Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum, si i shpëtoi falimentimit një nga kompanitë më të mëdha në vend

Flet znj. Lindita Kikino, administratore falimenti e Kurum

2017-a ka qenë një vit vendimtar për aktivitetin e sipërmarrjes së përpunimit të çelikut, Kurum. Pasi shpalli falimentin për efekt ristrukturimi, në fillim të 2016-s, kompanisë iu desh të kalonte në një proces të vështirë ristrukturimi të aktivitetit dhe të detyrimeve e kredive që kishte ndaj të tretëve. Rezultatet financiare të 2017-s, ku të ardhurat u rritën me 62%, duke u renditur ndër 10 më të mëdhenjtë dhe rikthimi me rezultat financiar pozitiv, tregon se ky proces, për herë të parë në Shqipëri, funksionoi.

Znj. Lindita Kikino, e cila ushtron edhe pas Miratimit të Planit të Organizimit, funksionin e Mbikëqyrëses së Falimentit, funksion ky që do të vazhdojë përgjatë gjithë periudhës së riorganizimit, shpjegon në një intervistë, planin e riorganizimit të Kurum, rezultatet aktuale dhe ato të pritshme, si dhe projektet e kompanisë për investime.

Si ka qenë ecuria e Kurum në 2017-n dhe pjesën e parë të këtij viti?

Viti 2017 mund të konsiderohet viti i ringritjes së shoqërisë Kurum International pas dy viteve mjaft të vështira (2015-2016), të cilat çuan në kërkesën e shoqërisë për shpalljen e procedurës së falimentit me riorganizim në 15.04.2016.

Shoqëria, gjatë 2017, nga pikëpamja e aktivitetit prodhues, ktheu në punë të tre fabrikat e saj, duke arritur të prodhojë rreth 315 mijë tonë shufra çeliku dhe duke realizuar në total 325.000 tonë hekur ndërtimi. Gjithashtu, është punuar pa ndërprerje në 4 HEC-et e shoqërisë, të cilët kanë performuar mirë, por si pasojë e vitit të thatë në reshje, prodhimi i energjisë elektrike ishte nën mesataren vjetore.

Në 30.06.2017, shoqëria pas një procesi pak më tepër se 1-vjeçar, arriti të përmbyllë procesin e falimentit pranë Gjykatës së Tiranës, duke miratuar
Planin e Riorganizimit të Shoqërisë, duke gjetur marrëveshjen me kreditorët e saj. Ky plan parashikon shlyerjen e të gjitha kredive brenda një periudhe 7-vjeçare, duke garantuar pagesat e plota të principaleve, plus normë interesi të kënaqshme për kreditorët.

Menjëherë pas miratimit të Planit, shoqëria filloi pagesat për kreditorët, duke shlyer rregullisht gjatë 2017 dhe në vijim çdo pagesë të parashikuar. Punonjësit e fabrikave u rikthyen në punë dhe puna ka vazhduar pa ndërprerje përgjatë gjithë 2017 dhe 6-mujorit të 2018-s.

Si përfundim, në rezultat financiar, shoqëria arriti që, për herë të parë pas dy vitesh me humbje të mëdha, të sigurojë një fitim para tatimit në shumën 364 milionë lekë. Vlen të theksohet se rritja e të ardhurave nga shitja ishte 7.6 miliardë lekë, (nga 12.2 miliardë lekë në 2016 në 19.8 miliardë në 2017, ose me ndryshim në përqindje 62% më shumë.

Edhe përgjatë 8-mujorit 2018, shoqëria ka vazhduar rregullisht aktivitetin, me ecuri në rritje në të ardhurat nga shitje dhe me pritshmëri të mirë në realizimin e fitimit. Gjatë kësaj periudhe ka vazhduar puna në të gjitha fabrikat, shitjet e hekurit të ndërtimit, sidomos në eksport, ku shoqëria ka eksportuar mbi 65% të prodhimit, kryesisht në rajon, (Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi). Rritja e volumit të eksporteve ka ndikuar ndjeshëm në rritjen totale të eksporteve të produkteve dhe markave shqiptare në tërësi gjatë 2017 dhe gjatë 2018.

Shoqëria ka arritur jo vetëm të shlyejë rregullisht kreditorët, sipas planit të parashikuar, por edhe të bëjë pagesa në avancë për një pjesë të kreditorëve kryesorë të siguruar. Gjatë 6-mujorit të parë 2018, vihet re rritje e ndjeshme në prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et e shoqërisë, duke arritur një prodhim për vetëm 6 muaj rreth 275.000 MW, prodhim i cili është gati sa i gjithë prodhimi vjetor i vitit 2017. Kjo si rezultat i vitit të pasur me reshje dhe situatës së mirë hidrike. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike dhe të ardhurat nga shitja e energjisë, kanë përmirësuar ndjeshëm treguesit financiarë të 2018-s.

Në fillim të vitit 2016, Kurum shpalli falimentin për efekt ristrukturimi. Çfarë ndryshoi me kompaninë pas këtij procesi?

Kuptohet në një proces i tillë falimenti me riorganizim, një situatë e re dhe e paprovuar nga asnjë korporatë tjetër shqiptare, solli edhe ndryshime në mënyrën e organizimit, drejtimit, mbikëqyrjes dhe ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë. Shoqëria, gjatë periudhës së parë të procesit deri në miratimin e Planit të Riorganizimit, ishte me vetadministrim, por me Administrator Falimenti znj. Lindita Kikino, e cila ushtron, edhe pas Miratimit të Planit të Organizimit, funksionin e Mbikëqyrëses së Falimentit, funksion ky që do të vazhdojë përgjatë gjithë periudhës së riorganizimit. Organet kryesore drejtuese të shoqërisë u ristrukturuan dhe u ndryshuan.

Shoqëria, në marrëveshje me kreditorët, ka zgjedhur Këshillin Mbikëqyrës të Ri, ku për herë të parë anëtarët janë persona të ardhur nga mjedisi i jashtëm, me integritet dhe me eksperiencë në fushat përkatëse të tyre, dy anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Ortakëve dhe një anëtar i propozuar nga Komiteti i Kreditorëve.

Këto ndryshime, sollën patjetër ndryshimin e pritur edhe në aktivitetin e Bordit drejtues ekzekutiv, duke rezultuar më eficient, të orientuar drejt zbatimit të Planit të Riorganizimit, për të garantuar shlyerjen e kreditorëve, dhe në thelb: garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit të shoqërisë, për ta rikthyer në vendin që i takon në industrinë shqiptare dhe atë rajonale.

Si pritet të mbyllet aktiviteti këtë vit për sa u përket treguesve financiarë?

Për vitin 2018, rezultatet financiare priten më të mira se në vitin 2017, kjo për vetë faktin që sektori i energjisë elektrike ka performuar shumë më mirë se në 2017-n, ndaj pritet të mbajë peshën kryesore në fitimin në tërësi. Nga rezultatet paraprake të 6-mujorit, pritshmëria është në të paktën 10% rritje të të ardhurave në total dhe me rritje të ndjeshme, (mbi 100%) të rezultatit neto, pra fitimit të shoqërisë.

Faktor negativ që mund të ndikojë në rezultatin financiar është efekti nga kursi i këmbimit Euro-Lek, si pasojë e zhvlerësimit të ndjeshëm në pjesën e parë të 2018-s të monedhës europiane. Objektivat e shoqërisë janë sigurimi i një fitimi para tatimit në shumën 700-750 milionë lekë, duke arritur në nivel të ardhurash 21 miliardë lekë.

Cilat janë planet e kompanisë në të ardhmen, në drejtim të investimeve?

Shoqëria gjatë 2017, 2018 e deri në fund të 2019 është përfshirë në një proces të rëndësishëm investimi për rehabilitimin e Hidrocentralit të Ulzës, projekt i financuar pjesërisht nga 3 LC të parashikuara përpara procesit të falimentit, investim i cili po ecën me ritme të kënaqshme dhe pritet të ndikojë mjaft pozitivisht në përmirësimin e eficencës së HEC Ulëz, duke rritur prodhimin dhe duke shtuar rentabilitetin.

Gjithashtu, sipas parashikimeve edhe në planin e riorganizimit, shoqëria gjatë 2019 do të investojë në fabrikën e petëzimit duke ristrukturuar Furrën e Petëzimit, për ta bërë të mundur shtimin e kapacitetit të fabrikës së Petëzimit. Investimi i parashikuar është diku tek 1 milion euro dhe në përfundim do të garantojë që i gjithë prodhimi i prokateve në fabrikën e çelikut, të mund përpunohet dhe kthehet në hekur ndërtimi në Fabrikën e Petëzimit. Në përfundim të 2019, pritet që kapaciteti total i fabrikave (çelik-petëzim) të arrijë në 450.000 tonë në vit.

Rikthehen investimet

Sipas parashikimeve edhe në planin e riorganizimit, shoqëria gjatë 2019 do të investojë në fabrikën e petëzimit duke ristrukturuar Furrën e Petëzimit, për ta bërë të mundur shtimin e kapacitetit të fabrikës së Petëzimit.

Revista Monitor,  22.09.2018