Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efiçenca e energjisë, duhen investime

Për të përmbushur standardet evropiane të eficiencës së energjisë Shqipëria po adopton një program për kursimin e energjisë i cili si shumë të tjerë rrezikon të mbetet në letër për shkak të kostove të larta me të cilin shoqërohet.

Ka një strategji për rinovimin e ndërtesave për periudhën 2015 deri në 2030. Konsulentët kanë gjykuar se duhet të jenë rinovuar të paktën 1.1 milionë m2, ose 2.5 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të dyshemesë së ndërtesave private te cilat përbejnë një stok prej 40 milion m2.

Ky transformim kërkon investime të rëndësishme që duhen kryer prej aktorëve të ndryshëm. Kostoja e investimeve të përgjithshme për rinovimin e ndërtesave është 1.1 miliardë euro për periudhën nga 2015 në 2030, ose 72 milionë EURO në vit.

Për më tepër, kostot shtesë të investimeve në ndërtesat e reja duhet të jenë 593 milionë euro në periudhën nga 2015 deri në 2030, ose 40 milionë në vit. Në rastin e ndërtesave të ngritura së fundi, kostot e skenarit të investimeve përfshijnë vetëm kostot shtesë të investimit, meqë ndërtimi do ti ketë të përfshira në çdo rast edhe kostot e komponentëve dhe sistemeve të ndërtimit.

Kostot e energjisë së kursyer do të jenë mesatarisht 3.8 euro për m2 për sipërfaqet e reja ku është kryer rinovimi në këtë periudhë. Kjo nënkupton se investimet në skenarin e moderuar të dalin me fitim. Sipas këtij varianti kostot e energjisë së kursyer janë më të larta se kostot vjetore të investimit për këtë skenar në të gjithë vendin, por jo për të gjitha kategoritë e ndërtesave.

Analiza është kryer duke supozuar një rritje të mundshme të çmimit të energjisë. Kostot e pranuara të investimit për rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat duhen marrë hua nga investitorët shkojnë në rreth 550 milionë EURO për periudhën 2015 deri në 2030, ose 37 milionë në vit. Duke supozuar normën e interesit të kredisë në treg në nivelin prej 15%, normën e interesit të subvencionuar me 0 për qind, dhe një kredi me afat 10 vjeçar qeveria duhet tu japë bankave tregtare 600 milionë euro.

Kostoja e granteve për qeverinë është 327 milionë EURO për periudhën nga 2015 deri në 2030, ose 22 milionë EURO në vit. Gjithashtu, investitorët duhet të japin 593 milionë EURO për periudhën nga 2015 deri në 2030, ose 37 milionë EURO për kosto shtesë investimi në vit.

Revista Monitor,  24.11.2016