Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Ndryshime rrënjësore në sektorin energjitik

“Qeveria e la KESH-in me 540 milionë dollarë borxhe. Linja e interkonjeksionit me Kosovën u bllokua për arsye të errëta. Rreth 1.3 miliardë dollarë ishte niveli i faturave të pambledhura të energjisë, ndërkohë që humbjet në rrjet arritën shifrën rekord prej 51 për qind. Kjo ishte gjendja e trashëguar”, ka thënë Rama.

Ndërsa situata e ndryshuar sipas tij është kjo: “Në këto muaj kemi reduktuar humbjet duke i çuar në një nivel prej 31 për qind. Duke pasur stabilitet në sektor, ne kemi besimin se do të shkojmë nën 30 për qind. Ndërkohë, nivelin e arkëtimeve e kemi rritur me 100 milionë dollarë. Në 15 muaj kemi kaluar 300 mijë aktmarrëveshje me kreditorët, që këta i lanë rrugëve. Vlera e këtyre aktmarrëveshjeve është 505 miliardë lekë, ose 505 milionë dollarë. Ndërkohë, është shlyer 70 për qind e borxheve ndaj prodhuesve të vegjël”, ka saktësuar Rama.

Duke vijuar raportimin e tij, shefi i qeverisë ka bërë të ditur se në vitet e fundit KESH ka blerë 50.59 euro më lirë energjinë, ndërsa e ka shitur atë më shtrenjtë.

Ndërsa investimet e realizuara gjatë vitit 2014 kanë mundësuar sipas tij që të futen në përdorim 12 HEC-e, ndërkohë që 5 të tjerë pritet të futen në funksion gjatë vitit 2015.

“Këto ndryshime dhe mbështetja e ndërkombëtarëve për ndërhyrje në këtë sektor janë rezultat i reformës sonë”, ka shtuar më Rama.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij ka folur edhe për eksodin e qytetarëve shqiptarë drejt Gjermanisë.

Sipas Ramës, eksodi ka marrë jetë si pasojë e një keqkuptimi të krijuar nga një njoftim i palës gjermane për punësim sezonal dhe është shfrytëzuar nga elementë kriminalë.

“Eksodi ka lindur nga një keqkuptim dhe në këtë situatë ka ndërhyrë elementi kriminal. Por masat e ndërmarra ndaj kriminalitetit kanë funksionuar në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa në Serbi fluksi i qytetarëve është më i lartë”, ka thënë Rama.

Një tjetër faktor që sipas shefit të qeverisë ka ndikuar në këtë eksod është edhe keqqeverisja 8-vjeçare e kaluar, e cila, siç tha ai, e ka lënë vendin në një pirg me probleme.

“Ne nuk kemi shkop magjik për të ndryshuar situatën e trashëguar nga ju. Mos na i hidhni neve përgjegjësitë tuaja”, ka thënë Rama duke iu drejtuar opozitës.

Top Channel,  23.04.2014