Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë nafte po hyn në Kosovë?

Derivatet në Kosovë kanë mungesë të cilësisë  

Shitja dhe kontrolli i derivateve në Kosovë ka qenë çdo herë temë diskutimi.  Për cilësinë e “Arit të zi” ka pasur akuza të shpeshta mes pronarëve të pompave e institucioneve kompetente. Asnjëra palë nuk është pranuar me pretendimet e ngritura. Por, tash  Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit.

Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës.

Mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar.

Tregu i brendshëm është karakterizuar nga mangësi që kanë të bëjnë me monitorimin jo adekuat të procesit të akreditimit, shkelje të kërkesave të autorizimit nga Laboratorët dhe funksionime pa autorizim të Trupave Inspektuese në periudha të caktuara (si rezultat i mungesës së monitorimit të autorizimeve), mos përcaktim të kontrolleve në bazë të analizës së riskut, mungesë të testimeve për rezultate krahasuese, mungesë të testimit të një numri të konsiderueshëm të parametrave, etj.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt.

“Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit. Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për ti larguar ato nga pikat e shitjes.”

Cilësia e dobët e derivateve të naftës përveç që kontribuon në ndotjen e ajrit, ka ndikim edhe në performancën e automjeteve.

Kontrollet adekuate janë të rëndësishme për të siguruar që derivatet e naftës përmbushin të gjitha specifikimet dhe standardet e kërkuara.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Dogana e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import dhe në treg të brendshëm. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete që duhet të ndërmerren për të përmirësuar cilësinë e derivateve të naftës në vend.

Mungesa e testimit të parametrit të Distilimit

Nga muaji mars i vitit 2018, pajisja e cila bënë matjen e parametrit të Distilimit është jashtë funksionit. Ky parametër ka qenë i testuar gati në çdo testim të Laboratorit të Doganës gjatë vitit 2017 e deri në shkurt të vitit 2018, duke qenë se konsiderohet i rëndësishëm44 në përcaktimin e cilësisë së derivatit të naftës.

Pas analizimit të mostrave të pranuara është evidentuar se Laboratori i Doganës në shumicën e rasteve, nuk ka bërë kërkesë për testim të parametrit të distilimit tek laboratorët tjerë vendorë të cilët e kanë këtë parametër dhe janë të akredituar dhe autorizuar nga Ministria për të testuar atë. Nga gjithsejtë kërkesat për testime gjatë vitit 2018 nga Laboratori i Doganës është bërë kërkesë për testimin e parametrit të distilimit tek laboratorët vendorë vetëm për 40 raste, apo 4% të total testimeve laboratorike. Ndërkaq për vitin 2019, deri në fillim të korrikut është testuar parametri i distilimit tek laboratorët vendorë vetëm në 8 raste.

Si rezultat i mos funksionimit të pajisjes së Distilimit, Laboratori i Doganës ka kryer testime, mirëpo me mungesë të rezultateve të këtij parametri për periudhë shumë të gjatë kohore gjendja vazhdon të jetë e njëjtë akoma, dhe testimet të jenë tejet të mangëta. Në kohën kur është testuar ky parametër nga Laboratori i Doganës ka rezultuar që mostrat të jenë jo-konforme, prandaj në mungesë të testimit të tij laboratori mund të ketë lëshuar dhe të vazhdojë të lëshojë si konforme mostra të cilat në fakt për këtë parametër mund të mos kenë cilësinë e kërkuar.

Mos funksionimi i kësaj pajisje ka bërë që numri i parametrave që testohen nga Laboratori i Doganës të kufizohet akoma më tutje dhe kjo të ndikojë akoma më shumë në pamundësinë e këtij laboratori për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import.

Ministria nuk ka funksionalizuar Laboratorin mobil

Në fund të vitit 2016, janë ndërmarrë disa hapa në drejtim të funksionalizimit të një laboratori të lëvizshëm (mobil). Për këtë qëllim janë blerë dy pajisje në vlerë 84,990 Euro. Pajisja e parë ED XRF, (43,070 Euro) shërben për përcaktimin e përmbajtjes së sulfurit në karburante të lëngëta të naftës – gazoil dhe vajgur. Pajisja tjetër – FTI Spektrometër (41,919.97 Euro) shërben për testim të një varg parametrash për benzinë75 , dizel76 dhe bio-dizel77.

Të dy pajisjet janë të përshtatshme për punë në laborator mobil. Inspektorati është në mungesë të një automjeti të posaçëm që është i përshtatshëm për të mbrojtur pajisjet dhe mostrat nga dëmtimet që mund t’u shkaktohen nga lëvizja në terren.

Gjithashtu, ka nevojë për staf që do të kryejnë këto analiza, prandaj deri më tani nuk ka arritur të funksionalizojë laboratorin.

Në Dhjetor të vitit 2017, u dërgua për miratim një rregullore për procedim të mëtutjeshëm tek Departamenti Ligjor në Ministri e hartuar me qëllim të funksionalizimit të laboratorit. Kjo rregullore, deri në muajin korrik 2019 nuk është miratuar. Mos kryerja e testimeve orientuese për cilësi të derivateve si pasojë e mos-funksionalizimit të laboratorit mobil Edhe pse udhëzimi e parasheh mundësinë që të kryhen testime indikative, duke qenë se Laboratori mobil deri më tani nuk është funksionalizuar, asnjëherë nuk janë kryer testimet indikative nga ana e Inspektoratit. Inspektorati mund të marr mostra dhe të bëj testime orientuese (indikative) për cilësinë e karburanteve të naftës përmes kapaciteteve që ka në dispozicion.

Nëse rezultatet orientuese (indikative) janë jo konform, atëherë Inspektorati duhet t’i zhvilloj procedurat e mëtutjeshme për vlerësim të konformitetit78 .

Analizat indikative do ta lehtësonin punën e Inspektoratit që të vazhdojnë me testime të mëtutjeshme vetëm në rastet kur rezultatet indikative tregojnë se ka probleme, kështu do të zvogëlonin edhe shpenzimet e bizneseve duke i obliguar të paguajnë më pak për testime. Rezultatet do të dilnin shumë më shpejtë dhe do të lehtësonin punën e Inspektoratit. Pajisjet e blera duke qenë se nuk janë në përdorim mund të dëmtohen fizikisht dhe rrezikojnë që të mos arrijnë vlerën për paratë publike të investuara në to.

Monitor,  22.10.2019