Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC Katundi i Ri, MEI dëgjesë me banorët

Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Bashkinë e Dibrës organizuan takimin e parë konsultativ në formën e dëgjesës publike mbi ndërtimin e “HEC Katund i Ri”. Bashkëbisedimi me përfaqësuesit e komunitetit lokal u zhvillua në fshatin Katund i Ri të njësisë administrative Luzni.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë kryesuar nga zv.ministri Ilir Bejtja informuan qytetarët në lidhje me projekt idenë për ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri, çfarë parashikon ky investim prej mbi 100 milion eurosh dhe impakti ekonomik që do të ketë në zonë, pa pasoja të mëdha social-mjedisore.

“Kemi parë të gjitha mundësitë se si mund të zhvillohet nga pikëpamja energjitike pjesa e sipërme e Drinit përmbi Fierzë. Nga të gjitha, i vetmi segment që na ka rezultuar i mundshëm për tu bërë me shumë pak dëme por me përfitime për zonën si në punësim ashtu edhe nga pikëpamja e ballancimit të energjisë, furnizimit me cilësinë e duhur të energjisë elektrike është Katundi i Ri”, u shpreh zv.ministri Bejtja.

Sipas tij, elementi më i rëndësishëm në gjithë këtë propozim apo proces është dëgjesa me njerëzit të cilët direkt do të preken…si të zgjidhen këto probleme me ndihmën e pushtetit lokal, me ndihmën e qeverisë qendrore, pa shkaktuar asnjë dëm i cili do të përkeqësojë situatën në raport me atë çka është sot. Z.Bejtja tha se nëse ky projekt do të realizohet ai do të jetë një model edhe në raport me zbatimin e detyrimeve ndaj komunitetit lokal ndërsa i gjithë procesi po asistohet nga konsulentë të BERZH-it ku po respektohen të gjitha standardet e transparencës për projekte të tilla.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë ju përgjigjën pyetjeve të banorëve në lidhje me shqetësimet e tyre për shpronësimet dhe çmimin e përdorur për këtë qëllim. I pranishëm në këtë takim, deputeti i zonës Ulsi Manja tha se këto konsultime me komunitetin duhet të dokumentohen dhe të jetë të vazhdueshme. Sipas tij, të gjithë banorët duhet që të ballafaqojnë mendimet e tyre pro apo kundër qofshin ato.

Takimi i rradhës në konsultat me komunitetit do të organizohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me konsulencën e BERZH-it në dhjetëshin e parë të Marsit, po në Katundin e Ri.

energjia.al  22.02.2016