shtetit dhe do të shikojmë mënyrën më të mirë sesi do të operojmë, qoftë duke mbajtur Albpetrolin, por qoftë dhe në perspektivë për ti dhënë kompanive të cilat do performojnë. Këto janë aktet e vërteta të qeverisë. Qeveritë maten me vepra, jo me fjalë si puna jote. Ti thjesht bën romane, ti shkruan libër KM, ëndërron të jesh kryeministër e bën libra për të. E kupton?! Ti e sheh shtetin si poezi, qeverisja është prozë. Thonë se opozita është poezi, qeverisja është prozë. Tek ty është e kundërta. Tek pjesa e qeverisë s’ke lidhje fare me prozën, ti do të mbetesh gjithmonë poezi e bukur. Kaq!

Faleminderit!

energjia.al  03.03.2017

U prezantua dje para katër komisioneve parlamentare, Komisionit për Ekonominë dhe Financat,  Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si dhe Komisionit për Politikën e Jashtme projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2010, për projektin “linja e transmisionit 400 kv Shqipëri – Maqedoni ”.

Para deputetëve të pranishëm Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja tha se ky projektligj i jep mundësi Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të marrë për projektin “Linja e transmisionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni”, një hua me kushte të favorshme nga KfW, me vleftë deri në 30.000.000 Euro. Ky projekt, nënvizoi zv.Ministri, si pjesë e korridorit Lindje-Perëndim, do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve të energjisë së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë dhe do të përmirësojë lidhjen e sistemit shqiptar të energjisë me rajonin.

“Projekti “Linja e Interkoneksionit 400 kV Fier – Elbasan (Shqipëri) – Manastir (Bitola) Maqedoni, përfshin: Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir (Bitola) afërsisht 151 km, 56 km në territorin Shqiptar; Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2; Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier; Zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit”, u shpreh z.Bejtja.

Ndërsa nga pikëpamja strategjike, Zëvendës Ministri theksoi se projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon. “Zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë, ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë”.

Z.Bejtja sqaroi edhe se ku projekti do të ketë impakt të rëndësishëm. “Krijimin e mundësive tregtare për shkëmbime ekonomike të energjisë elektrike nëpërmjet vendeve të rajonit; Ndarjen e rezervës së kapaciteteve që do të kontribuojë në një siguri më të madhe të funksionimit të Sistemeve Elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Maqedonisë; Suportin reciprok në raste emergjente; Shfrytëzimin optimal të burimeve të rajonit që rezultojnë me kosto më të ulët të energjisë elektrike; Reduktimin e kostos së gjenerimit të energjisë elektrike; Përmirësimin e standardeve të përgjithshme, besueshmërisë, cilësisë dhe efikasitetit të sistemit të transmetimit në zonën jugore të Shqipërisë; Krijimin e kushteve për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën Fier – Vlorë me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë); Inkurajimin e zhvillimit ekonomik të rajonit Jugor të Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike; Reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit”, përfundoi fjalën e tij Zëvendës Ministri.

energjia.al  18.01.2017

Në Kryesinë e Kuvendit është ndërprerë energjia elektrike për disa minuta.

Nuk dihet shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike, por raportohet se ka mungëse të energjisë edhe në disa zona të tjera të Tiranës.

Në Kyresinë e Kuvendit janë duke zhvilluar punimet disa komisione parlamentare.

Ora News,  05.12.2016

Situata e emergjencës së krijuar në vend si pasojë e reshjeve të shumta ka përplasur palët në Kuvend.

Gjatë seancës plenare, deputeti Edmond Spaho akuzoi qeverinë për mënyrën sesi ka reaguar për përballimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet, çka solli edhe kundërreagimin e ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri.

Scan TV,  11.11.2016

Pas debateve të forta paradite, pjesa e dytë e Kuvendit kaloi pa tensione. Opozita edhe këtë të enjte nuk mori pjesë në votim ndërsa maxhoranca miratoi e vetme ligjet.

Kaluan me 72 vota ligji për energjinë e rinovueshme që detyron ndërtuesit të garantojnë izolimin termik të ndërtesave që në karabina, dhe ligjin për modernizimin e asistencës sociale.

Ndërsa zyra rajonale e bashkëpunimit rinor, një projekt i dakordësuar gjatë takimit të kryeministrit shqiptar në Vjenë me kancelaren Merkel dhe drejtuesit e vendeve të Ballkanit u miratua me 71 vota.

Shqiptarja.com  11.11.2016