Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Roesler sjell në Shqipëri teknologjinë më të fundit të përpunimit të metalit

Tre liderë të industrisë në Europë, me standardet më bashkëkohore, kapacitete të larta prodhuese, teknologji inovative dhe sukses në tregun botëror, vijnë së bashku për të ofruar jo vetëm shembullin dhe metodikën e tyre të punës, por për të njohur edhe bizneset vendase me çdo risi në fushën e përpunimit të metalit. Eventi, i organizuar në datë 10 tetor në ambientet moderne të Albsteel, kompani lider në Shqipëri dhe e afirmuar në treg për cilësinë e produkteve dhe shërbimit, ishte gërshetim i një workshop-i, praktike dhe takimesh b2b. Prezantimet e kompanive që tërhoqën vëmendjen e shumë bizneseve shqiptare pjesëmarrëse në workshop, u fokusuan në tre tematika bazë: teknika e bombardimit (pastrimit të metalit) me rërë metalike, një ndër teknologjitë më të mira të prezantuara nga kompania Rösler. Teknika e re garanton pastrimin më efikas të metalit, për ta bërë atë të ndjekë etapat e tjera të përpunimit, përpara se të mbërrijmë në një produkt final. Kjo teknologji, të cilën Rösler, në bazë të përvojës së saj prej thuajse një shekull, e ka sjellë në jetë, falë profesionalizmit si kompani, mund të adaptohet në shumë fusha biznesi: industria e automobilave, printime 3D, ndërtimi, aeronautika, mjekësia, lyerja dhe veshja, plastika, industria e instrumenteve, gurët dhe metalet e çmuara etj. Në prezantimin e kompanisë gjermane u theksuan tre pika kryesore sa i përket teknologjisë së re: deri në 20-fish më tepër eficiencë dhe kosto të reduktuar në përpunim, kohë më e shkurtër e aplikimit dhe mosndotje e mjedisit. Përfaqësuesit e kompanisë lider në tregun europian, Wagner, ofruan për bizneset shqiptare të pranishme teknologjinë e re moderne në teknikën e lyerjes së metalit.

 

Një proces i rëndësishëm i përgatitjes së një gjysmëprodukti. Ndërsa, një tjetër lider i kësaj fushe, kompania Mankiewicz, ofroi metodologjinë e saj, e përkthyer në produkt teknologjik, sa i përket lyerjes me një proces të vetëm.

“Të zotët e shtëpisë”, përfaqësuesit e kompanisë Albsteel, pjesë e grupit PapMetal, u paraqitën të pranishmëve praktikisht, teknologjinë në të tre proceset e saj, për të sjellë në finale një produkt metalik gjysmë të gatshëm, për të qenë funksional në etapa të mëtejshme të punës. Vizita e mëtejshme në ambientet e Albsteel dhe Papmetal, e udhëhequr nga drejtuesi i kompanisë, z. Proletar Hasani, në proceset e prodhimit të metaleve, plotësonte panoramën e njohurive që workshop ofroi, për bizneset në Shqipëri dhe ato në Kosovë, nga ku u njohën më afër me çdo proces pune dhe filozofinë e ofrimit të shërbimit nga kompania.

 

 

Nga takimet b2b mes kompanive të ndryshme, theksohej rëndësia e investimit në një makineri të tillë, e cila do të përkthehej në përfitime të shumta në terma financiarë, kohorë dhe gjithashtu, një veçori e fituar përmes saj do të ishte ruajtja e produkteve nga erozioni. Standardi europian është kryefjala që duhet të arrihet nga çdo biznes vendas apo rajonal, për të rritur cilësinë, për të qenë konkurrues, në një treg më të gjerë se ai rajonal, për të arritur jetëgjatësi në sektor dhe për t’u shndërruar në lider. Këtë gjë, teknologjia e re e prezantuar nga kompanitë, e ofron.

“Workshop-i u përpoq që të ndryshonte mendësinë e bizneseve shqiptare në funksion të arritjes së cilësisë dhe standardeve të duhura, që duhen implementuar për të qenë konkurrues për një treg europian. Vetëm për të qenë të pranishëm në këtë treg, ka disa hallka që duhen arritur. Për të qenë në krah të bizneseve më të mëdha europiane, për të arritur sukses në një treg më të gjerë, cilësia e produkteve duhet të jetë e padiskutueshme”, – tha z. Allerbauer.

Z. Benno theksoi se një pjesë e kompanive të huaja kanë hyrë në tregun shqiptar dhe janë larguar për shkak të mosfunksionimit apo vështirësive në një treg të vogël, ende të pazhvilluar mirë, ku mendësia e biznesit është vështirë të mundet. Por, prania e Rösler prej 20 vitesh, me produktet e saj, do të vijojë të ofrojë të gjithë gamën e saj për të forcuar kapacitetet prodhuese të bizneseve shqiptare. “Është e lehtë të heqësh dorë, ne nuk e kemi bërë dhe do vijojmë në rrugën tonë për të qenë të pranishëm në një treg si ai shqiptar dhe për të ndihmuar bizneset që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për të qenë konkurrues në tregun europian”, – përfundoi z. Allerbauer.

Monitor,  18.10.2018