Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari, kërkohen blerës për reaktorin bërthamor

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, tha se “zgjidhja më e mirë për Bullgarinë pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Gjenevë, do të jetë të shesë reaktorin bërthamor”.

Ai ju referua vendimit të gjykatës në Gjenevë nën kujdesin e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë me qendër në Paris, të shpallur më 16 qershor.

Ai urdhëroi që Bullgaria të kompensojë firmën bërthamore ruse Atomstroyexport me më shumë se gjysmë miliardë euro për një reaktor të ndërtuar për projektin e termocentralit të Belenës, të bllokuar më pas në vitin 2009.

Projekti ka përfunduar zyrtarisht në vitin 2012.

Ministria e Energjetikës së Bullgarisë tha se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e ka urdhëruar atë të paguajë 550 milionë euro në kompensim të gjigantit bërthamor të Rusisë.

Borisov dhe Ministrja e Energjetikës, Temenuzhka Petkova, e cilësuan arbitrazhin si të drejtë për Bullgarinë, pasi Atomstroyexport kishte kërkuar fillimisht 1.2 miliardë euro.

Gjykata, megjithatë, i dha palës ruse vetëm gjysmën e kësaj shume, projektuar për të mbuluar shpenzimet e prodhimit të njërit nga dy reaktorët 1.000 megavat, të porositur nga qeveria e koalicionit të drejtuar nga socialistët e Sergej Stanishev.

Borisov tha se Bullgaria kishte dy opsione në përgjigje të vendimit të gjykatës. Njëri ishte, shitja e pajisjeve. Tjetri ishte për të tërhequr investitorë të rinj strategjikë, për të finalizuar centralin bërthamor, i cili kishte filluar si ide që në vitin 1980.

“Nëse do gjejmë mënyrën se si ta shesim, së bashku me palën ruse, do të jetë më mirë. Të gjitha opsionet e tjera janë më të komplikuara në situatën e tanishme të një Lufte të Ftohtë të vështirë”, tha kryeministri.

Sipas Borisovit, “Lufta e Ftohtë” e sotme është “shumë më e ftohtë dhe më e rrezikshme” se më parë, kur kishte dy fronte dhe të gjithë e dinin se çfarë do të pasonte në rast lufte.

“Tani ka shumë qendra me interesa të ndryshme gjeopolitike në botë dhe në rajonin tonë, konfliktet shpërthejnë gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.

Borisov hodhi poshtë opsionin e dytë – përfundimin e projektit Belene – duke shpjeguar se “ndërtimi i një reaktori rus, ndërkohë që Rusia ndodhet nën sanksione” mund të shkaktojë “probleme shtesë për Bullgarinë”.

Petkova gjithashtu mbështeti idenë e shitjes së pajisjeve ekzistuese të uzinës bërthamore të hënën. “Ka treg për pajisje”, tha ajo, duke nënkuptuar Iranin dhe Indinë si blerësit e mundshëm.

Revista Monitor,  11.07.2016