Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Balluku: Jemi duke skanuar HEC-et, jo duke prishur kontratat në mënyrë arbitrare

Pas dëgjesës publike në kanionin e Holtës në rrethin e Gramshit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi kanë zhvilluar një tjetër bashkëbisedim, kësaj radhe me banorët e fshatit Labinot Mal në qarkun e Elbasanit, për të dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me çështjen e ujit të burimit të fshatit, i cili i është dhënë kompanisë “Labinot Fushe shpk” për të ndërtuar HEC.

Gjithashtu ministrat i kanë informuar banorët lidhur me aksionin më të fundit të Qeverisë për kontrollin e ligjshmërisë së zbatimit të kontratave të HEC-ve në të gjithë vendin.

Banorët janë shprehur se uji i burimit është jetik për ta dhe se marrja e tij do ta bënte të pamundur jetesën në një zonë të thellë malore siç është ajo e Labinot Mal. Ata kërkuan nga ministrat që të problemi i tyre të trajtohet me seriozitet dhe në të njëjtën kohë shprehën besimin se me vullnet të mirë qeveria mund ta zgjidhë këtë problem.

Duke marrë fjalën në takim ministrja Balluku ka thënë: “Duhen respektuar kontratat të cilat janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. Sepse shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë, pa ujë vaditje, pa ujë të pijshëm dhe sidomos përsa i përket blegtorisë.

Ajo më tej ka shpjeguar hapat ligjorë që janë ndërmarrë për kontratave. “Ne kemi ngritur grupe pune, AKBN-ja e cila ka tagrin për të monitoruar HEC-et, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe me një grup të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, kemi nisur punën për ti skanuar të gjitha këto HEC-e”.

Duke folur për kostot e këtij aksioni, ministrja Balluku theksoi: “Do jenë vendime të cilat nuk mund ti krijojnë kosto buxhetit të shtetit, pra ne nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguroi banorët e zonës për vëmendjen totale të qeverisë, çka sipas saj e tregon edhe organizimi i këtyre dëgjesave publike. “Këto nuk janë as dëgjesa as takime për të kaluar radhën, por janë për ti dhënë një zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare problematikës së HEC-eve”, ka thënë Balluku.

Nga ana e tij ministri Klosi tha se ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ngritur një grup pune, që po analizon të gjithë problematikën e shfrytëzimit të burimeve ujore në Shqipëri, për të mos lejuar në mënyrë kategorike përdorimin e tyre në dëm të mjedisit dhe qytetarëve.

“Ne jemi këtu për të dëgjuar opinionin tuaj, jemi këtu për të kuptuar vlerat që ka i gjithë ky burim ujor nga pikëpamja e natyrës dhe jo vetëm nga pikëpamja e jetës, por sa ndikon ai në jetën e gjallesave të kësaj zone, në veprimtarinë bujqësore, sa ndikon në pyjet e kësaj zone, si ndikon në gjithë gjallërimin e jetës këtu, sa ndikon në procesin e ujitjes, sa ndikon në jetën e komunitetit. Pra, ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë përsa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar. Ne duam të kuptojmë nëpërmjet bisedës me ju sesa vlera ka që ne të gjejmë raportin e drejtë ku kemi mundësi për të zhvilluar industrinë dhe për të prodhuar energji të gjelbër, ku kemi mundësi që të mbrojmë mjedisin, natyrën dhe të dëgjojmë komunitetin”, tha ministri Klosi.

Monitor,  08.02.2019