Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nënstacioni i ri në Lalëz, do furnizojë zonën turistike

Në prag të sezonit turistik në Gjirin e Lalëzit ka përfunduar investimi prej 10 milionë eurosh për ndërtimin e nenstacionit të ri elektrik. Në rrjetin elektrik të zonës nuk ishte ndërhyre që prej vitit 1967 dhe tashme e gjithë zona e bregdetit nuk do të ketë probleme me energjinë elektrike. Kryeministri Rama gjate inspektimit të nënstacionit të ri, tha se rritja turistike e zonës, ku vetëm para pak ditësh u firmos një kontratë për 2 hotele me 5 yje, e bënte të domosdoshme një investim të tillë.

“Është zonë me shumë perspektivë zhvillimi turistik dhe sidomos ndërtimi i hoteleve të reja, me gjithë ato kapacitete e nevoja, e bën domosdoshmëri që të ketë furnizim normal me energji”

Ndërsa drejtori i Operatorit të Shpërndarjes, Ardian Çela, tha se ka nisur faza e dytë e investimit, për ndërtimin e 3 fiderave të parë të rrjetit shpërndarës 20 KV, me kabina dhe rrjet të ri për mbulimin e gjithë zonës bregdetare të Gjirit të Lalzit.

“Duke pasur parasysh zhvillimin në këtë zonë, kemi nisur me nënstacionin që është 460 milionë lekë (të reja), investim i OSHEE-së. OST-ja do vijë me linjën e tensionit të lartë 110 kë. Nga ky moment, ne kemi nisur 3 fiderat e parë. Janë 8 fidera të tjera që do mbulohet kjo zonë, Maminas, Sallmone, Hamallaj, Gjiri i Lalzit, Ishëm, Kepi i Rodonit. Mbulon për vitet e ardhshme të gjithë zhvillimin turistik të kësaj zone. Është një investim që shkon në 10 milionë euro. Sezonin e ardhshëm turistik kjo zonë nuk ka më problematikë” , tha Çela.

Çela shtoi se edhe ky nënstacion do të përfshihet në sistemin e ri SCADA, i cili ofron kontroll online të rrjetit, sikurse operohet në Tiranë e qytete të tjera. Me nënstacionin e ri do të furnizohen me energji plazhi i Gjiri i Lalzit, zona e Manzës, Ishmi dhe deri te Kepi i Rodonit. Në Durrës, OSHEE ka investuar gjatë 4 viteve të fundit rreth 5.6 miliardë lekë.

Top Channel,  30.03.2019