info@energjia.al

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në një takim një delegacion të investitorëve nga Gjermania, kryesuar nga Hans Jurgen Muller, Kryetar i Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare, i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu.

Me këtë rast Ministri Lluka, ka njoftuar të pranishmit për sektorët që mbulon MZHE, respektivisht edhe projektet që do të realizohen.

Ministri Lluka, po ashtu ka prezantuar para investitorëve mundësitë e investimeve në Kosovë, duke u fokusuar në katër fusha; Energjinë, Energjinë e Ripërtëritshme dhe Efiçiencën e Energjisë, Minierat me fokus të veçantë Trepçën, sektorin e TIK-ut me fokus infratrukturën si dhe proceset e Ndërmarrjeve Publike në vend.

Gjithashtu, Ministri Lluka, prezantoi planet e tij për rritje të transparencës në proceset e marrjeve të licencave për energji të ripërtëritshme, duke prezantuar konceptin në formë të ankandeve të hapura, ku investitorët marrin pjesë në formë transparente.

Nga ana tjetër Kreu i Odës Gjermano-Shqiptare Hans Jurgen Muller, ka përgëzuar Ministrin Luka për angazhimet e tij në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar transparencën që ministri Lluka po promovon.

Ndryshe, dyja palët janë dakorduar që pas krijimit të Qeverisë së re Gjermane të organizohet një Konferencë për investitorë për energji dhe miniera në mes të dyja shteteve.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  13.11.2017

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme Projektligjin “për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Gjermanisë për projektin ‘programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjitike, faza II’”.

Projektligji është miratimi i pjesës së dytë të grantit të dhënë nga qeveria e Gjermanisë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Pjesa e parë e financimit është miratuar më herët nga Kuvendi dhe ishte në shumën 4.5 milion Euro ndërsa projektligji i miratuar sot shton edhe 2 milion euro të tjera.  Të dyja grantet kanë për synim që të financojnë në shumën 6.5 milion euro projektin e rehabilitimit të konvikteve të Qytetit Studenti, i cili ende nuk ka filluar implementimin.

Financimet që akordohen nga Qeveria gjermane konkretizohen nëpërmjet lidhjes fillimisht të marrëveshjeve ndërqeveritare dhe më pas me lidhjen dhe bërjen efektive, pasi fondet bëhen aktive fillon zbatimi i projektit.

Përmes një tjetër marrëveshjeje të mëparshme, po me grant të palës gjermane prej 5.2 milion eurosh ka filluar dhe po kryhet rehabilitimi i konvikteve të Qytetit Studenti Nr.2, ose siç njihen ndryshe konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit. Punimet në këto godina tashmë janë në fazën intensive të tyre.

Rehabilitimi do të bëhet në përputhje me përcaktimet e reja të ligjit “për performancën e energjisë në ndërtesa”. Synohet rehabilitimi në funksion të rritjes së efiçencës së energjisë dhe kushtet e konfortit të studentëve sipas kërkesave minimale të performancës së energjisë.

Rehabilitimi përfshin rinovimin e instalimeve sanitare, rinovimin e pajisjeve elektrike, sistemin e ngrohjes, ftohjes, ventilimit, prodhimit të ujit të ngrohtë sanitar, masat e sigurisë, lavanderi me operim monedhash, dhoma të përbashkëta studimi etj, në mënyrë që të përmirësohet jetesa dhe mjedisi i të mësuarit për studentët. Reduktimi i konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kWh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.

Fjala në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri:

I nderuar kryetar,

Të nderuar deputetë,

Këtu hidhen akuza në mënyrë absurde. Pavarësisht se thoni se do ta miratoni marrëveshjen aludoni se do u vidhkan fonde të cilat i ka akorduar qeveria gjermane dhe që aktualisht janë nën supervizionimin e plotë të bankës kfW. Së pari po ju sqaroj se këto para të dhëna nga qeveria gjermane janë në formë granti dhe për efekt të viteve fiskale nga pala tjetër financimi është ndarë në dy faza. E para ishte ajo prej 4.5 milion eurosh e cila tashmë është miratuar nga Parlamenti dhe vjen ky financim shtesë prej 2 milion eurosh të tjera po grant. Janë mbi 6 milion euro pra të dhëna falas dhe mos keni merak të mbroni ju paratë e dhëna nga kfW gjermane sepse i mbron ajo vet. Do të ishte më normale që këtu të përshëndetej kjo marrëveshje. Sa për ta ditur ju, sot ne jemi duke implementuar një tjetër projekt me kfW në qytetin “Studenti nr.2” siç njihet ndryshe pjesa e konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit. Po të shikoni, aty po rikonstruktohet e gjithë godina me parimin e eficiencës energjitike dhe po investohen tashmë 5.2 milion euro.

Në total janë 12 milionë euro të dhëna falas nga qeveria gjermane për eficiencën energjetike. Meqenëse edhe ju vet e thatë se Shqipëria ka nevojë për diversifikim energjetik, një nga elementët e diversifikimit është edhe ulja e konsumit, eficienca energjetike. Ne, këtë po e bëjmë me projektet publike, pra me godinat publike, me zyra shteti apo dhe me godinat e studentëve për të kursyer deri në 60% të përdorimit të energjisë elektrike me metodat moderne. Këto janë format që ka e gjithë bota. Patjetër ka nevojë dhe për diversifikim tjetër, por pikërisht për shkak të besimit që kanë krijuar në këtë qeveri dhe projekteve që kemi paraqitur na janë dhënë 12 milion euro falas. Këtë duhet ta përshëndesni, kjo është meritë e kësaj qeverie që ka bindur qeverinë gjermane me projekte për të investuar. Mos kini merak, patjetër audit do të ketë. Mos kini asnjë shqetësim sepse kfW-ja është gardiane e parasë së saj më shumë sesa ju këtu. Mos u shqetësoni fare në atë drejtim, mund ti drejtoheni edhe Ambasadës gjermane për informacione të mëtejshme.

Dua ti siguroj qytetarët shqiptarë se kjo është një iniciativë që do të vazhdojë. Ne kemi si synim që duke zbatuar legjislacionin e eficiencës në energji, të kemi mundësi të kursejmë më shumë energji në përdorim në godinat, kryesisht publike, pse jo nesër edhe private. Ka edhe një fond tjetër i cili është kontraktuar nga qeveria gjermane dhe që jepet si mikrokredi, mbështetje për të gjitha projektet e eficiencës energjetike dhe mund të aplikojnë shumë investitorë të ndryshëm.

Nga ana tjetër, meqenëse nuk pata rastin të flas për aktin normativ, këtu u hodhën lloj-lloj akuzash nga më absurdet ndaj dua të sqaroj disa momente. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste me të drejtë u shpreh: ‘Në vend që të thoni që shyqyr që po furnizojmë vendin me energji elektrike, ngriheni këtu dhe thoni absurditete të tilla’. Dua t’ju kujtoj disa gjëra. Patjetër, kur ka krizë hidrike ka mungesë të prodhimit të energjisë elektrike pasi dihet se Shqipëria është e varur nga uji. Për këtë nuk jemi të lumtur dhe patjetër po përpiqemi për të diversifikuar burimet e energjisë. Po fillojmë programet e investimit për fotovoltaikët apo dhe në mënyrë të kufizuar në erë. Kjo nuk është çështje dëshire siç erdhi njëri këtu e thotë ‘o sa e mire, e paska bota, pse nuk e bëjmë këtu’.

Problemi është që këto duan financim. Jeni të gatshëm ju të rrisim tarifat e energjisë që të shtojmë diversifikimin e burimeve të energjetikës?! Nuk jeni të gatshëm! Sepse të gjithë do ta ktheni në një çështje populiste politike. Një kolegu im i nderuar përmendi më parë edhe rastin e Gjermanisë. Ato janë subvencione që vijnë nga shteti nëpërmjet pagesave të konsumatorëve të energjisë elektrike. Tarifa jonë aq mban! Në këto kushte të vështira, ne kemi bërë çmos që të nxisim investimet në fushën e energjisë elektrike. E kam thënë dhe më parë, po e them sërish sepse këto investime paguhen nga konsumatori shqiptar. Nuk janë investime që i bën dikush dhe pastaj ekonomia vjen vet. Jo! Përkundrazi, të gjitha janë të përfshira në tarifën e energjisë.

Kur ka krizë energjetike, akti normativ ka qenë përgjigjja e vazhdueshme e çdo qeverie. Harruat ju që në vitin 2012 keni marrë 100 milion euro me akt normativ, nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri?! Janë disa vendime të qeverisë dhe akte normative përkatëse që e detyruan për shkak të krizës energjetike, thatësirës, por edhe për shkak të falimentimit të kompanisë CEZ, ajo martesë që ju e bëtë dhe e dini mirë si shkoi! Çfarë bëtë?! Morët para, ekspozuat Buxhetin e Shtetit, dhatë para direkte për importet e energjisë elektrike. Kurse në rastin tonë, çfarë po bëhet? Po del garant shteti. Po jep garanci, nuk po jep para direkte. Po jep garanci për të shfrytëzuar tashmë kredinë e Bankës Botërore dhe duke ruajtur parametra të qëndrueshëm financiarë, jo duke rrënuar Buxhetin e Shtetit, siç ka ndodhur më parë.

Ju duhet të kuptoni që gjatë këtyre viteve sektori elektroenergjetik ka sjellë në Buxhetin e Shtetit 300 milion euro kontribute fiskale, TVSH dhe kontribute të tjera. Kjo për shkak të mirëadministrimit sepse volumi i taksueshëm është rritur, do të thotë energjia është faturuar më shumë, humbjet janë ulur dhe kjo solli që u përballuan importet, kryesisht nga fondet e kompanive. A është e vërtetë që ka nevojë për zgjidhje për më tutje? Patjetër, për këtë po punojmë. Hajde të gjejmë zgjidhje më të pranueshme.

Në kushte të vështira hidrologjike, ajo që bëmë është se siguruam furnizimin me energji për qytetarët shqiptarë dhe nuk kërrusëm Buxhetin e Shtetit, përkundrazi dhamë garancitë e nevojshme që furnizimi me energji të vazhdonte. Mjafton t’ju kujtoj si e keni shfrytëzuar ju kaskadën në momentet e krizës energjetike, janë dy fakte që duhet ti dinë shqiptarët. Po marr vitin 2007 që ka qenë krizë e ngjashme energjetike për shkak të thatësirës. Vetëm nga përdorimi irracional i kaskadës janë humbur 25 milion euro. Pse? U përdor Kaskada e Drinit edhe nën nivelet që lejon rregullorja. Çfarë bënë? Harxhuan më shumë energji për të prodhuar sesa për të marrë. Pse? Sepse përdorimi në nivel të ulët i Kasadës sillte prodhim të ulët të energjisë elektrike. Pra, për të njëjtat kuota kanë në atë kohë u humbën 30 milion euro energji. Ky është administrimi që ju bë në rastet e krizës tuaj! Po çfarë t’ju krahasoj? Të krahasoj elementin tjetër, se sa herë ndërpritej energjia elektrike kur kishte thatësirë? Në vitin 2007, vitin që përmenda se kishte të njëjtën thatësirë, ishin 3.4 orë në ditë mungesë energjie elektrike.

Mund të më thotë ndonjëri, ka pasur ndonjë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të furnizimit këtë vit? S’ka pasur. Është tjetër gjë defektet. Pra, do të thotë që edhe në këto kushte të vështira të prodhimit nga burimet hidrike, energjia është siguruar 100% dhe defektet kanë qenë shumë të vogla. Njëkohësisht Buxhetit të Shtetit nuk i është rënë shumë në qafë, sa mund të kërrusej siç ndodhi në vitin 2013 që vetëm nga borxhet e energjisë u rrit deficiti në përmasa të jashtëzakonshme. U rrit borxhi publik 7% më shumë vetëm nga kriza në sektorin elektroenergjetik. Ata që duan të japin mendim këtu apo të thonë se Shqipëria ka nevojë të diversifikohet, le të hyjnë e ti analizojnë mirë shifrat.

Rruga drejt reformës dhe rimëkëmbjes energjetike është rrugë e gjatë, nuk është rrugë me lule. Nuk është rrugë që arrihet përnjëherë. E rëndësishme është që të kemi progres vjetor. Patjetër që edhe kjo krizë do të kalojë dhe uljet e humbjeve do të jenë më të mëdha. Ne do të mendojmë edhe për instrumente më garantues, në mënyrë që sa herë të kemi kriza energjetike të kemi aftësi më të mëdha për ti përballuar duke shtuar burimet e tjera të energjisë, përfshirë edhe vënien në punë në të ardhmen të Termocentralit të Vlorës.

Të paktën për dinjitetin e intelektit tuaj, kur dilni këtu, flisni gjëra të sakta. Ka shumë mundësi të bëhet kritikë ndaj qeverisë. Qeveria mund të ketë dobësi si çdo qeveri në botë, por e rëndësishme është që ajo që thua të qëndrojë. Jo të të japin një hartim politik aty, se bëheni absurd dhe njerëzit fillojnë e ti kuptojnë. Është më normale që ti saktësoni shifrat, mos flisni si parafolësi e dikush tjetër që tha ka 100 milion euro të papaguara fatura ndaj kontraktorëve. Nuk janë fare gjëra të tilla sepse pasqyrat financiare të Operatorit të Shpërndarjes, të KESH-it dhe të OST-së çertifikohen nga kompani ndërkombëtare. Për shkak të programit që kemi me Bankën Botërore, kemi detyrim të certifikohen nga auditorë të huaj. Ata flasin më mirë me shifra.

Faleminderit!

energjia.al  30.09.2017

Linja 400 kv e interkonjeksionit Kosovë- Shqipëri, e cila qëndron jashtë funksioni prej dy vitesh pavarësisht përfundimit të saj duket se do të hyjë në një fazë të re. Kjo lidhet me zgjidhjen e ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë që mban peng vënien në punë të këtij investimi dhjetëra milionë euro. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë bëri me dije se qeveria gjermane i ka kërkuar Sekretariatit që të marrë rolin e interlokutorit. Roli i qeverisë  gjermane nuk është i rastësishëm në kushtet kur vetë banka gjermane KFW ka qenë financuese e këtij investimi.

Më poshtë njoftimi i plotë i Sekretariatit:

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik (BMZ), i kërkoi Sekretariatit të Energjisë për të lehtësuar negociatat midis Serbisë dhe Kosovë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis EMS dhe KOSTT. Ministria gjermane është veçanërisht e shqetësuar pasi mosmarrëveshjet po mbajnë peng investimet në sektorin e energjisë në rajon dhe po bllokojnë integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Sekretariati ka ndërmjetësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis EMS dhe KOSTT edhe më parë, ndërmjetësim i cili rezultoi me nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe. Gjithsesi, këto marrëveshje nuk janë zbatua dhe konflikti ka mbetur i pazgjidhur. Ndërmjetësimi i mosmarrëveshjes midis EMS dhe KOSTT është parashikuar nga programi CONNECTA për tregun rajonal të energjisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin Sekretariati e zbaton për llogari të Komisionit Europian.

Sekretariati tashmë do të ndërmjetësojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis dy qeverive.

Revista Monitor,  15.09.2017

Prodhimi industrial në Gjermani u regjistrua në nivele të pandryshuara gjatë Korrikut, tregojnë të dhënat e fundit. Rritja e prodhimit në ndërtim dhe manifakturë u zhbë nga rënia e sektorit energjetik.

Të dhënat sinjalizojnë se, fabrikat do të kontribuojnë me një hap më të ngadaltë në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Prej kohësh, konsumi i ka zënë vendin tregtisë dhe prodhimit si lokomotiva e ekonomisë gjermane.

Punësimi pranë kapacitetit të plotë, rritja reale e pagave dhe normat e ulta të interesit po nxisin gjermanët që të shpenzojnë.

Një ditë më parë ndërkohë, të dhënat tregonin një rënie të porosive industriale gjatë Korrikut. Sa i përket prodhimit industrial, të dhënat e Korrikut vijnë pas një rënie me 1.1% gjatë muajit Qershor.

Ekspertët shprehen se, këto të dhëna vënë në pikëpyetje forcën reale të ekonomisë më të madhe të Europës.

Sektori energjetik i ka dhënë goditjen më të madhe industrisë, pasi regjistron një rënie të prodhimit me 4.7%, që është edhe rënia më e madhe që prej Janarit të vitit 2011.

Scan Tv,  07.09.2017

Gjermania po vlerëson idenë e nxjerrjes nga qarkullimi të mjeteve me motor me djegie në vitin 2030.

Motorët me djegie janë ata tradicionalë që sot përdoren masivisht nga shtëpitë prodhuese, përveç atyre që janë fokusuar te makinat elektrike.

Instituti ekonomik Ifo, një ndër më të rëndësishmit jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën, paralajmëron se, ky vendim do të kërcënojë 600 mijë vende pune.

Motorët me djegie, për shkak të ndotjes së larte, përfshirë motorët me naftë, janë kthyer në një çështje mjaft delikate në Gjermani, dhe jo vetëm.

Në qytete si Mynihu dhe Shtutgarti po vlerësohet ideja e nxjerrjes nga qarkullimi të makinave të vjetra me motor me naftë. Gjermania është një ndër vendet ku makinat me motor me naftë mbretërojnë rrugët.

Ky debat vjen vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend, dhe kancelarja Merkel është nën presion nga grupimet e ndryshme për të marrë masa për të mbrojtur ambientin dhe shëndetin e njerëzve.

Scan Tv,  19.07.2017

Gjermania është ndër vendet lider në Europë në shumë fusha dhe njëra prej tyre është edhe në sektorin e energjisë së rinovueshme.

Vendi ka njohur një superprodhim vitet e fundit në këtë sektor, aq sa në maj të vitit të kaluar çmimi ra me 130 euro për MWh. Në atë kohë, erërat e forta bënë që impiantet që e shfrytëzojnë atë për prodhim energjie të tejkalonin kërkesën e tregut.

Kjo detyroi disa shpërndarës që operonin në treg që të zeronin çmimin e madje edhe të paguanin shtresa të caktuara që të konsumonin energjinë e prodhuar.

Periudha të tilla përsëriten herë pas here dhe këtyre u shtohen edhe investimet e vazhdueshme në këtë sektor, që ka njohur një rritje të madhe në dekadën e fundit.

Top Channel,  03.04.2017

Çmimet e energjisë në Europë në terma afat-shkurtër janë rritur gjatë kësaj jave, si pasojë e motit të ftohtë dhe acarit që ka goditur thuajse të gjithë kontinentin. Në Francë rritja fiksohet pranë 42%, në 125 euro për Megavat/orë, dhe në Gjermani me 8%, në 53.75 euro.

Në Francë rritja është e konsiderueshme për shkak të problemeve të mëdha me të cilat po përballet vendi në drejtim të kapacitetit energjetik. Mbyllja e disa reaktorëve bërthamorë, për çështje sigurie, ka nxitur edhe shkurtime të energjisë elektrike në vend.

I frohti i pazakontë që ka goditur kontinentin ka nxitur një kërkesë të jashtëzakonshme për energji, dhe madje edhe  ekonomitë më të fuqishme të kontinentit duket se e kanë të vështirë  t`i bëjnë ballë kësaj situate.  Jo vetëm kontratat për muajin janar janë shtrenjtuar, por madje edhe ato për muajt Shkurt dhe Mars.

Scan TV,  10.01.2017

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë firmosën sot pjesën e dytë të marrëveshjes për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”. Firmosja u bë nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, znj. Susanne Schutz.

Në total huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion Euro. Më herët është nënshkruar pjesa e parë e financimit prej 30 milion eurosh ndërsa sot pjesa e mbetur prej 20 milion Eurosh.

Në pikëpamjen strategjike, projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise, dhe si pjesë e infrastrukturës së Koridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë. Krijohen kushte për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën Fier – Vlorë me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë). Inkurajon zhvillimin ekonomik të rajonit Jugor dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike. Gjithashtu reduktohen humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit.

Ky projekt përfshin: ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin shqiptar;  zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan2 me zbarrë dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr; ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier; zgjerimin e nënstacionit Fier me një Autotransformator 400 MVA dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.

Ka përfunduar studimi i fizibilitetit të këtij projekti, financuar nga projektet e WBIF, i cili është përgatitur nga konsorciumi COWI / IPF. Së bashku me të është bërë studimi i ndikimit  ambiental dhe social. Është përcaktuar traseja e përafërt e linjës si dhe janë përcaktuar shtyllat kufitare në bashkëpunim me palën Maqedonase.

Kosto e përgjithshme e projektit është rreth 70 milion Euro. Ajo mbulohet përkatësisht; nga huaja e Bankës KfW, 50 milion Euro; grant nga WBIF, 20% e projektit, 14 milion Euro; grant nga WBIF për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Kufi, 0.6 milion Euro; kontribut i KfW për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Fier, 0.6 milion Euro dhe kontributi i OST, 5 milion Euro.

Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017 ndërsa vepra të mund të komisionohet në vitin 2019.

energjia.al  29.10.2016

Të dielën, më 8 maj, Gjermania goditi një rekord të ri në gjenerimin e energjisë së rinovueshme.

Në sajë të një ditë me diell dhe erë, në një moment, rreth mesditës, nga energjia solare, e erës, hidro dhe biomasave, janë gjeneruar rreth 55 GW nga 63 GW të konsumit të përgjithshëm, që i bie rreth 87 për qind.

Kjo, siç shkruajnë mediat e huaja, transmeton Telegrafi, ka bërë që çmimet e energjisë të bien aq poshtë për disa orë, sa që konsumatorët u paguan që ta shpenzojnë atë.

Gjermania është një nga vendet e pakta të mëdha evropiane që janë gjithnjë e më të varur nga energjia e pastër, ndërsa në të njëjtën kohë janë duke punuar për largimin e plotë të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Vitin e kaluar, përcjell Telegrafi, nga energjia e ripërtërishme u shpenzuan rreth 33 për qind e konsumit të përgjithshëm të Gjermanisë.

Pasi prodhimi i energjisë në qymyr dhe energjia bërthamore nuk mund të ndalohen në mënyrë të shpejtë, ata janë të detyruar të vazhdojnë për të shitur energji elektrike edhe në qoftë se ajo kishte një humbje.

Telegrafi,  13.05.2016

Gjermania është e vendosur të nisë një skemë të re stimuluese me vlerë rreth 1 miliardë euro (1 miliardë dollarë) për të siguruar që më shumë konsumatorë të blejnë makina elektrike teksa përpiqet të përmbushë objektivin për të sjellë 1 milion prej tyre në rrugët e saj deri në fund të dekadës.

Shpenzimet e stimujve, të ngjashme me ato të aplikuara tashmë në disa vende të tjera evropiane, duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes qeverisë dhe prodhuesve të makinave me qëllim për të shitur një shtesë prej 400,000 makinash elektrike, referoi ministri i transportit Alexander Dobrindt.

Kritikët thonë se gjenerim më i madh i energjisë elektrike për të ngarkuar makinat me bateri do të rrisë emisionet e dioksidit të karbonit.

Aktualisht Gjermania, tregu më i madh i makinave në Europë, ka vetëm rreth 50,000 automjete totalisht elektrike dhe hibride në mesin e 45 milionë makinave që lëvizin nëpër rrugët e saj.

Sipas planeve, të miratuara më herët në mesin e ministrave të qeverisë dhe përfaqësuesve të Volkswagen (VOWG_p.DE), Daimler dhe BMW, blerësit e makinave elektrike do të përfitojnë një zbritje prej 4,000 euro, ndërsa blerësit e makinave hibride do të përfitojnë një zbritje prej 3,00 eurosh.

Revista Monitor,  29.04.2016