Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Me Skavicën po spekulohet qëllimisht

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në seancën parlamentare

Të nderuar deputetë,

I nderuar drejtues i seancës,

Në fakt, këtu mund të flasësh edhe me orë të tëra por varet se çfarë thua. Fatkeqësisht, deri tani ke thënë vetëm gënjeshtra në lidhje me ato projekte elektroenergjetike për të cilat fole këtu. Pa hyrë tek pjesë historisë tënde pastaj, se çfarë bëre me sektorin energjetik apo me projektet energjetike. Mjafton të të kujtoj një gjë, që nga të gjitha ato koncesionet e tua që ke dhënë mbi 400 hidrocentrale mund të jenë realizuar 25% e tyre. Jo ato me digë siç pretendon por janë hidrocentrale të vogla që janë rrjedhje e lirë lumi. Po ti hysh hidrocentraleve që ke dhënë ti, mjafton të të tregoj dy projekte nga ato të mëdhatë, kujt ia ke dhënë dhe se çfarë standardi ke ndjekur.

HEC Shala 127 mega,  ia ke dhënë një grupi njerëzish që i di shumë mirë ti se kanë edhe lidhje me ty, i ke me origjinë nga vendi nga vjen. Pra 127 mega ja ke dhënë një grupimi hiç, pra që nuk përfaqëson asgjë dhe që më pas ja transferuan letrat disa investitorëve nga Emiratet. E transferuan si e transferuan dhe shpresoj ta bëjnë ata, por në fakt u morën letra për të shitur. Asnjë lloj garancie, asnjë lloj backgroundi si investitorë dhe morën kontratë për HEC 127 mega.

Po koncesionin e Osumit, kaskada e Osumit? Edhe me atë ke ca lidhje. 152 mega i dhënë në Prill të vitit 2013, në ato momentet para zgjedhjeve. 152 mega një kompanie shqiptare me një tip Pëllumb që nuk përfaqëson asgjë. Sot vazhdon qarkullon ai me ato letrat dhe madje kur filluam procedurat e heqjes së koncesionit, dolën edhe ca të huaj që kishin lidhje andej nga ty. Kjo ka qenë mënyra e vetme se si ti ke dhënë pasuritë kombëtare dhe të gjitha këto me V.K.M dhe me bonus. Nuk mund ta mohosh këtë. Të gjitha i ke dhënë me V.K.M dhe me bonus.

Kalojmë pak tek Skavica, meqë e përmende këtu dhe ka nevojë të sqarohet publiku. Çfarë është Skavica?! Po bëhet një spekulim shumë i madh këto ditë. Qeveria shqiptare ka dhënë bonus për një propozim për Katundin e Ri, që është pjesë e të gjithë skemës së shfrytëzimit të Drinit të Zi por jo Skavica në vetvete si hidrocentral. Është shumë e vërtetë që për projektin e Skavicës ka patur shumë variante, variante edhe para viteve ’90. Variante të cilat kishin edhe atë projektin megalloman që shkonte deri tek përmbytja e një pjesë të territorit me Maqedoninë dhe që kërkonte marrëveshje mes shteteve. Kuptohet, ky projekt nuk është fare fizibël dhe nuk bëhet fjalë që në kushtet e sotme të marrësh marrëveshje me vendet fqinje e aq më tepër të marrësh parasysh të gjitha impaktet social-ekonomike apo përmbytjet që ai mund të shkaktojë. Ky projekt u abandonua me kohë edhe nga ata që vet e projektuan dhe për këto ka dokumenta me shkrim.

Qeveria e mëparshme e vitit 2005 por edhe kur erdhe ti në pushtet fillove të kërkosh kompani private për ta bërë këtë projekt. Të kam dëgjuar një ditë në media dhe shyqyr që je përballë tani. Kur të thoshtee gazetaria: z.Berisha edhe ju i keni dhënë bonus kompanisë private, madje 10 pikë e me vendim qeverie. Jo, thoje ti, nuk i kam dhënë. Kam memorie unë, thoje ti, kam ipad. Ja ku është V.K.M-ja këtu e vitit 2007 me numër 775. Autoriteti kontraktues është Ministria e Ekonomisë dhe e Energjetikës e asaj kohe dhe përmes vendimit miratohet bonusi prej 10 pikësh i kompanisë TGK Skavica.

Po çfarë kishte ky projekt? Meqë thua për të mbrojtur interesat e Drinit, duhet të jemi transparent me shqiptarët. E di çfarë kushtesh kishe vënë aty?! Që të mbushet ky liqen i madh do të donte vite dhe kjo dihet, ta kanë thënë edhe ata nëse je konsultuar. Shiko çfarë kushtesh i ke vënë Fierzës ti në kurriz? I ke vënë që Fierza duhet të operojë për 5 vjet në kuotën 285 metër kur sot Fierza operon dhe deri në kufijtë 296 metër. Është pjesë e kërkesës së propozimit të pakërkuar, të cilit i ke dhënë bonus. Ashtu ke menduar! Të flasim me të vërteta, jo dopio standard këtu. Pra, 285 m Fierza në vit do të thotë minus 70 milion euro energji, vetëm për ti bërë favor projektit tënd privat që i dhe 10 pikë me bonus. Ja ku e ke vendimin e qeverisë, shpresoj kësaj radhe të mos e mohosh. Tek Eni Vasili e mohove duke thënë kam iPad këtu. The nuk është e vërtetë, gënjen ministri. Atëhere, dil këtu e kërko ndjesë për ato që the sepse ja ke dhënë 10 pikë në 2007. Dështove dhe tani do që të gënjesh edhe me vendimin që ke firmosur vet. Ja ku e ke vendimin, unë po ja tregoj publikut se ti nuk do të dëgjosh. Vendim qeverie i vitit 2007, nr. 775 dhe firmosur nga Sali Berisha. Vendimi yt, autoriteti kontraktues i jep me procedurë bonus 10 pikë për marrëveshjen BOT, për formën e koncesionit kompanisë TGK Skavica. Dështoi, nuk  bë as kjo dhe shyqyr që nuk u bë. Nuk u bë sepse investitorët nuk gjetën financimin dhe filloi kriza financiare. Të qe për ty, ata e morën dhe ti e di shumë mirë.

Çfarë do të thotë dhënia e një bonusi? Miratimi i skemës, i studimit, zgjidhjes teknike por njëkohësisht edhe impaktit që do të binte mbi kaskadën e Drinit. Ta marrin vesh shqiptarët sepse Kaskada e Drinit, në rezervën e Fierzës do të operonte me 11 metër më pak, vetëm për ti bërë hapësirë këtij koncesioni privat. Shyqyr që nuk u bë. Qe fat për Shqipërinë sepse ndryshe korporata do të kishte shkuar më keq sesa ajo kolpo që i dhe pastaj me marrëveshjen me CEZ-in ku ule çmimin nga 2.8 në 2.2 lekë duke i dhënë goditjen e dytë vendimtare.

Çfarë bëre pastaj më vonë? Le të flasim me fakte. Unë nuk jam njeri që sajoj, as nuk dua të spekuloj por flas vetëm me dokumente. More konsulent me paratë e Bankës Botërore, shumë mirë u bë. Kishe nevojë për një konsulent për të parë parametrat ndërkombëtarë sesi mund të shfrytëzohej kjo kaskadë. Çfarë thotë konkluzioni i Sogreah, studios e cila u morr me këtë punë? Ka dhënë disa opsione dhe thotë se përfundimisht, zgjidhja më optimale është varianti i shfrytëzimit me dy diga, duke marrë parasysh kostot ekonomike, sociale, elementë të tjerë që kanë të bëjnë me përmbytjen dhe shfrytëzimi më i mirë i Kaskadës. Pra, jo varianti maksimal që vërtet mund të dukej i mirë në një kontekst kohor të caktuar, por do ishte një digë e madhe që mund të përmbyste me mijëra e mijëra hektarë tokë. Mund të zhvendoste mbi 10 mijë qytetarë dhe këtu janë edhe pjesët e studimit. Flitet për një variant i cili është i papërballueshëm nga ana ekonomike dhe ka një impakt jashtëzakonisht të madh social. Këto lloj digash sot nuk inkurajohen në botë. Janë shumë të vështira, i bëjnë vetëm shtete shumë të mëdha ose i bëjnë shtete të cilat, e kam thënë, nuk kanë pronë private, nuk e kanë problem fare zhvendosjen e njerëzve. Ose siç bënte regjimi i Enver Hoxhës, e kishte kollaj ti zhvendoste njerëzit, ti rialokonte diku tjetër sepse toka qe shtetërore. Nuk bëhet më ai projekt dhe këtë thotë studimi. Varianti më i mirë i mundshëm dhe që duhet të merret parasysh nga autoritetet shqiptare është ndërtimi me dy diga. I pari është Katundi i Ri dhe ka një diskutim në lidhje me elementin se deri në çfarë niveli do të shkojë Skavica, 395 metër kuota apo 385 metër? Ne, pikërisht sepse nuk jemi të gatshëm akoma për ta përcaktuar këtë, dhe për të mos penguar zhvillimin e kaskadës, kemi avancuar vetëm me Katundin e Ri.

HEC-i Katundi i Ri për të cilin është dhënë bonus është një HEC që ka një digë të vogël, ka një rezervuar shumë të vogël dhe nuk ndikon në rrjedhën e poshtme të lumit Drin. Do të thotë nuk ka asnjë impakt mbi Fierzën dhe rrit kapacitetin shtesë me 56-57 mega fuqi, me një risk tërësisht privat. Do të thotë se investitori privat, konsurciumi në fjalë ka ndërtime, hidrocentrale, fuqi financiare, ka ardhur i vetmi që e ka marrë përsipër këtë risk. Pra, që të ndërtojë një objekt gjenerues të vogël, pa garancinë e blerjes së energjisë elektrike siç i jepje ti më përpara me projektet e tjera.

Mos ti kthehem projektit të Ashtës. Ju e dini që po në kohën e Enver Hoxhës, që ke qejf ti referohesh, për këtë hec ka qenë projekti i Bushatit. Ka qenë një projekt me 120 mega hidrocentral. Erdhi projekti nga Kina, ka qenë në fuqi dhe projekti nuk u zbatua. Kur erdhi qeveria jote, pra për 120 mega, sa e katandise bëre hidrocentralin e Ashtës, me një kapacitet 50 mega. Kosto e atij projekti të parë nuk shkonte më shumë se 2 milion dollarë mega. Duhet ta dinë shqiptarët se kostoja e projektit të Ashtës, që po e paguajmë të gjitha ne është 5 milion euro për mega. 50 mega fuqi janë 250 milion euro kosto. Po pse ky është projekti yt i mirë? I garantuar me blerje energjie që të gjithë ne e paguajmë në tarifat tona?! Ja këtë bëre por u mburre duke thënë se kam bërë këtë vepër. Nuk të akuzoi njeri për tradhti kombëtare. Por, po ti rrish këtij standardi me të cilin po flet këtu në këtë mikrofon, atëherë ti ke bërë një tradhti kombëtare sepse ke hedhur poshtë një projekt i cili ka dhe kosto më të lirë. Ke zgjedhur një projekt i cili është shumë më i shtrenjtë, eksperimental dhe që të gjithë shqiptarët e paguajnë. Ne çfarë zgjodhëm? Ne zgjodhëm një projekt i cili nuk merr përsipër rriskun e blerjes së energjisë elektrike. Do të thotë se nuk e fut Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare në detyrim për të blerë energji. Rrisku është tërësisht privat, investimi mund të shkojë mbase rreth 100 milion euro dhe shtohet një kapacitet që nuk ka impakte të mëdha sociale e mjedisore të cilat do të ishin të papërballueshme.

Damian Gjiknuri ne Kuvend parlamentPo flas teknikisht por të paktën ka edhe njerëz që na kuptojnë. Akoma kemi mëdyshje sesi do të veprojmë me Skavicën, në kuotën 385 apo në kuotën 395?! Kemi kërkuar konsulencë ekstra dhe unë shumë shpejt do të bëj një takim me donatorët, për shkak të përgjigjeve deri diku pozitive që kam pasur nga ata. Do zgjedhim një konsulent për të gjetur skemën më të mirë për pjesën e asaj që quhet Skavicë, e cila në çdo rast, po e them këtu se do të behet në bashkëpunim me KESH-in. Pra, KESH-i do të jetë partner dhe jo që korporata të mbante përsipër eksperimentin korruptiv si ky rasti TGK-së, ku do të operohej me kuota 285 dhe ku çdo gjë tjetër do të shkonte në përfitim të investitorit privat. Këtij të fundit i ke dhënë pikët maksimale që mund të jepte ligji i koncesioneve. Këto janë realitetet e ndryshme.

Nuk ka asgjë këtu për tu spekuluar, bonusi është një procedurë e parashikuar në ligj. Gjithçka ka qenë transparente dhe në përputhje me ligjin. Të dalë dikush këtu dhe të thotë që është shkelur ligji. Ndërkohë, projekti Skavicës nuk është dhënë me koncesion. Projekti Skavicës është akoma në fazë studimore, në atë nivel që thamë se do të jetë më mirë për interesat e kompanisë publike edhe për vet vendin në aspektin rregullator, ashtu sikurse edhe për të shtuar prodhimin e energjisë. Kam përshtypjen se duhet të kërkosh një ndjesë të madhe për ato që ke patur tentativë të bësh dhe për gënjeshtrat që the këtu se nuk kam dhënë bonus. Ti e ke trajtuar njësoj, thjesht dështove.

Së fundi, prapë në vitin 2012 qeveria jote ka marrë edhe një konsulencë tjetër për këtë çështje, nga IFC-ja kësaj radhe. Dokumentet janë në ministri, edhe ti duhet ti kesh sepse e ke zakon që merr nga një kopje letrash kur ikën. Konsulenti këtë të ka thënë: abandoni Skavicën 441 m. Pse? Ja të themi kostot që ka: 10 mijë njerëz duhet të zhvendosen; të përmbyten 2020 shtëpi; përmbyten 2600 hektarë tokë. Sipas standardeve të vlerave dhe të dëmeve që shkaktohen nga kjo digë, nga pikëpamja e fizibilitetit ekonomik, nuk ka asnjë kuptim të bësh një digë aq të madhe. Në kohën e sotme nuk e përballon dot. Kush do ta marrë përsipër atë, mbi të gjitha në proceset liberalizuese të tregut të energjisë?! Energjia po liberalizohet dhe tregu do të jetë tërësisht konkurues pas disa vitesh. Tendenca është që hidrocentralet të jenë private dhe të mos krijosh skema të mirëfillta të centralizuara shtetërore dhe kostot t’ia kalosh publikut për ti përballuar. Kosto paraprake thotë shkon mbi 1 miliard euro. Ky është studimi i IFC dhe konsulentë që janë paguar pikërisht për të na dhënë idenë se si duhet të shfrytëzohet. Sot që po flasim, kemi konsulencë nga BERZH-i edhe për Katundin e Ri, që do të bëhet me një procedurë transparente e sipas ligjit. Kemi kompani konsulence e cila ndjek të gjitha standardet normale të procedurave konkurruese në koncesione. Projektuesi ka marrë bonusin 8 pikë, që nuk është maksimal por është një bonus i pranueshëm. Ka bërë shpenzime dhe ka paraqitur një skemë që merr përsipër edhe riskun e energjisë. Është krejt normale, nëqoftëse ka kompani të tjera le të vijnë dhe të konkurrojnë. Asnjë nuk i pengon dhe patjetër që mund të ketë, kjo është bukuria dhe e drejta e këtij procesi. Me rëndësi është që vepra të zhvillohet, edhe Kaskada të mbrohet në pikëpamjen afatgjatë me interesat publike, por edhe investimet private të vijnë. Me një model të ri krejt ekonomik, model që nuk shkakton më kosto ekstra për qytetarët shqiptarë, ato kosto që ti vazhdimisht ia fshehe.

Asnjëherë nuk ia shpjegove shqiptarëve që gjithë koncesionet private të dhëna, ato HEC-et e vogla e te mesme. Madje edhe këto të mëdhatë se ka gjëra të tmerrshme, në kundërshtim me ligjin. HEC Shalës 127 mega i garantohet edhe blerja e energjisë dhe nuk është bërë akoma. Imagjinoni kapacitete të tëra ekstra që do të hynin dhe pa u llogaritur në tarifën e konsumatorit!? Nga do të dilnin këto para?! Se këtej i thuhej popullatës  do e mbajmë çmimin e energjisë të ulët, ndërkohë do të shtoheshin kapacitetet. Nga do të dilnin këto llogari?! Nuk e shpjegove asnjëherë qartë skemën! Thjesht gënjeve, skema ishte e qartë! Duhet të merreshin letrat dhe të tregtoheshin. Ne po e fusim këtë proces tamam në hullitë e ligjit dhe në hullitë e logjikës ekonomike.

Pse? Sepse çdo investim, normalisht duhet të reflektohet në tarifat e konsumatorit. Do krijohet bursa e energjisë nesër dhe patjetër këta investitorë privat një pjesë të rriskut do e marrin, një pjesë tjetër do ti garantohet. Me projekte eficente, jo me projekte që mund të kushtojë 1 mega 4-5 milionë euro pasi shqiptarët nuk mund të paguajnë kosto të tilla për këto vepra.

Për ta mbyllur, Skavica demonstron dështimin dhe inatin tuaj për ato gjëra që po bëhen, një sulm ndaj investitorëve, sulm ndaj të gjithave politikave energjetike. Ka 2 vjet që vazhdohet një sulm sistematik për reformën më të suksesshme dhe që ti përditë po e dëgjon nga çdo institucion ndërkombëtar, energjetika po shkon në një pikë kthese e po rikuperohet. Të kërkosh ndjesë edhe të japësh një sqarim në lidhje me të pavërtetat që the në emision. Duhet të kesh kurajo, të thuash që më mungoi iPad-i ose më la memoria.

Faleminderit!

energjia.al  29.01.2016