Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Liberalizimi i tregut, ERE propozon metodologjinë e re

Enti Rregullator i Energjisë(ERE)  ashtu sikurse  paralajmëroi më herët ka nisur procedurën për rishikimin e metodologjisë mbi të cilën përllogaritet çmimi për klientët që marrin shërbimin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit që ofrohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Në vetvete drafti i nxjerrë për konsultim ka pësuar disa ndryshime që lidhen me mënyrën e parashikimit të kostove nga ana e furnizuesit ndërkohë që vendos edhe një çmim dysheme nën të cilin ky furnizues nuk mund të shesë energjinë. Ky nivel dysheme e bën tregun automatikisht gjysmë të liberalizuar.

Metodologjia e re e propozuar

Aktualisht në fuqi është metodologjia e cila ka në bazë tre elementë ku mes të tjerash koston direkte të furnizimit me pakicë, tarifën e përdorimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes për periudhën relevante si dhe një shtesë 10 për qind të çmimit final që sipas ERE është për të mbuluar riskun. Kjo metodologji u hartua në kohën kur u mendua klientët që dilnin në treg të lirë dhe  furnizoheshin nga furnizuesi i mundësisë së fundit do të merrnin këtë shërbim për një periudhë dy mujore. Tashmë faza tranzitore u shty me dy vite për konsumatorët  e lidhur në 35 kilovolt.

Metodologjia e re e propozuar nga ana e ERE ka pësuar disa ndryshime ku mes të tjerash përveç kostos direkte të furnizimit, saktësohet se çmimi maksimal i blerjes së energjisë për periudhën e furnizimit  duhet t’i referohet tregut të parregulluar ose blerjes nga prodhuesit me përparësi (BRE). Po kështu shtesë në metodologjinë e re është përfshirja e elementëve kthim për riskun i përcaktuar për vitin dhe kosto administrative të Furnizuesit te Mundësisë së Fundit.

Vendosja e një çmimi dysheme

E ndërsa OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit ka nxjerrë muaj pas muaji çmime të ndryshme në varësi të çmimit me të cilin ka siguruar energjinë, ka qenë ERE ai që ka përcaktuar çmimin e fundit. Kështu për janarin OSHEE ka llogaritur një tarifë 11.6 lek/kwh, për shkurtin 8.86 lekë/kwh për marsin 7.74 lekë/kwh dhe prillin 7.67lekë/kwh dhe maji 7.86 lekë/kwh.

Për periudhën shkurt – mars – prill ERE ka përcaktuar se çmimi nuk mund të jetë aq sa ka përcaktuar OSHEE dhe për këtë ka vendosur çmimin 9.5 lekë. Për majin ende pritet një vendim. Argumenti i ERE  në këtë pjesë lidhet me detajimin më të mirë të kostove dhe riskut nga ana e OSHEE.

Në metodologjinë e re ERE përcakton me një pikë të re në nenin 8.

“Në çdo rast ky çmim nuk do të jetë më i ulët se çmimi i shitjes me pakicë te klientët që furnizohen në atë nivel tensioni sipas Vendimit të Bordit të ERE-s nr. 148, date 26.12.2014” thuhet në metodologji.

Automatikisht ky përcaktim vendos një çmim dysheme nën të cilin nuk mund të bjerë çmimi i energjisë që Furnizuesi i Mundësisë së Fundit u shet konsumatorëve të lidhur në 35 kilovolt. Ky çmim sipas vendimit është 9.5 lekë/kwh me një rritje në pik  në 10.93 lekë/kwh.

Revista Monitor,  14.05.2018