Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Historia e hidrocentralit të Skavicës! Si u miratua projekti në vitin 1963

Qeveria shqiptare ka deklaruar se do të ndërtojë me fonde publike hidrocentralin e Skavicës, një projekt i ideuar në vitet ’60, i diskutuar në vitet ’80 por deri më tani i pakonkretizuar.

Tashmë marrëveshja është nënshkruar me kompaninë amerikane, Bechtel e cila ka realizuar një serë veprash të rëndësishme infrastrukturore në botë dhe prej disa vitesh është prezente në Ballkan, ku ka ndërtuar rrugën e Kombit në bashkëpunim me kompaninë turke Enka dhe autostradat në Kosovë.

Por cila është historia e këtij hidrocentrali?

Historia  këtij hidrocentrali lidhet me skemën e shfrytëzimit të lumit Drin, e cila u miratua në fillimin e viteve ’60 dhe parashikonte ndërtimin e 5 hidrocentraleve në lumin Drin, ku ai i Skavicës,  parashikohej që të luante rolin e rregullatorit të 4 hidrocentraleve të tjera dhe në këtë mënyrë kompletohej skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit.

Diskutimet për shfrytëzimin e lumit Drin kanë nisur që herët në Shqipëri, por idetë konkrete kanë nisur të hidhen në letër në vitet ’60.

Inxhinieri i njohur Emin Musliu në librin e tij ‘Veprat e mëdha hidroenergjitike në 65 vjet” shpjegon se si u hartua skema e shfrytëzimit të lumit Drin.

“Deri në vitin 1960, nga disa studime paraprake që ishin bërë për shfrytëzimin e luimit Drin nga specialistët tanë dhe të huaj mbizotëronte mendimi se ai duhej të shfrytrëzohej me diga 50-60 metra të larta pasi në atë kohë ato ishin edhe më të mundshme për t’u projektuar e ndërtuar.

Por një shfrytëzim i tillë i drinit ishte kundër ekonomik sepse kërkonte kohë të madhe ndërtimi për të plotësuar nevojat për energji që kishte vendi dhe mbi të gjitha nuk lejonte krijimin e akumulacioneve të mëdha që të bëhej rregullimi i prurjeve të lumit Drin dhe të përmirësohej cilësia energjetike gjatë vitit” shkruan Musliu.

Që në fillim të studimit për shfrytëzimin e potencialit hidro-energjetik të lumit Drin u pranua teza se Drini duhej të shfrytëzohej duke u ndërtuar liqene artificiale sa më të mëdha me qëllim që të bëhej rregullimi vjetor dhe shumëvjeçar i prurjeve të ujit se hidrocentralet e ndërtuara mbi Të të mbulojnë sa më mirë kërkesat e konsumatorëve me energji elektrike, si në periudhën e thatë ashtu edhe në periudhën me shumë ujë të vitit.

Shfrytëzimi i kësaj pasurie paraqiste shumë sfida në ato vite. Terreni i vështirë por edhe projektimi e ndërtimi i digave të hidrocentraleve konsiderohej si një sfidë për inxhinierë të huaj të cilët kishin më shumë eksperiencë se inxhinierë shqiptarë.

Për të shfrytëzuar Drinin duhej që të projektoheshin dhe ndërtoheshin diga me lartësi që shkonin nga 160 deri në 220 metra, vepra shkarkimi për kalimin e prurjeve 5-9 mijë metër kub në sekond etj.

Në atë kohë, dhe në vende të ndryshme të Europës dhe në botë, vepra të përmasave të tilla ishin të pakta.

Megjithatë, specialistët shqiptarë që po hartonin skemën e shfrytëzimit të lumit Drin u konsultuan me arritjet e shkencës dhe teknikës botërore të viteve të fundit për ndërtimin e digave të mëdha.

Pas një pune intensive prej gati 3 vitesh të punonjësve të drejtorisë së projektimeve dhe ndërtimeve të hidrocentraleve dhe nënstacioneve të krijuara me 1 janar 1961 dhe drejtorisë së gjeologji gjeodezisë pranë Ministrisë së Ndërtimit, si dhe konsultimeve të shumta me specialistë francezë, italianë, kinezë, çeke etj u përfundua studimi për skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të drinit në disa variante.

Musliu shkruan se në fund të vitit 1963 ky studim u shqyrtua dhe u miratua nga qeveria.

Që në mesin e vitin 1962 ishin përcaktuar qartë nivelet e liqeneve të Fierzës dhe Skavicës.

Ndërkohë në tetorin e vitit 1962 ishte nënshkruar një marrëveshje me palën jugosllave që bëri të mundur që niveli i liqenit të Fierzës nga 276 metra të shkojë në 296 metra ose 20 metra më shumë që futej në tokën, asokohe pjesë e Jugosllavisë, në Kosovë.

Një gjë e tillë, sipas inxhinierit Musliu bëri të mundur që liqeni i Fierzës të kishte një rregullim vjetor dhe liqeni i Skavicës me kuotë 485 metra të kishte një rregullim shumëvjeçar…

Në bazë të studimit të aprovuar nga qeveria, potenciali i lumit Drin do të shfrytëzohej me 5 hidrocentrale”:Hidrocentrali i Skavicës, Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit, Hidrocentrali i Vaut të Dejës, Hidrocentrali i Bushatit.

Të 5 hidrocentralet e Drinit parashikohej të kishin një fuqi të vendosur prej 1.8 milionë kilovatësh dhe një prodhim mesatar energjie elektrike prej rreth 6.7 miliardë kilovatë në vit.

Sipas studimit, për të prodhuar energji elektrike me naftë do të duheshin rreth 2.8 milionë tonë naftë në vit. Secili nga këto 5 hidrocentrale do të kishte një fuqi të instaluar dhe parashikohej që në total të do të prodhojë mesatarisht energji elektrike në vit si më poshtë:

Skavica: 350 mijë kilovat dhe 1.5 miliardë kilovat orë

Fierza: 500 mijë kilovat dhe 1.8 miliardë kilovat orë

Komani: 600 mijë kilovat dhe 2 miliardë kilovat orë

Vau i Dejës: 250 mijë kilovat dhe 1 miliardë kilovatorë

Bushati: 100 mijë kilovat dhe 0.4 miliardë kilovat orë.

Gjatë studimit të skemës së shfrytëzimit të Drinit dhe më vonë gjatë hartimit të projekteve të këtyre veprave u morën marrë parasysh probleme të ndryshme si kushtet konkrete gjeologjike të zonës ku do të ngriheshin hidrocentralet, materialet e ndërtimit që do të përdoreshin, zgjidhja më e përshtatshme e tipit të digës e veprave ndihmëse, radha dhe koha e ndërtimit të tyre etj. Skavica parashikohej të ishte hidrocentrali i fundit që do të ndërtohej duke kompletuar në këtë mënyrë skemën e hidrocentraleve mbi lumin Drin.

Nga shqyrtimi me kujdes i problemeve të studimit, projektimit dhe ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin rezultoi se tipi i digave që do të ndërtoheshin duhej t’u përgjigjej më mirë kushteve dhe mundësive të vendit.

Për hidrocentralet e para të Drinit Vau i Dejës, Fierzës dhe Komanit u zgjodhën diga me materiale vendi ndërsa për hidrocentralin e Skavicës çështja u la të diskutohej me kujdes nësë do të ishte digë me material vendi apo betoni.

Sipërfaqja e përgjithshme e katër liqeve parashikohej të arrinte mbi 200 kilometra katrorë ndërsa thellësia e ujit në to do të varionte nga 54 metra që është në liqenin e Vaut të Dejës deri në 190 metra në liqenin e Skavicës.

Peripecitë për hartimin dhe miratimin e skemës së shfrytëzimit të lumit Drin qenë të shumta dhe vetë inxhinieri i njohur pranon se ka pasur diskutime të shumta ku nuk kanë munguar as pretendimet se Shqipëria nuk ishte në gjendje që të projektonte dhe të ndërtonte vepra të tilla të mëdha me argumentin se ka shumë probleme që nuk njihen dhe gabimet sjellin pasoja të mëdha.

“Pesha” e Skavicës

Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin Drin i Zi,sipas studimeve e të bëra në vitin 1963, me skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të Drinit, jep mundësi që akumulimi i tij të bëjë një rregullim pothuaj të plotë shumëvjeçar për vete dhe për të gjithë hidrocentralet e Drinit.

Me liqenin e tij artificial që parashikohej që të ishte gjigand me mbi 6 miliardë metër kub ujë ku depozitohet një energji prej 6.5 miliardë kilovat orë ai jep mundësinë, sipas inxhinierit Musliu, që fuqia e siguruar me 90 % e të gjithë hidrocentraleve të Drinit të jetë 95 % e fuqisë mesatare të tyre.

Për më tepër, parashikohej dhe parashikohet që duke u shfrytëzuar si rezervuar kompensimi, ai do të bëjë në të ardhmen që hidrocentralet e ndërtuara në lumenjtë e Shqipërisë të kenë një fuqi të siguruar të lartë, edhe nëse hidrocentralet në lumenjtë e tjerë të mos kenë rezervuar rregullimi.

Për të mbushur rezervuarin e Skavicës me ujin që sjell Drini i Zi deri në nivelin e tij normal duhen 2 vite.

Krijimi i rezervuarit të Skavicës, në studim parashikohet se do të shkaktojë përmbytjen e rreth 5 mijë hektarëve tokë. Me ndërtimin e tij bëhet i panevojshëm krjimi i rezervuarëve të mëdhenj në lumenjtë e tjerë dhe për pasojë përmbytjet nga këta lumenj si Vjosa etj. do të jenë më të pakta.

Në studimin “Veprat e mëdha hidroenergjitike në 65 vjet”, inxhinieri i njohur dhe mjeshtri i madh i punës shkruan se niveli i ujit në liqenin artificial të Skavicës duhet të jetë në kuotën 485 metra. Sipas tij, në këtë mënyrë liqeni ka një vëllim 6.5 miliardë metra kub ujë dhe bën rregulimin shumëvjeçar duke disiplinuar prurjet e lumit për të gjithë vitin.

Në vitin 1981 është rënë dakord me palën jugosllave për ndërtimin e hidrocentralit me kuotë liqeni 485 metra. Dhe në fakt, në këto vite u fol vazhdimisht për ndërtimin e këtij hidrocentrali por asnjëhere nuk u arrit që të realizohej kjo vepër. Për këtë duhet pasur parasysh se Shqipëria nuk kishte kapacitete financiare për të realizuar një vepër të tillë, pasi vendi po futej në një krizë të thellë ekonomike e politike.

Ndryshe nga më parë kur ishin realizuar projekte të ngjashme, këtë herë Shqipëria nuk kishte një aleat të fuqishëm si Kina apo Bashkimi Sovjetik. Për ndërtimin e këtij hidrocentrali u fol shumë pas rënies së regjimit komunist. Megjithatë, asnjë qeveri nuk arriti të mbyllë konkretisht këtë projekt që vlerësohet se kërkon kapacitete të mëdha financiare dhe teknike.

Janë hapur disa herë tendera për ndërtimin apo dhënien me koncesion. Madje në vitin 2008 kur dukej se do të niste realizimi i projektit, ‘mallkimi’ i krizës financiare do ta ndiqte sërish projektin pasi në vitin 2008 eurozona u godit nga kriza ekonomike duke frenuar kompanitë e huaja dhe projektin në Shqipëri.

Scan,  05.10.2020