Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ikën Bolumnez Petrol, bie vlera e pronave

Kompania turke Bolunmez Petrol, me aktivitet në fushën e naftës, – aksionerët e të cilës u zhdukën së fundmi, pasi morën 11 milionë dollarë kredi -, po kërkohet jo vetëm nga bankat, por edhe nga kompanitë, që kishin punuar me të dhe që rezultojnë të mos jenë paguar.

Shoqëria tregtare NNS pa paditur në gjykatë shoqërinë Bolunmez Petrol për mosshlyerjen e disa faturave me vlerë totale rreth 1.4 milionë lekë. Në njoftim thuhet se kompania nuk gjendet më në adresën që ajo ka dhënë, duke e detyruar NNS të veprojë përmes gjykatës.

Edhe zyrat përmbarimore kanë qenë të zëna kohët e fundit me këtë kompani, duke nxjerrë në ankand pronat e Bolunmez Petrol për një kredi të papaguar në banka prej rreth 11 milionë dollarësh.

Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionare me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Ajo zotëronte depozitat e karburantit në Shëngjin.

Por, pak pasi mori kreditë (rreth 2.4 milionë dollarë në qershor 2014 dhe më pas një kredi në janar 2016, prej rreth 8.5 milionë dollarë), aksionerët e saj u zhdukën nga qarkullimi në gjysmën e dytë të 2016-s. BKT, ku morën kredinë, ka nxjerrë në shitje gjithë pronat e lëna peng.

Në ankandin e parë nuk u paraqit asnjë ofertë, ndërsa ankandi i dytë (deri në 4 prill) ka një çmim fillestar në rreth 7 milionë euro, nga 11 milionë euro që ishte në ankandin e parë. Pasuria më e vlefshme është ajo ku përfshihen dhe pesë depozita karburanti.

Bolunmez Petrol kishte si objekt kryesor të aktivitetit krijimin, instalimin dhe vënien në shfrytëzim sipas kushteve teknike, të pajisjeve, impianteve, stacioneve, reparteve dhe linjave të ushtrimit dhe tregtimit të hidrokarbureve brenda dhe jashtë vendi. Ajo pa një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të madhe në vend (e 154-a).Pavarësisht rritjes së shpejtë në 2015-n, viti 2016 ka qenë problematik për kompaninë dhe ajo tashmë po kërkohet si nga bankat, ashtu dhe nga furnitorët e tjerë.

Revista Monitor,  24.03.2017