Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria rrezikon prodhimin e brendshëm të energjisë dhe falimentimin e HEC-eve

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) shprehen të zhgënjyera në një deklaratë zyrtare për mosreflektimin e institucioneve ndaj shqetësimit të ligjshëm të tyre mbi vendimin e Këshillit të Ministrave për ndryshimin e VKM nr. 687 “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve eksistues”.

Duke analizuar në detaje efektin që sjell ky vendim, AREA dhe FIAA dalin në përfundimin se, me uljen e çmimit qeveria vë në vështirësi operimin e HEC-eve të vegjël dhe prodhimin vendas, pasi cënon fizibilitetin e investimeve në burimet e rinovueshme, duke ndikuar negativisht në bilancin ekonomik të këtyre sipërmarrjeve me ndikim të drejpërdrejtë pozitiv në sektorin energjitik dhe në ekonominë shqiptare.

Ndryshimi i bonusit është në vazhdën e ndryshimeve të shpeshta, gjithmonë përkeqësuese ndaj prodhuesve të energjisë së rinovueshme, që dëmtojnë drejtpërdrejtë investitorët shqiptarë e të huaj dhe sektorin energjitik në plan afatshkurtër dhe afatgjatë.

Vendimi i qeverisë rrezikon falimentimin e këtyre investimeve me vlerë mbi 600 milionë euro e me mijëra të punësuar, duke e bërë të pamundur kështu edhe misionin për të ulur çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Ulja e çmimit rrezikon që investitorët e thirrur për të investuar vetë nga qeveria shqiptare, të mos jenë në gjendje të shlyejnë investimin e tyre, duke cënuar kështu edhe bankat që kanë mbështetur projektet e tyre ambicioze për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Për pasojë, vendimi ka pasoja negative edhe në klimën e investimeve.

Kjo VKM cënon sigurinë juridike të kontratës koncesionare, pasi e bën çmimin e energjisë më të ulët se kostoja e investimit. Për këtë arsye AREA dhe FIAA i kanë kërkuar qeverisë shqiptare ta tërheqë VKM-në, përndryshe do të ndjekin të gjithë hapat ligjorë, deri në përballjen në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Vendimi i qeverisë është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë konsultim, sikundër është i paargumentuar, pasi është po kjo qeveri që e vendosi metodologjinë në nëntor të vitit 2017.

Ndryshimi i bonusit dekurajon prodhimin vendas. Duke goditur prodhuesit e energjisë, qeveria nuk po investon më për të ardhmen e prodhimit vendas, por për të ardhmen e prodhimit të vendeve nga ku importohet energjia.

Ky vendim varfëron investitorët që kanë zgjedhur vendin tonë për të investuar, duke dëmtuar kështu ekonominë kombëtare, ndërsa promovon dhe pasuron investitorët e vendeve importuese të energjisë elektrike, duke e bërë akoma më të varur energjitikisht Shqipërinë, përfundon deklarata.

Ndryshimi i formulës

Qeveria ka vendosur pak ditë më parë të ndryshojë formulën me të cilën iu blihet sot energjia prodhuesve me përparësi të energjisë, që janë HEC-et private. Eshtë vendosur ulja e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.30 në 1.20. Ky bonus është një nga tre elementët që përfshin formula e miratuar në vitin 2017 dhe e kundërshtuar gjerësisht në atë kohë nga investitorët pasi ulte në mënyrë të dukshme çmimin e rënë dakord në kontratat fillestare koncesionare të nënshkuara me shtetin shqiptar. E cilësuar si një formulë reale në atë kohë edhe pse e kundërshtuar gjerësisht çmimi vjetor i blerjes ka në bazë bursën hungarse HUPX DAM.

“Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/këh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.30 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit” thuhet në vendimin e vitit 2017. Tashmë e njëjta formulë do të zbatohet duke aplikuar si bonus promovimi për burimet e rinovueshme në masën 1.2 që automatikisht ul çmimin vjetor final në çdo skenar.

Monitor,  27.05.2020