Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Domosdoshmëria e menaxhimit të rreziqeve në konçesionet hidroenergjitike

Pavarësisht nga rëndësia shumëplanëshe për ekonominë, investimet në hidroenergjetikë paraqesin sfida komplekse në menaxhimin e tyre në praktikë. Për të mundësuar përthithjen e kapitaleve private e të huaja, nga të gjitha qeveritë është synuar përdorimi i modeleve më të gjera të partneritetit. Çështja është si ka rezultuar menaxhimi i tyre dhe ku kanë konsistuar problemet për palët? Çfarë pritet apo këshillohet në të ardhmen lidhur me përmirësimin e menaxhimit të këtyre projekteve?

Problemet e menaxhimit të investimeve hidroelektrike

Në Shqipëri, praktikat ligjore të bashkëpunimit me sipërmarrjen private për të mundësuar vënien në eficiencë të burimeve natyrore janë kontraktuar për më shumë se 100 vjet! Përkundër periudhës së gjatë, të kësaj forme të rëndësishme bashkëpunimi për ekonominë, problemet duket se nuk kanë munguar në praktikë.

Kjo është mbajtur në konsideratë në lidhje me përshtatjen në vazhdimësi të kuadrit ligjor të përdorur për vënien në shfrytëzim të kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike nga veprat hidroenergjetike.

Megjithatë, problemet midis palëve duket se janë të pashmangshme tërësisht edhe në varësi të kompleksitetit jo vetëm gjatë ndërtimit, por edhe ndërvarësisë gjatë operimit nga faktorë të jashtëm, siç janë ata lidhur me variacionet atmosferike, evolucioni i tregut të energjisë e kështu me radhë.

Prospektiva e rritjes së kërkesës dhe nevoja për zhvillimin e veprave të reja energjetike

Në përputhje me zgjerimin e vazhdueshëm të ekonomisë shqiptare, kërkesa për energji elektrike është dashur vazhdimisht të ballafaqohet me pamjaftueshmërinë e prodhimit të saj nga burimet kombëtare.

Që nga viti 1999, me fare pak përjashtime, vendi ka regjistruar një deficit të theksuar në mbulimin e kërkesës për energji elektrike, duke u shndërruar në një importues të madh neto nga vendet e rajonit. Sa këtu është reflektuar në kosto të larta financiare, që kanë vënë në vështirësi sistemin elektroenergjetik shqiptar dhe financat e buxhetit të shtetit.

Për më shumë, lidhur me të ardhmen deri në vitin 2030, kërkesa për energji elektrike bazuar në skenarin bazë të ERE-s me një normë rritjeje prej 1.5%, apo studimin rajonal “SLED EJL 2016” deri në 3%, parashikohet të kalojë nga 7.1 TWh respektivisht në 10.8 deri në 13 TWh. Një rritje që e bën të domosdoshme ndërtimin e centraleve të reja gjeneruese. Ky kontribut pritet të vijë nga burimet me kosto më të ulët (LCOE).

Në këtë kuadër, pjesën kryesore me siguri do ta përbëjnë ato hidroelektrike, duke përfituar prej një potenciali me fluks mesatar 1,245 m³/s, nga një lartësi mesatare prej 700 m me përmbi 40 miliardë m³ ujë në vit. Faktorë që kanë shtyrë dhe do të vazhdojnë të tërheqin shumë kompani vendase dhe të huaja me reputacion të lartë ndërkombëtar, të interesuara për të investuar në sektorin hidroenergjetik.

Rëndësia ekonomike dhe modelet e ofruara në promovimin e sektorit hidroenergjetik

Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se partneritetet në koncesione infrastrukturore përbëjnë një komponent të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Për vitin 2016, investimet e huaja arritën në rreth 1 miliard euro, duke stimuluar rritjen deri në 3.4%. Pjesa më e madhe e stokut të investimeve të huaja, në përmbi 70% është fokusuar në energji (përfshirë naftën dhe gazin). Investimet në hidroenergjetikë kanë arritur 1 miliard dollarë përgjatë 15 viteve të fundit. Një injektim financiar i rëndësishëm me një rritje në terma realë prej pothuajse 10% vetëm në vitin 2017.

Modeli i përdorur më së shumti është ai Koncesioneve/PPP, që ofrohet në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, me qëllim “për të tërhequr” kapitalin privat. Një model i rekomanduar, nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFI’s) që asistojnë sektorin, për shkak të mungesës së zhvillimit të tregut të këtyre vendeve në krahasim me pjesën tjetër të BE-së.

Kjo përcaktohet edhe nga mungesa e hapësirës fiskale shtesë për të bërë investime në sektorin energjetik dhe veçanërisht atë të gjenerimit. Por mbi të gjitha, është parësore për të zvogëluar pjesëmarrjen e sektorit publik, në mënyrë që të nxitet procesi i liberalizimit. Për këtë, çdo qeveri do të vazhdojë edhe më tej të inkurajojë investitorët, veçanërisht me kapital të huaj, për të hyrë në sektorin e prodhimit të energjisë.

Reforma, një mundësi e “artë” për të përmirësuar menaxhimin e koncesioneve/PPP

Nisur nga problemet e verifikuara midis palëve, reforma si fjala kryesore e programit ekonomik të qeverisë është e mirëpritur veçanërisht në lidhje me rritjen e investimeve të huaja. Reformë që tashmë është në fazën përgatitore të ndërhyrjes në sektorin e energjisë nga përmirësimi i procedurave administrative për kompanitë (modeli one stop shop) te derregullimi i furnizimit të energjisë. Një qasje e konsideruar esenciale për zhvillimin e partneriteteve dhe në veçanti, krijimin e një sistemi të sigurt dhe mjedisi të qëndrueshëm për investimet hidroelektrike.

Perspektiva e re e ofruar nga liberalizimi dhe integrimi në tregun e energjisë

Pavarësisht zhvillimeve të teknologjive të reja, përdorimi i fuqisë ujore, nga e cila njerëzimi ka përfituar ndër shekuj, pritet të mbetet forma më ekonomike e prodhimit të energjisë (sipas sa sjellë nga studimi SLED në rastin më ambicioz me një dyfishim të kapacitetit të instaluar deri në vitin 2030).

Në këtë spektër, vlerësohet se kuadri ligjor i sektorit të energjisë rishikuar së fundmi, ai i ri i energjive të rinovueshme, si dhe përshtatja e rregullave për PPP-të, favorizojnë ndërtimin e veprave të mëdha. Përveç të tjerave, kjo kontribuon edhe në mbështetjen e adresimit të shqetësimeve klimatike globale, ku vendi është pjesëmarrës me Marrëveshjen e Parisit.

Por, mbi të gjitha, është gjithashtu në përputhje me shqetësimet e ambientalistëve për të shmangur mbingarkesën në shfrytëzimin e burimeve të vogla ujore, në interes të komuniteteve lokale.
Në të njëjtën kohë, ndjekja e projekteve mbështetur edhe në analizën e skenarëve të tregut, siguron qëndrueshmëri më të madhe, duke pasur parasysh se periudhat më të thata shoqërohen me çmime më të larta të energjisë në treg, dhe ato me ulje të temperaturës me një konsum më të madh të energjisë elektrike.

Ndërsa kompanitë prodhuese mund të përfitojnë nga menaxhimi dhe operimi në një sërë drejtimesh shtesë si tregu spot i energjisë, shërbimet ndihmëse, furnizimi direkt, etj. Perspektivë që faktikisht po çon në lançimin së afërmi për herë të parë edhe në fushën e energjisë të disa projekteve me “vulën” e marrë nga ligji i investimeve strategjike.

Analiza e identifikimit të riskut në partneritetet hidroelektrike

Nga ana tjetër, fakti i ndjekjes brenda një kohe shumë të shkurtër të masave të reja rregullatore lidhur me liberalizimin e tregut, ka krijuar një klimë “pasigurie” apo stepje, veçanërisht për investitorët tradicionalë të bazuar vetëm në aktivitetin e prodhimit.

Megjithatë, veçoria kryesore e përbashkët e PPP-ve të çdo modeli qofshin, përfshirë kontratat e koncesionit ROT, BOT, BOOT, bazohet në një marrëveshje ku rreziqet shpërndahen midis palëve sipas parimit që ato duhet t’i caktohen atij, që mund t’i menaxhojnë më mirë dhe me kosto më të ulët.

Përmbledhur, rreziqet që shkojnë përtej mundësive të parashikueshme dhe në dëm të investitorëve, mund të grupohen në tre kategori: pamundësia për të përfunduar projektin (p.sh. vështirësitë në gjetjen e financave në varësi të ndryshimit të situatës ekonomike ose perceptimit të klimës së biznesit); ndryshimet gjatë operimit (p.sh. në flukset natyrore vjetore, ndërhyrjet në rrjedhën e sipërme të pellgut lumor etj.); ndryshimet në politikat publike dhe rregullatore (p.sh. lidhur me kushtet themelore të marrëveshjes, metodologjitë e tarifave të reja, trajtimi i disbalancave, bllokimi i tregut nëpërmjet kontratave preferenciale midis kompanive publike, shtrembërimi i mekanizmave të tregut, etj.).

Për sa më sipër, analiza paraprake e riskut të projektit është thelbësore për të strukturuar transaksionin e secilit partneritet. Një analizë që duhet të shërbejë për të marrë një vendim mbi llojin e kontratës që do të duhet të zbatohet në strukturën e partneritetit për të siguruar dhe për të menaxhuar rreziqet e projektit në mënyrën më efikase. Kontrata që përkthehen në ligj në marrëdhëniet midis palëve, duke u respektuar ose duke u modifikuar ekskluzivisht me pëlqimin e plotë të tyre, për tërë kohëzgjatjen e partneritetit.

Rekomandime për menaxhimin e investimeve ekzistuese në Hidroenergjetikë

Kohët e fundit, Banka Botërore ka përfshirë për herë të parë edhe Shqipërinë në raportin e saj “Standardet dhe Rregullat e Prokurimeve të PPP-ve 2017”. Sipas raportit, Shqipëria merr një vlerësim më të lartë në fazën e përgatitjes së projekteve dhe menaxhimit të propozimeve të pakërkuara.

Që do të thotë se çfarë kërkohet nga investitorët është përmbushur relativisht kënaqshëm. Ndërsa menaxhimi i projektit, në këtë raport, merr vlerësimet më të ulëta (vetëm 55 nga 100 pikë), fakt që bën të domosdoshëm të punuarin me autoritetet publike për të përmirësuar më tej edhe këtë proces.

Në përfundim, pavarësisht nga debati mbi përdorimin e burimeve hidroelektrike, qeveria shqiptare ka konfirmuar gatishmërinë për të ecur përpara me ndërtimin e tyre. Në këtë kuadër, gjykohet se promovimi më i mirë për investimet e reja fillon me ruajtjen e atyre ekzistuese.

Sidoqoftë, çdo rishikim eventual do të duhet të arrihet në marrëveshje me palët e interesuara, për të siguruar vazhdimësinë e suksesshme të projekteve. Për këtë, thelbësore është ekspertiza e mirëfilltë për të asistuar me plotësimet që dalin të nevojshme nga praktika, bazuar në modelet më të mira europiane në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve.

Revista Monitor,  17.03.2018