Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Balluku: Investime në energjitikë në mbështetje të turizmit

Zona e Gjirit të Lalëzit dhe fshatrat përreth shumë shpejt do të kenë furnizim më të mirë me energji elektrike., sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Investimi i nisur nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në këtë zonë do të garantojë një furnizim me energji më të mirë, jo vetëm për banorët e kësaj zone por edhe për pushuesit të cilët e frekuentojnë zonën gjatë sezonit turistik.

Faza e parë e punimeve, që përfshinë ndërtimin e nënstacionit 110/20, ka përfunduar, janë vendosur 2 transformatorë me fuqi 50 MW si dhe janë vendosur pajisjet për 8 fidera. Aktualisht, OSHEE ka nisur fazën e dytë të investimit, duke lidhur kontratën për ndërtimin e 3 fiderave të parë (nga 8 gjithsej) të rrjetit shpërndarës 20 KV, ndërtimin e kabinave dhe rrjet të ri ABC, për mbulimin e gjithë zonës bregdetare të Gjirit të Lalëzit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, inspektuan ecurinë e punimeve.

“Faza e parë u kurorëzua me përfundimin e nënstacionit 110/20 kilovoltsh që është një investim tepër i rëndësishëm, kjo zonë nuk kishte parë asnjëherë investime të këtij niveli. Faza e dytë përfshinë shtrirjen e rrjetit që nis nga ky nënstacion, janë gjithsej 8 fidera dhe vlera e investimit shkon në 1 miliard lekë përsa i përket fiderave. Këtu jemi duke inspektuar punimet në 3 fiderat e parë që përfshinë zonën e plazhit të Gjirit të Lalëzit dhe pjesën e Manzës. Ky investim ka filluar në muajin prill dhe përfundon brenda muajit shtator”, u shpreh Çela duke bërë shtuar se ky investim po sinkronizohet edhe me OST-në e cila po ndërton linjën 110 kilovolt nga nënstacioni i Sallmones.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku, tha se ky investim është pjesë e investimeve të parashikuara për t’u zhvilluar në zonat bregdetare me qëllim mbështetjen e zhvillimit të turizmit. Balluku theksoi se përfitues të tij do të jenë jo vetëm banorët e zonës por edhe pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë zonë.

“Investimi në zonën e Gjirit të Lalëzit është pjesë e të gjitha investimeve që ne kemi planifikuar për të bërë në këtë zonë turistike, ashtu si dhe në zonat e tjera, për të shtuar kapacitetet e shërbimeve dhe për t’i dhënë qytetarëve dhe atyre që banojnë në zonë por dhe atyre që vijnë thjesht për të pushuar, shërbime sa më të mira. Ky është një projekt i mbështetur nga fondet e OSHEE-së, 1.4 miliardë lekë të reja dhe i kombinuar me projektin e OST-së për ndërtimin e linjës 110 kilovolt. Është sigurisht një kombinim për të dhënë dhe për të mbështetur të gjitha investimet që po bëhen në këtë zonë në bazë të strategjisë së turizmit”, deklaroi Balluku.

Ministrja Balluku solli gjithashtu në vëmendje se krahas investimit që po bën OSHEE dhe OST në këtë zonë është edhe linja e re e ujësjellësit të ri të Durrësit, që nis nga Fushë-Kuqja dhe që do përfitojë edhe zona e Gjirit të Lalëzit. Këto investime, mungesa e të cilave prej vitesh ka qenë një shqetësim, do të bëjnë të mundur nxitjen e investimeve me qëllim shtimin e numrit të turistëve në këtë zonë.

“Këto dy projekte energjetike, ai i OSHEE-së që po inspektojmë sot dhe ai i OST-së me linjën 110 kilovoltshe, kombinohen gjithashtu dhe me një projekt të ujësjellësit, që e kemi inspektuar pak ditë më parë nga zona e Fushë-Kuqes në drejtim të Durrësit, për të furnizuar me ujë të gjitha ato zona që deri më sot nuk janë furnizuar më shumë sesa me 2 apo 3 orë ujë. Të gjitha këto projekte së bashku të kombinuara rrisnin cilësinë e jetës së qytetarëve dhe bëjnë të mundur që këto zona të jenë zona turistike dhe këtu të investohet nga të gjithë investitorët që kanë në plan të zhvillojnë turizmin në Shqipëri, ashtu siç është parashikuar në strategjinë e turizmit”, nënvizoi Balluku.

Me nënstacionin e Gjirit të Lalëzit do të furnizohen zonat si, Plazhi i Gjiri i Lalëzit, zona e Manzës, Ishëm, e deri te Kepi i Rodonit. Investimi për ndërtimin e rrjetit 20kV, parashikon shtrimin e 69.6 km rrjet Tension i Mesëm 20 kV, 256 km rrjet Tension i Ulët me përcjellës ABC si dhe ndërtimin e 155 kabinave elektrike.

Monitor,  22.05.2019