Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rumania anulon marrëveshjen me Kinën për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë

Qeveria e Bukureshtit i ka thënë ndërmarrjes shtetërore që drejton fabrikën Cernvoda që të gjejë partnerë të rinj për të ndërtuar dy reaktorë të rinj bërthamorë.

Qeveria rumune i kërkoi të martën kompanisë shtetërore Nuclearelectrica, e cila drejton termocentralin bërthamor në Cernavoda, të ndërpresë negociatat me partnerin e saj kinez, China General Nuclear Power Corporation, GCNPC, për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë 3 dhe 4 në Cernavoda.

Qeveria tha se Nuclearelectrica duhet të gjejë partnerë të rinj për projektin. Një Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua midis Nuclearelectrica dhe GCNPC në nëntor 2015, për të ndërtuar dy reaktorët. Sipas dokumentit, dy palët duhej të krijonin një kompani me sipërmarrje të përbashkët, në të cilën kompania kineze do të mbante të paktën 51% të aksioneve.

Sipërmarrja e re e përbashkët ishte planifikuar të merrte përsipër vlerën e investimit të Nuclearelectrica në filialin e saj EnergoNuclear SA, ish-ndërmarrja që duhej të merrte projektin për reaktorët 3 dhe 4 në uzinën Cernavoda. Në maj 2019, Ministria e Energjisë, nën drejtimin e ish-kryeministres socialdemokrate, Viorica Dancila, nënshkroi një tjetër marrëveshje me kompaninë kineze, në lidhje me një investim prej 200 milionë eurosh në vit nga GCNPC.

Por kryeministri aktual, Ludovic Orban, e dënoi marrëveshjen në janar të vitit 2020. “Për mua është e qartë se nuk do të funksionojë me kinezët… Ne do të shohim se me cilin partner do të ndërtohen reaktorët. Ka të bëjë me partnerët dhe fondet”, tha Orban në një intervistë për Hotnews.

Ministri i Ekonomisë, Virgil Popescu, tha në janar 2020 se Nuclearelectrica mund të ndërtonte vetë reaktorin 3 në Cernavoda, dhe shtoi se një projekt i ri i përbashkët me një partner të NATO-s do të ishte një skenar më i vlefshëm. Rumania është një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe largimi i saj nga marrëveshjet kyçe me Pekinin ka të ngjarë të jetë ndikuar nga ftohja dramatike në marrëdhëniet SHBA-Kinë, që kur Donald Trump nisi mandatin në Uashington.

Në prill 2016, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së akuzoi Korporatën e Përgjithshme të Energjisë Bërthamore të Kinës, së bashku me Energy Technology International, për spiunazh bërthamor. Shtetet e Bashkuara e justifikuan akuzën, duke cituar “komplotin për t’u angazhuar dhe për të marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në prodhimin dhe zhvillimin e materialit të veçantë bërthamor jashtë Shteteve të Bashkuara, pa autorizimin e nevojshëm nga Departamenti i Energjisë i SHBA-së”.

Ministria Rumune e Energjisë mban shumicën e kapitalit të aksioneve të Nuclearelectrica prej 82,49%, ndërsa Fondi i Pronave zotëron 7.05% dhe aksionerët e tjerë kanë 10.45%. Aksionet e Nuclearelectrica regjistruan një rritje prej 34.4% në Bursën e Bukureshtit që nga fillimi i vitit 2020. Rritja ishte e lidhur me transaksione me vlerë 168.3 milionë lei (rreth 35 milionë euro).

Monitor,  19.06.2020