Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prezantohet projektligji për pajisjet nën presion

Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja ishte sot në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ku prezantoi projektligjin “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe bashkësive nën presion”.

Kjo nismë ligjore synon të forcjë rolin rregullator të shtetit në sektorët dhe aktivitetet që lidhen me pajisjet dhe instalimet nën presion.

Duke patur në konsideratë që shteti kërkon, por ka edhe detyrimin, që në aktivitetet që përfshijnë prodhimin, transportimin, përdorimin dhe inspektimin teknik të pajisjeve dhe bashkësive nën presion të garantojë siguri për jetën e njerëzve, të kafshëve, mjedisit dhe pronës në tërësi, është e domosdoshme që për këto aktivitete të ndërtohet një kuadër i plotë dhe i qartë ligjor e institucional. Nisur nga fakti se ligji nr.8739, datë 12.2.2001, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion” është shfuqizuar me ligjin nr.85/2013, del domosdoshmëri miratimi i këtij projektligji, i cili do të plotësonte këtë boshllëk ligjor të krijuar, duke mundësuar hartimin e akteve rregullatore teknike në zbatim të tij.

Me miratimin e këtij projektligji do të garantohet realizimi i rolit rregullator të shtetit për të garantuar sigurinë e jetës së njerëzve, të kafshëve, pronës e mjedisit, nga pasojat që mund të vijnë për shkak të aksidenteve nga aktiviteti në prodhimin, transportimin, instalimin dhe përdorimin e pajisjeve dhe të bashkësive nën presion, duke garantuar, kështu, kërkesat thelbësore të sigurisë së pajisjeve dhe bashkësive nën presion.

“Është gjithashtu pjesë e programit tonë qeverisës që të krijojmë kushte të barabarta në tregtim, përdorim dhe në kontroll e monitorim të këtyre pajisjeve në të gjithë dimensionet e tregut. Projektligji është konceptuar i organizuar në 6 kapituj dhe 24 nene. Kreu i parë paraqet qëllimin dhe objektivin e këtij projektligji. Në kreun e dytë projektligji përcakton kërkesat për projektimin e pajisjeve dhe bashkësive nën presion, kushtet që duhet të zbatojnë subjektet e licencuara që hartojnë projekte në këtë fushë dhe detyrimin e zbatimit të kushteve të përcaktuara në rregullat teknike përkatëse”, sqaroi zv.ministri Bejtja. Sipas tij, kreu i tretë i projektligjit trajton çështje që lidhen me monitorimin, instalimin e pajisjeve dhe bashkësive nën presion.

Projektligji përcakton kundërvajtjet administrative, sanksionet e aplikueshme nga operatori ekonomik dhe personi përgjegjës, si dhe detyrën e Ministrisë për hartimin e rregullave teknike në fushën e pajisjeve dhe të bashkësive nën presion, si një instrument bazë dhe i domosdoshëm për kryerjen e inspektimeve dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve dhe të bashkësive nën presion sipas standardeve të përcaktuara nga ligji.

Z.Bejtja tha se në V.K.M-në që do të dalë menjëherë pas miratimit të ligjit janë përcaktuar qartë të gjithë rregullat deri në pronësinë e bombolës, detyrimin e pronarit për ta ndjekur rrugën e saj deri tek konsumatori, periodicitetin e shërbimeve që duhet ti bëhen pajisjeve që bëjnë të mundur daljen e gazit nga bombola dhe gjendja teknike e bombolës së gazit.

energjia.al  23.02.2016