Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Moti i qetë lë Britaninë nëntë ditë pa energji ere

Britania e Madhe ka nëntë ditë pa pothuajse aspak energji të gjeneruar nga era, ndërkohë që parashikimet tregojnë se kushtet e qeta të motit do të vijojnë edhe për dy javë të tjera.

Thatësira e erës i ka shtyrë çmimet e energjisë në më të lartat të së paku një dekade për këtë periudhë të vitit. Me përjashtim të një rritjeje të prodhimit nga era rreth datës 14 Qershor, nivelet e erës pritet të qëndrojnë të ulëta për dyjavëshin në vijim, duke mbajtur çmimet e energjisë mjaft të larta.

Turbinat e erës në Britani mund të prodhojnë po aq energji sa 12 reaktorë bërthamorë kur kushtet janë të duhura. Gjatë stuhisë që goditi vendin në Mars, të quajtur “Bisha nga Lindja”, impiantet eolike gjeneruan nivele rekord energjie dhe madje arritën të zinin pjesën më të madhe të prodhimit të elektricitetit në vend.

Megjithatë, prodhimi i ulët i energjisë nga era nuk shihet si një rrezik në Qershor, kur kërkesa është shumë e ulët. Por nëse shfaqet një ditë pa erë në mes të dimrit të errët, kur kërkesat janë më të larta, kjo mund ta cënojë sistemin energjetik në vend.

Ditën e mërkurë, era prodhoi vetëm 4.3% të elektricitetit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërkohë që gazi zuri 54% dhe impiantet bërthamore zunë 25%.

Disa analistë kanë quajtur të pakujdesshme për sigurinë energjetike mbështetjen në energjinë e erës, diellore dhe bateri për të furnizuar pjesën më të madhe të energjisë elektrike.

Duket se qeveria britanike është në dijeni të këtij problemi, pasi ditën e hënë, sekretari i energjisë, Greg Clark, deklaroi se qeveria do të ndihmojë kompaninë japoneze Hitachi të ngrejë një reaktor të ri bërthamor në veri të Uellsit, një projekt i cili pritet të kushtojë të paktën 20 miliardë paund.

Scan Tv,  07.06.2018