Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Interkonjeksioni, vepër e rëndësishme

Fjala e mbajtur nga ministri Gjiknuri në ceremoninë e inaugurimit të linjës 400 kV Shqipëri-Kosovë:

 

I nderuar Kryeministër i Kosovës,

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë,

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar të Kosovës,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fakt, kjo është një ceremoni jo e zakonshme. Jemi përpara inaugurimit të një nga veprave më të rëndësishme infrastrukturore energjetike mes dy vendeve tona. Një gur i vërtetë kilometrik i përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pak më parë, teksa dëgjoja përfaqësuesit e KfW që tha se u deshën 6 vjet për këtë projekt, mendova se në fakt kjo tregon se ky projekt nuk qe aq i thjeshtë. Ky projekt humbi 4 vjet kohë për shkak të mungesës së vullnetit apo keqmenaxhimit në periudha kur projekti qe aq i domosdoshëm. Por, qe vullneti i këtyre dy qeverive tona, sidomos në 2 vitet e fundit, që ky projekt, ky gur kilometrik kaq i rëndësishëm, kjo autostradë siç ja kemi vënë emrin, autostradë energjetike po bëhet realitet dhe ne s’duhet ta harrojmë këtë. 

Ky është një gur kthese, jo vetëm në integrimin e dy tregjeve tona energjetike, por është një gur i rëndësishëm për vet integrimin e vendeve tona, integrimin tonë ekonomik por edhe më gjerë. Kjo linjë nuk do t’i vlejë vetëm Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo vërtet po shkon në përmbushjen e të gjithë asaj axhende të integrimit të tregjeve të Europës Juglindore. Asaj axhende europiane e cila është e pakthyeshme dhe që në fund të fundit ka benefitet më të mëdha për dy vendet tona, por për të gjitha vendet e rajonit. Meqenëse jemi përpara edhe samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Paris, Shqipëria dhe Kosova shkojnë edhe më një gjë konkrete, me një vepër konkrete të realizuar. Ajo bind shumë shtete të Bashkimit Europian që investimi në këtë rajon është i domosdoshëm, është i nevojshëm, por mbi të gjitha është i mundshëm dhe shtetet e kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe për ti realizuar ato në kohë.

Kjo na ka dhënë mundësinë, që për shkak të mirëadministrimit të këtij projekti të aplikojmë edhe për projekte të tjera të rëndësishme. U tha pak më parë edhe nga drejtori i OST-së, Shqipëria po futet plotësisht në axhendën  e interkonektivitetit. Vitin tjetër do të fillojmë linjën me Maqedoninë, duke integruar plotësisht vendin me rrjetin rajonal dhe europian të energjisë. Pse kanë rëndësi këto? Dikur ka pasur koncept arkaik, atavist do ta quaja, të idesë së indipendencës duke zhvilluar burime të brendshme, vetëm burime të brendshme, me çfarëdolloj kosto për konsumatorin, por edhe politikat që shkaktohen nga to. Jo! Ne jemi në një axhendë tjetër.

Ne jemi për opsione, për lidhje. Sa më shumë lidhje, sa më shumë opsione, aq më shumë pavarësi do të kemi brenda një axhende integruese. Pse? Sepse do të kemi mundësi të vëmë burimet tona hidrike, por edhe gazin më vonë, ashtu siç edhe Kosova do të ketë mundësi të vërë të gjithë potencialin e saj linjit në funksion edhe me Shqipërinë, edhe me rajonin dhe kjo do të jetë pavarësia e vërtetë energjetike. Pavarësi që krijon një dinamizëm ekonomik, një zinxhir vlerash dhe që në fund të fundit e bënë Shqipërinë dhe Kosovën pjesë të zhvillimit rajonal dhe zhvillimit europian të integrimit dhe të zhvillimit ekonomik.

Kështu që realisht le ta gëzojmë këtë moment, këtë gur kilometrik kaq të rëndësishëm dhe uroj të mblidhemi edhe për suksese të tjera sepse sektori energjetik po jep ditë për ditë shenja që po investohet, po gjallërohet dhe ka kaluar nga faza e ringjalljes, në fazën e konsolidimit. Kjo është rruga e vetme që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ju faleminderit! 

energjia.al  29.06.2016