Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Unaza e Jugut, realitet

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përfundimit të punimeve të projektit “Unaza e Jugut të Shqipërisë”:

Pas fjalës plot dritë të nuses që kemi marrë nga Gjermania, falë inxhinierit të mençur shqiptar, është e vështirë që unë të jem në lartësinë e gjithë asaj drite që u shpërnda këtu, por besoj se nga ana tjetër më ndihmon shumë fakti, që sot ne jemi së bashku, dëshmitarë të një arritjeje shumë të rëndësishme të realizimit të një vepre me një rëndësi strategjike, falë bashkëpunimit të ngushtë me Bankën Gjermane për Bashkëpunim (KFW) dhe falë punës së shkëlqyer të gjithë ekipit shqiptar nën drejtimin e ministrit të Energjisë dhe të drejtorit të OST-së.

Dua të them qartë që në fillim, kjo vepër kaq e rëndësishme i dedikohet shqiptarëve të cilët që në fillim e mbështetën fuqimisht reformën kurajoze në energji dhe u bënë palë me zhvillimin, palë në një përpjekje të përbashkët për të vendosur rendin ligjor në sektor, palë me të ardhmen.

Pa kontributin e gjithë atyre, të cilët ju shtuan – dhe këtu mund të përmend vetëm një shifër, 320 mijë marrëveshje të bëra me Operatorin e Shpërndarjes për të hyrë në sistemin e pagesave të rregullta të energjisë, – do të ishte e pamundur përndryshe, që ne të ishim sot këtu dhe të realizonim këtë vepër apo të vijonim me investimet e tjera.

Kjo vepër është një ndër shprehjet më kuptimplota të së vërtetës së thjeshtë se reformat janë e vetmja rrugë që kemi për të transformuar Shqipërinë, se reformat kanë dhimbje, se reformat kërkojnë sakrifica, se reformat imponojnë durim, por se reformat japin rezultate.

Kjo vepër është rezultat i një reforme që na bën sot të na duket se çka kishim përpara syve, çka kishim nën këmbët tona vetëm dy vjet e gjysmë më parë, jo sikur ishte dy vjet e gjysmë më parë, por sikur ishte 20 vjet më parë. Kemi ecur me një shpejtësi të madhe për të vënë rendin ligjor në sistem, por edhe për të çelur rrugën e investimeve, e cila ishte e bllokuar për shkak të një konflikti absurd, të trashëguar nga keqqeverisja dhe keqadministrimi i një sektori strategjik për Shqipërinë, që faktikisht rrezikonte të kthehej në një gropë të madhe për të gjithë ne. Faktikisht, rrezikonte të na çonte në një kolaps, jo vetëm energjetik, por edhe financiar.

Vetëm dy vjet e gjysmë më parë humbjet ishin 52% në gjithë sistemin e shpërndarjes së energjisë. 52%, ku një pjesë e konsiderueshme, më e madhja ishin vjedhje e energjisë. Vetëm 2 vjet e gjysmë më parë trashëguam një kompani me një miliard dollarë borxhe, të akumuluara nga viti 2007 deri në vitin 2013 dhe për shkak të një konflikti të pronësisë të hapur qorrazi nga qeveria e mëparshme, me financime të bllokuara. Edhe ky financim ishte një financim i bllokuar. Edhe të tjera investime që tanimë janë çelur dhe i kemi vënë në shfrytëzim dhe do të vazhdojmë t’i vëmë në shfrytëzim për të vijuar me planin tonë të transformimit, ishin të bllokuara.

Gjetëm një sistem që bënte sikur mbronte të varfrit, sepse sa herë që ka një reformë reale, të varfrit janë mishi për top që përdoren nga kundërshtarët e reformave për t’i rënë ndesh domosdoshmërisë së tyre. Një sistem që kishte vendosur një fashë, me demek mbrojtëse për të varfrit, 300 kilovat, pas të cilës fshiheshin që të gjithë. Fshiheshin ata me vila, ata me magazina, me biznese, me hotele dhe të gjithë paguanin si të varfër. Ndërkohë që ne jemi shumë krenarë sepse reforma që bëmë solli dy përmirësime shumë të rëndësishme.

Së pari, jo vetëm nuk e rriti, por e uli çmimin mesatar të energjisë elektrike, për shkak të rritjes eksponenciale të kontributeve përmes pagesave të rregullta.

Së dyti, ne mundëm që të marrim në mbrojtje të gjithë ata që prekeshin nga reforma, duke vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 16 milionë dollarë që shkojnë për familjet në nevojë, të cilat falë kësaj mbështetje paguajnë njësoj sikur të ishin të mbrojtur nga fasha 300 kilovat.

Nga ana tjetër, kjo vepër është pjesë e një zinxhiri investimesh dhe për herë të parë ne sot jemi në kushtet kur numërojmë 120 milionë dollarë investime, nga fuqia financuese e përbashkët e OSHEE, OST dhe KESH-it. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur diçka e tillë, përkundrazi, nëse gjithë Shqipëria e Jugut vuante dhe vazhdon të vuajë edhe deri sot nga keqfurnizimi me energji elektrike, kjo ishte rezultat i faktit se vazhdonte dhe vazhdon të furnizohet me rrjetin e ndërtuar në periudhën e elektrifikimit në vitet ‘70. Ndërkohë që nevoja për konsum është shumë herë më e madhe nga sa mund të furnizojë ai rrjet.

Nga ana tjetër, bashkë me financimet e zhbllokuara shkon në 320 milionë dollarë volumi i paketës financiare që është vënë në shërbim vetëm të konsumatorëve, pra vetëm të furnizimit të rregullt dhe të rritjes së cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

KFW-ja është një partner strategjik shumë i rëndësishëm dhe dua të përsëris atë që them gjithmonë, sa herë që ne na jepet rasti dhe kemi nderin të jemi së bashku me përfaqësuesit e KFW-së në realizimin e veprave që vijnë nga ky bashkëpunim.

KfW është një partner i rëndësishëm strategjik, jo vetëm sepse financon, jo vetëm për paratë që i vë në dispozicion zhvillimit të Shqipërisë, por për kulturën e punës që sjell, për dijen që sjell, për konceptimin jashtëzakonisht të mençur të gjithë skemës së financimit të kombinuar me rritjen e burimeve njerëzore, me rritjen e kapitalit njerëzor. Gjithashtu për faktin se siç provojnë të gjitha investimet e KfW në Shqipëri, investimi në gurë, në çelik, në tela, në tubë, në makineri e  kështu me radhë, nuk mbaron në momentin kur ka mbaruar investimi fizik, por vazhdon falë investimit tek njerëzit që administrojnë këto pasuri të krijuara.

Për këto arsye, veprat e krijuara nga ky bashkëpunim janë veprat që janë të qëndrueshme dhe nuk e pësojnë siç ka ndodhur rëndom në të shkuarën, me shumë vepra të bëra me financime të donatorëve të tjerë, që kur mbaron puna dhe dorëzohen çelësat, nuk ka se kush menaxhon, ashtu siç duhet atë që është investuar, sepse nuk është menduar për qëndrueshmërinë dhe vazhdueshmërinë  e investimit.

Nga ana tjetër, falë reformës dhe mbështetjes së të gjithë atyre shqiptarëve që sot janë arsyeja pse ne jemi këtu, sepse pa vendosjen e rendit ligjor në sistem, ne nuk do të mund ta realizonim këtë investim, do bëjmë të mundur finalizimin e një ëndrre tanimë të vjetër, – sepse koha shkon shumë shpejt, – për të lidhur përfundimisht rrugën e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Interkonjeksioni i famshëm i shumë ëndërruar, i shumë propaganduar si objektiv i partive, i qeverive, i shoqërive tona, më në fund po bëhet realitet.

Po bëhet realitet ashtu sikundër do të bëhet realitet edhe lidhja e rrugës energjetike, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, çka do të thotë integrim i plotë i Shqipërisë në rrjetin europian të energjisë, pasi sigurohet nga të gjitha anët kjo lidhje dhe bëhet e mundur që reforma, e cila vazhdon për të liberalizuar komplet tregun e energjisë.

Po ashtu, ambicia jonë për rajonalizimin e prodhimit dhe administrimit të energjisë të kthehet në mirëqenie për shqiptarët, dhe energjia nga një sektor, i cili ishte problemi më i madh, dhe nga një potencial që u kthye në stresin më të madh të familjeve dhe të shtetit shqiptar, të kthehet në një burim të ardhurash dhe në një pasuri që nuk është vetëm natyrore, por edhe një pasuri kombëtare financiarisht.

Së fundi, dy fjalë për këtë investim konkretisht, i cili do të plotësohet me ndërtimin e dy nënstacioneve 110Kv, në Orikum dhe në Himarë, të cilat tashmë janë në procedurat e garave, me projekte absolutisht të standardeve europiane, dhe në të gjithë zgjatimin nga këtu ku jemi, deri në Sarandë, pra nga Vlora deri në Sarandë, do të bëhet e mundur që të stimulohet fuqimisht ekonomia dhe turizmi. E që më në fund, pas kaq e kaq vitesh, drita të mos dridhet në poç, siç dridhet “eja e ik”, duke stresuar njerëzit e mbi të gjitha duke munduar dhe dekurajuar të gjithë ata vizitorë, që gjithnjë e më të shumtë në numër, kanë ardhur e do të vazhdojnë të vijnë në zonat e jugut të Shqipërisë.

Prandaj, me një falënderim shumë të sinqertë për miqtë tanë gjermanë dhe me bindjen e thellë se ajo që po ndodh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në sektorin energjetik, falë, jo vetëm investimeve, por në radhë të parë dijes, që bujarisht KfW e eksporton drejt Shqipërisë, është një shembull kuptimplotë për të gjithë ata që duan të shohin se çfarë potenciali i madh është për Shqipërinë, kjo miqësi dhe kjo marrëdhënie, ky partneritet kaq strategjik, ku ne duam të bëjmë më të mirën,që të kemi sa më shumë prezencë të investimeve, të sipërmarrjeve, si dhe të turistëve gjermanë në Shqipëri.  E ku padyshim jam i bindur do të mund të marrin edhe shumë nuse të tjera nga Gjermania, falë të gjitha atyre që i përshkroi mrekullisht nusja jonë më e re dhe që padyshim, falë edhe faktit që përveç natyrës, klimës, energjive dhe gjithë atyre gjërave që tek shqiptarët i tërheqin gjermanët dhe vajzat gjermane, do të gjenden dhe të tjerë si inxhinieri yt i mrekullueshëm, – që të siguroj se nuk është i vetmi, megjithëse ti pate fatin që e gjete, dhe si ai kemi dhe të tjerë, – kështu që shpresojmë që të rikthehesh përsëri në Shqipëri me shoqe të pamartuara dhe inxhinieri të bëjë prezantimet e duhura me shok të rinj të pamartuar.

Shumë faleminderit!

* * *

“Unaza e Jugut të Shqipërisë”, është realiteti më i ri në sektorin e energjisë.

Kjo vepër me rëndësi strategjike, e përmbyllur me sukses të plotë, fuqizon dhe zgjeron rrjetin 110 kV të Jugut të Shqipërisë, duke përmirësuar rrënjësisht furnizimin me energji elektrike të zonave turistike të bregdetit të Jonit.

Projekti, me një shtrirje mjaft të gjerë, i cili përfshin pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë, është investim me vlerë 49 milion euro i mbështetur nga qeveria gjermane, përmes financimit të Bankës KfW.

Përmes këtij projekti është zgjeruar dhe fuqizuar nënstacioni 400/110 kV Zemblak, një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik në vend. Fuqizimi i këtij nënstacioni krijon mundësinë e furnizimit të zonës jugore të vendit, nëpërmjet fluksit të fuqisë që futet nga ky nënstacion, duke lehtësuar linjat e largëta të rrjetit 220 kV. Kjo balancon më mirë unazën 220 kV të Jugut, që përbën një problem për sigurinë e furnizimit të një zone të gjerë.

Unaza e Jugut përfshin linjat 110 Kv Ersekë – Përmet, 56 km e gjatë dhe Babicë – Sarandë, 104 km e gjatë. Ndërtimi i Linjës Babicë-Sarandë, ka mbyllur në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, që do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji të një zone të gjerë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës e Tepelenës dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurtë të HEC Bistricë.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të projektit është ndërtuar qarku i dytë i linjës 110 kV Zemblak – Korçë, 13 km, si dhe janë rehabilituar linjat 110 kV Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km. Ndër të tjera, janë zgjeruar impiantet 110 kV në nënstacionet Babicë, Sarandë, Korçë, dhe janë kryer punime rehabilituese në nënstacionet Përmet dhe Memaliaj.

Realizimi me sukses i këtij projekti i hap rrugë ndërtimit të dy nënstacioneve 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, të cilat janë në fazë tenderimi.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës Damian Gjiknuri, Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Engjëll Zeqo mori pjesë sot në ceremoninë inaugurimit të përfundimit të punimeve për këtë projekt. Në event merrnin pjesë Christoph Tiskens, Zv Drejtor i parë i KfW, për Europën Jug-Lindore dhe Turqinë, përfaqësues të firmave zbatuese, përfaqësues të ambasadës gjermane, etj.

energjia.al  30.01.2016