Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet në rrjetin e transmetimit, ERE: Të bëhet analiza kosto-përfitim

Investimet e bëra në rrjetin e transmetimit të energjisë ndër vite duket se nuk kanë respektuar kalendarin dhe listën e dakordësuar me Enti Rregullator të Energjisë. Ky i fundit ka marrë në analizë investimet e bëra nga Operatori i Sistemit të Transmetimit në vitet 2017 dhe 2018 duke dalë në disa përfundime për të cilat ka bërë edhe rekomandime. Së pari nga ERE janë marrë në analizë investimet e miratuara prej këtij enti, diferencat me fondet e prokurimeve, vlerat e kontratave dhe realizimi i tyre brenda afateve të caktuara të kontratës.

Nga kjo ka rezultuar se nga analizimi i investimeve të miratuara për vitin financiar 2017, vërehet se ka shtrirje të realizimit të investimeve përtej afateve të miratuara, realizim të pjesshëm të tyre brenda afateve, rishikim të vlerës së miratuar të investimeve pas vlerës së planit të miratuar nga ERE si dhe ndryshime të investimeve nga situata të paparashikuara por të pa miratuara nga ERE.

Për vitin 2018 rezulton se investimet e parashikuara nga OST nuk janë të miratuara nga Enti.

“Për 2018 u evidentuan dhe analizuan në mënyrë të detajuar Investimet e kryera nga OST, vlerat e kontratave, realizimi i tyre brenda afateve të caktuara, statusi i Investimeve në momentin e inspektimit.  Numri i investimeve të parashikuara nga OST për vitin 2018 është 41.  Vlera e realizuar e Fondit të miratuar me Vendim të Këshillit Mbikëqyrës të OST është 33% e vlerës së Miratuar. Nga analizimi i investimeve të miratuara për vitin financiar 2018 rezulton se, investimet e parashikuara dhe pjesërisht të kapitalizuara në Vitin financiar 2018 nuk janë të miratuara nga ERE” thuhet në vendimin e ERE.

Lidhur me situatën e konstatuar nga vlerësimi i investimeve në dy vite ERE ka kërkuar që OST sha së pari duhet të bëjë analiza kosto – përfitim për zërat e planit të investimeve siç kërkohet në Rregulloren e paraqitjes dhe miratimit të planit të investimeve nga Operatorët.

Së dyti ky operator në planet e investimeve sipas viteve tarifore duhet t’i përmbahet në mënyrë rigoroze planit të zhvillimit të rrjetit 10-vjeçar për projektet që parashikohen në këtë plan zhvillimi.

Së treti OST sha duhet të realizojë planin e investimeve brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe të raportojë në ERE mbi zbatimit.

Për vitin 2019 ERE ka kërkuar nga OST që të marrë një raport të detajuar të ecurisë brenda muajit mars të këtij viti.

Monitor, 27.02.2020