Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria vë në monitorim ministrinë për garat e HEC-eve

Zhvillimi i procesit konkurrues për miratimin e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë nga hidrocentralet do të kalojë nga Këshilli i Ministrave, i cili do të shërbejë si arbitër për mosdiskriminimin dhe transparencën e procesit.

Bëhet fjalë për ato hidrocentrale që janë deri në 2 megavat dhe që sipas një vendimi më të hershëm nuk klasifikohen si koncesione dhe mund të kalojnë vetëm me firmën e ministrit. Ndryshimet janë bërë në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” i miratuar në vitin 2015 i cili është nxjerrë për konsultim së bashku me një sërë ndryshimesh të tjera. Sipas ligjit, sot në nenin 49 sanksionohet se ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese, të cilat nuk janë objekt koncesioni, ose çdo kapacitet i ri prodhues deri në 2 MW, miratohet nga ministri përgjegjës për Energjinë. Ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese mbi 2 MW, të cilat nuk janë objekt koncesioni, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë.

Në pikën 2 të këtij neni thuhet se Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë, miraton rregullat dhe procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, mbi baza transparente dhe jodiskriminuese, bazuar në: a) sigurinë e sistemit të energjisë elektrike, instalimeve dhe pajisjeve të lidhura me to; b) mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë publike; c) mbrojtjen e mjedisit; ç) përdorimin e truallit dhe vendndodhjen; d) eficencën e energjisë; dh) natyrën e burimeve parësore të energjisë; e) karakteristikat e veçanta të aplikuesit, të tilla si aftësitë teknike, ekonomike dhe financiare; ë) përputhjen me masat e marra për shërbimin publik dhe mbrojtjen e klientëve; f) kontributin e kapacitetit prodhues në përmbushjen e objektivit për energjinë që duhet të prodhohet nga burimet e rinovueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi; g) kontributin e kapacitetit gjenerues në reduktimin e emetimeve të gazrave të efektit serë; gj) shitjen e energjisë elektrike; h) vlerën e tarifës që do të paguajë në favor të shtetit përfituesi i autorizimit.

Pikërisht në fund të pikës “h” është shtuar edhe pika tjetër “i” që cilëson se edhe zhvillimi i procesit konkurrues do të kalojë nga qeveria.
Nga viti 2017, kur hyri në fuqi vendimi që përjashtonte hidrocentralet deri në 2MW nga koncesionet tipike dhe që jepeshin vetëm me firmën e ministrit vërshuan një numër i madh aplikimesh, teksa nga ana e ekspertëve theksi u vu në faktin që impakti i tyre ekonomik ishte i dobët në raport me dëmin që shkaktonin në mjedis.

Ndarja e OSHEE, vendosen kufijtë për funksionimin e kompanive

Projektligji i nxjerrë për konsultim sjell edhe ndryshimet që lidhen me mënyrën sesi do të funksionojë OSHEE e cila, përveç kompanisë mëmë, tashmë ka tre kompani të tjera nën vete me funksione të qarta. Në nenin 72 është riformular pika 3, e cila sanksionon se “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të ketë të drejta efektive të plota vendimmarrëse, të pavarura nga shoqëria e integruar e energjisë elektrike, lidhur me asetet e nevojshme për funksionimin, mirëmbajtjen ose zhvillimin e rrjetit të Shpërndarjes.

Për të përmbushur këto detyra, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të ketë në dispozicion burimet e nevojshme, përfshirë burimet njerëzore, teknike, fizike dhe financiare. Shoqëria mëmë (kontrolluese), ka të drejtën e mbikëqyrjes ekonomike dhe menaxheriale në lidhje me kthimin e aktiveve, miratimin e planit ekonomik financiar, ose çdo instrument ekuivalent, të operatorit të sistemit të shpërndarjes, dhe të vendosë kufijtë e përgjithshëm në nivelet e borxhit të shoqërisë bijë (të kontrolluar) .

Shoqëria mëmë (kontrolluese), nuk mund të japë udhëzime për veprimtarinë e përditshme operacionale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë dhe nuk ka të drejtë të marrë vendime lidhur me ndërtimin apo rikonstruksionin e linjave të shpërndarjes, vlera e investimit të të cilave nuk tejkalon nivelet e planeve financiare të miratuara apo vlerat e përcaktuara në statutin e shoqërisë, apo legjislacionin në fuqi”.

Monitor,  12.11.2019