Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Biznesi pesimist, çfarë do ndodhë pas mbarimit të TAP

Pjesa më e madhe e bizneseve janë pesimistë për ecurinë e aktivitetit të tyre në vitin 2020. Euro e ulët ka goditur eksportuesit, konsumi është i dobët dhe pritet të jetë edhe më i ulët pas tërmetit, politikat mbështetëse të qeverisë mungojnë. Bizneset e anketuara nga Monitor në fusha të tilla si industria e tekstileve e këpucë, prodhimi i naftës, industria minerale, ajo e metaleve, çimentos etj presin një ecuri modeste këtë vit. Edhe projektet e mëdha si psh gazsjellësi TAP, që kishte një efekt zinxhir në shumë biznese të tjera vitet e fundit, që nga ndërtimi, transporti e konsumi i naftës, apo dhe HEC-et mbi lumin Devoll, tashmë kanë përfunduar.

TAP, në 2020-n pritet të fillojë operimi, Shqipëria nuk përfiton

Projekti më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ai i gazsjellësit TAP, një investim prej 1.5 miliardë eurosh është tashmë drejt fundit.

Burime nga kompania pohuan se është bërë bashkimi i seksionit shqiptar me atë grek. Nga kufiri greko-turk deri në Adriatik, gazsjellësi ka nisur të testohet.

TAP, gjatë vitit 2020, pas mbarimit të parakolaudimit dhe kolaudimit pritet që të nisë nga operimi, duke realizuar kalimin e gazit të parë nga Azerbajxhani drejt Europës.

Në Shqipëri po ngrihen strukturat e AGS (kompani e përbashkët mes midis Snam dhe Albgaz) për mirëmbajtjen e gazsjellësit, seksionit tokësor në Shqipëri.

Ndërsa i mori përfitimet në injektimin e kapitaleve gjatë procesit të ndërtimit, Shqipëria nuk pritet të ndikohet nga kalimi i gazit, të paktën në afatin e shkurtër e të mesëm. Sipas burimeve nga Ministria e industrisë dhe Energjisë, qeveria shqiptare nuk ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për sasi gazi.

Në afatin e gjatë qeveria po harton një masterplan për gazifikimin e vendit, që do të shfrytëzonte gazin që do të rrjedhë në tubacionet që kalojnë në nëntokën shqiptare. Plani parashikon të ndërtohet një tubacion gazi midis qyteteve shqiptare të Fierit dhe Vlorës për të siguruar furnizimin e gazit me Shqipërinë si pjesë e projektit të Korridorit Jugor të Gazit.

Prodhimi dhe konsumi i naftës priten dobët

Kompanitë nxjerrëse të naftës nuk janë shumë optimiste për këtë vit. Operatorët më të mëdhenj në treg pohojnë se nuk parashikojnë të kryejnë investime në shtimin e puseve të reja, të paktën në gjashtëmujorin e parë të vitit, si një formë për të rekuperuar dhe shpenzimet e larta të kryera në 2019-n.

Shpresa e tyre është të rritja e çmimit të naftës, që mund të vijë për shkak të konfliktit në Iran. Nëse niveli i çmimeve do të arrinte në 90-100 dollarë për fuçi, kjo do të ndikonte në fillimin e investimeve në gjysmën e dytë të vitit.

Edhe operatorët tregtues të naftës janë të matur. Luigj Aliaj, nga Kastrati, tregtuesi më i naftës me shumicës dhe pakicë në vend, pohon se konsumi i naftës nuk është në rritje. “Nuk ka burime të reja rritjeje. Nëse do të mbahet kjo tendencë do të jetë shumë mirë”. Ai shton se konsumatorët e mëdhenj po ikin, qytetarët kanë filluar të ulin konsumin se në kohë krizash kursejnë.

Kurum, rritja maksimale nuk do i kalojë 5%

Kurum, kompania e prodhimit të çelikut, kishte shënuar një rritje pozitive tre vitet e fundit, pasi procesi i falimentimit për efekt ristrukturimi i nisur në 2016-n, rezultoi i suksesshëm. Në 2018-n, të ardhurat e kompanisë arritën nw 26 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 30%, sipas të dhënave zyrtare nga bilanci. Në 2018-n, Kurum ishte eksportuesi më i madh në vend, sipas të dhënave nga tatimet, me rreth 160 milionë euro, duke ia kaluar dhe Bankers Petroleum, përpunuesit të naftës.

Por, për 2020, drejtuesit e kompanisë nuk janë shumë optimistë as për tregun e brendshëm dhe as për atë të eksportit. Arif Shkalla, drejtor i financave në Kurum pohoi se këtë vit ata e presin pak a shumë në të njëjtat nivele me 2019-n, me një rritje jo më shumë sesa 5%, apo dhe rënie po me të njëjtat nivele. Ai nuk është shumë optimist as për efektet që do të ketë procesi i rindërtimit. “Rindërtimi vërtet do të rrisë kërkesën për materiale ndërtimi në afatin e shkurtër, por nga ana tjetër, konsumatori do të jetë shumë më i kujdesshëm në blerjen e apartamenteve, dhe kërkesa për to do të orientohet drejt banesave më cilësore, rrjedhimisht më të shtrenjta, lejet e ndërtimit do të jenë më të vështira, pra nuk pritet vazhdim për një kohë të gjatë i bumit të ndërtimit”.

Edhe për tregjet e eksportit, që përbëjnë 65% të shitjeve të Kurum, parashikimi mbetet i moderuar. “Pasiguria politike në Kosovë dhe së fundmi në Maqedoni, ku e para është pa qeveri e buxhet dhe e dyta po shkon në zgjedhje, mund të frenojë kërkesën në këto dy vende, duke rrezikuar eksportin”, thotë Shkalla.

Në fillim të vitit 2016, Kurum shpalli falimentin, për efekt ristrukturimi. Në qershor 2016 u miratua pretendimi i kreditorëve që ishte 226 milionë euro, për të cilat nuk pati kundërshtime. Kredia në 6 banka shqiptare arrinte në total 35 milionë euro. Ndaj IFC, pretendimi ishte 72 milionë euro dhe Bankës së Detit të Zi, 17 milionë euro (të dyja të siguruara, së bashku me pjesën e bankave shqiptare që ishin palë në kredinë sindikatë). Pjesa tjetër e pretendimit ishte ndaj bankave turke.

Pas një procesi të zgjatur në gjykatë, më 30 qershor 2017 u miratua me vendim gjykate dhe votat e kreditorëve plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave. Nga 1 janari 2018 filloi pagimi i rregullt i principalit dhe interesat (interesa çdo muaj dhe principali çdo tre muaj).

Në muajin dhjetor 2018, Gjykata e Tiranës i dha fund procedurës së falimentimit, duke e kthyer shoqërinë në gjendjen e mëparshme, për të vijuar të zbatojë planin e ri organizimit të saj për të gjithë periudhën e zbatimit deri në vitin 2024.

Procesi i ristrukturimit të kompanisë dhe i pagimit të kredive po vijon ndërkohë me hapa të shpejtë, ndërsa po del tashmë nga lista e kreditorëve të këqinj.

Mineralet, e ardhmja gri, kompanitë shohin pak mundësi për rritje

Në skenarin më të mirë sektori minerar pritet të jetë në stanjacion gjatë këtij viti. Mundësitë për rritje duken të vogla. Bazë e këtij parashikimi duket se janë zhvillimet e përgjithshme në sektor në dy vitet e fundit dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me tregun vendas. Njohës të mirë të fushës dhe ekspertë të tregut vlerësojnë se ky vit për shkak edhe të situatës së post-tërmetit edhe prej çmimeve në tregun global nuk premton shumë. Tek-tuk mund të ketë edhe ndonjë përjashtim për më mirë brenda vetë sektorit, por kjo është e rrallë.

“Në vlerësimin e ecurisë të këtyre viteve për 2020 si rezultat dhe i ngjarjes së jashtëzakonshme në vend ecurinë e sektorit në përgjithësi do e parashikoja më e mira në stanjacion, por në një vlerësim real në rënie. Prodhimi i mineraleve si tonazh do të rritet si rezultat i kërkesës në rritje për materiale ndërtimore, që do të reflektohet për efekt të procesit të rindërtimit, por në sektorët e mineraleve të tjerë ndikimi do të jetë negativ. Optimizmi për të hyrë në tregun e nikelit mund të sjellë investime të reja përgjatë 2020, por në sektorët e tjerë nuk vërej investime të reja kjo dhe për faktin se pak po promovohen, dhe nuk po punohet fare në rivlerësimin e burimeve ekzistuese apo punë kërkimore për burime të reja” tha Sokol Mati, këshilltar pranë disa prej aktorëve kryesorë në fushën minerare.

Përfaqësues të Albchrome, një prej kompanive kryesore në vend thanë gjithashtu se për këtë vit tregu parashikohet të jetë në luhatje dhe me mundësi të paketa për rritje. Një impakt direkt në këtë situatë duket se e jep edhe kostoja e lartë e prodhimit që ndikohet sidomos nga energjia. Operatorët që kanë aktivitet në sektorin minerar dhe janë të lidhur në tension të lartë ose të mesëm 35 kilovolt kanë detyrimin që të gjejnë vetë energjinë përmes furnizuesve të pavarur çka në vite të thatë si 2017 apo 2019 i ekspozon ata ndaj kostove të larta. “Çmimi pritet jenë në nivele aktuale edhe për të paktën 3 muajt e parë të vitit. Gjatë kësaj periudhë parashikimi i prodhimit të Ferrokromit në Shqipëri pritet të jetë rreth 40% e kapacitetit të instaluar.

Sot në Shqipëri janë gjithsej 100.000 ton kapacitet prodhuese për prodhimin e ferrokromit dhe ka hapësirë edhe për shtim të kapaciteteve në vijim. Por kosto e lartë e prodhimit e ndikuar kryesisht nga energjia elektrike bën që sot vetëm 40% të këtyre kapaciteteve të jenë aktive. Në rast se situata e tregut nuk përmirësohet, dhe çmimet e energjisë vazhdojnë në këto nivele, prodhimi i Ferrokromit në Shqipëri nuk është rentable as konkurrues dhe rrezikon të ndërpritet 100%” nënvizojnë përfaqësuesit e Albchrome.

Lidhur me ecurinë e sektorit në vitin që lamë pas, Sokol Mati vlerëson se sektori minerar nga viti në vit po humbet potencialin e tij në ekonominë shqiptare, duke qenë në nivelet e 2-3% në PBB-në e vendit. “Ecuria përgjatë 2019 ka qenë në nivele pothuajse të njëjta me atë përgjatë këtyre tre viteve te fundit, në një gjendje stanjacioni, me ulje ngritje përgjatë vitit, pa ndonjë ndikim në ekonominë e vendit, me një perceptim në rritje në drejtim të vështirësisë së të bërit biznes në këtë sektor, vështirësisë së gjetjes së financimeve për të, pa asnjë të re për tu shënuar në drejtim të shfrytëzimit të burimeve të reja apo mineraleve të rinj”, shprehet ai.

Por teksa situata e përgjithshme e udhëhequr nga zhvillimet në tregje nuk ka qenë shumë optimiste duket se edhe mjedisi i të zhvilluarit të këtij aktiviteti në vend ka qenë më i vështirë. Sokol Mati nënvizon se aplikimi i urdhrave administrative si akte ligjore në vend ëe legjislacionit te miratuar dhe transparent po bëhet mundësi korrupsioni dhe vendimesh arbitrare për të mos shtuar që kemi dhe raste të moszbatimit korrekt të ligjit. “Këto vetëm pengojnë dhe amplifikohen në një mjedis të vështirë biznesi siç është rasti i biznesit minerar.

Ndryshimet në legjislacione të tjera të lidhur me biznesin minerar, sidomos atij mjedisor, në këto vite të pakoordinuara ose të pavlerësuara si duhet nga institucionet minerare kanë krijuar kaos, dhe punë të tensionuar” nënvizon ai.

Monitor,  27.01.2019