Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skanimi i konçesioneve të HEC-eve, MIE: 8 me probleme të mëdha

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur sot rezultatet e para të procesit të skanimit të kontratave konceisonare të hidrocentraleve, një nismë kjo e njoftuar në fund të janarit. Zëvendësministri Hantin Bonati në një dalje para mediave bëri me dije se janë të paktën 54 dosje të marra në analizë deri më tani nga të cilat 8 prej tyre kanë rezultuar me shkelje të mëdha.

“Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës. Ndër problematikat kryesore të konstatuara nga kontrolli i deritanishëm mund të përmendim: mosrespektim e afateve kohore procedurale; mosrespektimin e kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara (qofshin të aspektit ndërtimor, mjedisor, financiar etj)

Në vëmendje të analizës sonë janë jo vetëm problematikat që janë rezultat i jokorrektësisë nga ana e subjekteve, por janë dhe problematikat që janë shkaktuar nga burokracia procedurale e ndjekur nga institucionet publike. Ndërprerja e kontratave është një proces kompleks dhe nga ana e Ministrisë po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit” tha Bonati.

Ai theksoi se në këtë proces skanimi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bashkëpunon edhe me institucione të tjera për hallka procedurale që këto të fundit janë të përfshira në proces.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si një ndër aktorët kryesorë dhe si iniciues i procesit të skanimit, po vijon punën për monitorimin dokumentar dhe në terren. Në këtë proces kompleks, strukturat e Ministrisë janë duke bashkëpunuar ngushtësisht dhe me institucione të tjera publike, ndër më kryesorët mund të përmendim:

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila, sipas fushës së saj të përgjegjësisë, po verifikon vlefshmërinë e lejeve mjedisore për këtë tipologji aktivitetesh, nëse këto veprimtari cenojnë zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës, sikurse dhe nëse subjektet kanë zbatuar dhe përmbushur me përpikmëri kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore;

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili po verifikon zbatimin e lejeve të ndërtimit nëse këto ndërtime janë kryer në respektim të përcaktimeve të lejeve zhvillimore që gëzojnë.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Ujore, e cila, po verifikon vlefshmërinë e lejeve për përdorimin e burimeve ujore. Verifikimet në terren po bëhen në prezencë të përfaqësuese të subjekteve, ndërsa përsa i përket verifikimeve dokumentare me subjektet do të vijohet të komunikohet nëpërmjet korrespondencave zyrtare” tha Bonati.

Në fund ai nënvizoi se problematikat e konstatuara, në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, do të analizohen dhe do të shërbejnë si referencë për ndryshimet ligjore që do të propozohen në këtë sektor.

Në total deri më sot janë nënshkruar gjithsej 201 kontrata koncesionare, nga të cilat 3 janë zgjidhur që do të thotë janë 198 kontrata koncesionare për ndërtimin e 556 hidrocentraleve. Numri i këtyre të fundit pritet që të ulet në 175 kontrata konceisonare dhe 405 hidrocentrale pasi ministria është në fazë zgjidhjeje për 23 kontrata konceisonare.

Monitor,  05.03.2019