Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Cilësia e karburanteve në Kosovë, reagon shoqata e naftëtarëve

Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës.

Ky raport bëri të ditur se në mungesën e raporteve të testimit laboratorik, numrin e ulët të parametrave të testuar, informatat jo të plota e pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese, monitorimin joadekuat.

E për lidhur me këtë raport ka folur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani duke e pranuar se edhe ata si shoqatë nuk janë të kënaqur me kontrollimin e cilësisë së derivateve, pasi sipas tij nuk është arritur të kontrollohet as 5 %.

“Ne nuk jemi të kënaqur me kontrollimin e cilësisë sepse nuk u arrit as 5 % me u kontrollu cilësia”.

Sipas Berjanit është një tendencë që Trupat Inspektues të kthehen nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe kjo kundërshtohet fuqishëm nga Shoqata e Naftëtarëve. Kjo pasi që sipas tij, ata manipulojnë me cilësi e nuk e kryejnë punën si duhet.

“Sa i përket kontrollit të cilësisë, Shoqata e Naftëtarëve ka qenë dhe mbetet që kontrolli i cilësisë të bëhet gjatë importit. Sa i përket mostrimit të kontrollimit të cilësisë nga Trupat Inspektues, ne i kemi kundërshtuar dhe i kundërshtojmë gjithherë sepse Trupat Inspektues vetëm kanë manipulu me cilësi dhe asnjëherë nuk e kanë kontrollu, nuk e kanë ba mostrimin, por vetëm i kanë plotësuar  letrat. Qëndrimi jonë është që Trupat Inspektues duhet të largohen sa më parë. Është një tendencë e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të kthehen ata e të manipulon me cilësi”.

https://www.monitor.al/raporti-zyrtar-cfare-nafte-po-futet-ne-kosove/

Raporti i Auditimit të Performancës ka treguar se në Kosovë mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar.

Tregu i brendshëm është karakterizuar nga mangësi që kanë të bëjnë me monitorimin jo adekuat të procesit të akreditimit, shkelje të kërkesave të autorizimit nga Laboratorët dhe funksionime pa autorizim të Trupave Inspektuese në periudha të caktuara (si rezultat i mungesës së monitorimit të autorizimeve), mos përcaktim të kontrolleve në bazë të analizës së riskut, mungesë të testimeve për rezultate krahasuese, mungesë të testimit të një numri të konsiderueshëm të parametrave, etj.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt.

“Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit. Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për ti larguar ato nga pikat e shitjes.”

Cilësia e dobët e derivateve të naftës përveç që kontribuon në ndotjen e ajrit, ka ndikim edhe në performancën e automjeteve.

Kontrollet adekuate janë të rëndësishme për të siguruar që derivatet e naftës përmbushin të gjitha specifikimet dhe standardet e kërkuara.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Dogana e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import dhe në treg të brendshëm. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete që duhet të ndërmerren për të përmirësuar cilësinë e derivateve të naftës në vend.

Monitor,  23.10.2019