Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI hap garën për konçesionin e HEC Gojan

Vrulli i koncesioneve të hidrocentraleve nuk ka rënë as pas zgjedhjeve. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka hapur garën e radhës për hidrocentralin e Gojanit mbi lumin Fan i Madh në zonën e Mirditës.

“Interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është për ujërat e lumit Fan i Madh, midis kuotave 425 metra mbi nivelin e detit deri në 301 metra mbi nivelin e detit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës”,- thuhet në specifikimet teknike të ministrisë.

Koncesioni i HEC Gojan nuk është i ri. Ai i përket grupit të hidrocentraleve të dhënë nën një kontratë koncesionare nga ish-qeveria Berisha. Kjo kontratë përfshinte pesë hidrocentrale: Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit, Fangu.

Por, në fund të vitit 2016, Ministria e Energjisë dhe Industrisë së bashku me kompaninë turke Ayen AS Energji, që është edhe kompania që ka fituar të drejtën e kësaj kontrate ranë dakord që, nga 5 HEC-e, numri të reduktohej në tre: Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangu.

“Shoqërisë Ayen as Energji sh.a., gjatë hartimit të projekt-zbatimit të objektit i rezultuan zgjidhje më të leverdishme tekniko-ekonomike për ndërtimin e hidrocentraleve” argumentonte MEI në një projektvendim që sanksiononte ndryshimin e kontratës me kompaninë në fund të vitit 2016.

Në total, për tre hidrocentralet turqit kanë parashikuar që të investojnë mbi 210 milionë euro ndërkohë që fuqia e instaluar do të jetë 109 MW. Nga kontrata fillestare duket se dy hidrocentralet që u braktisën nga Ayen do të trajtohen më vete dhe procedura e parë ka nisur për HEC Gojan.

Kompanitë e interesuara duhet të paraqesin ofertat e tyre brenda datës 31 korrik ndërkohë që në vlerësim, pjesën më të madhe të pikëve e zë fuqia e instaluar dhe më pas tarifa koncesionare dhe analiza ekonomike e bërë nga kompania.

Revista Monitor,  05.07.2017