Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Publikohet raporti 5 sipas standartit të EITI

SHQIPËRIA PUBLIKON RAPORTIN E 5-TË SIPAS STANDARDIT EITI

Raporti i EITI për vitet 2013 dhe 2014 përmban një analizë të prodhimit dhe kontributit të sektorit të naftës e gazit, sektorit minerar dhe sektorit të hidroenergjisë, ashtu sikurse rakordimin e flukseve kryesore që operatorët në këto sektorë kanë paguar ndaj Shtetit.

Prodhimi

Bazuar në të dhënat e raportuara nga AKBN dhe ERE, prodhimi i gjeneruar nga këta sektorë është vlerësuar në 777 milionë USD për vitin 2013 dhe 815 milionë USD për vitin 2014.

Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2013 dhe 2014. Sektori i naftës dhe minierave sëbashku përbënin 5% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë përbënte rreth 2% e PBB-së. Sipas burimeve të INSTAT, prodhimi i naftës bruto përbën rreth 68% të prodhimit të energjisë parësore, ndjekur nga energjia elektrike me rreth 20%

Prodhimi i naftës bruto përbën rreth 67% të prodhimit të përgjithshëm nga të tre sektorët për të dy vitet. Përafërsisht, 87% e naftës së prodhuar është nxjerrë nga fushat e naftës në Patos-Marinëz.

Kromi mbetet minerali kryesor i nxjerrë dhe përpunuar në vend me rreth 72% të prodhimit total minerar në vitin 2013 dhe 76% në vitin 2014. Minierat e Bulqizës, gjeneruan rreth 45% të kromit në vitin 2013 me mbi 110 licensa aktive në prodhim. Ky kontribut u rrit në 53% në vitin 2014.

Prodhimi i hidroenegjisë paraqitet me vlerë relativisht më të ulët. KESH kontribuoi me rreth 88% të sasisë së prodhimit vendas në vitin 2013 dhe 72% në vitin 2014. Rënia e prodhimit të energjisë vjen si rezultat i faktit se viti 2014 u karakterizua me një sasi shumë më të vogël reshjesh krahasuar me një vit më parë. Kontributi i prodhimit të hidroenergjisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto vjen më i ulët në 2014 ndikuar edhe nga dy faktorë. I pari privatizimi në 2013 i HEC-eve të Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Së dyti, KESH ka detyrimin ligjor për të shitur me çmim të subvencionuar energjinë për konsumatorët tarifore tek OSHEE. Nëse prodhimi i KESH do të matej me çmimin e siguruar në eksport të energjisë, vlera e prodhimit të hidro-energjisë do rritej më shumë me mbi 200% në të dy vitet.

Kontributi në buxhet

Kontributi i të tre sektorëve në Buxhetin e Shtetit gjeneruar nga taksat dhe të ardhurat kryesore nga industria përllogaritet në 3.9 % (12.9 miliard lek) në vitin 2013 dhe 3.5% (12.7 miliard lekë) në vitin 2014. Në taksat kryesore janë përfshirë: renta minerare, tatimi mbi fitimin, të ardhurat nga privatizimet, dividentët etj. Ky kontribut do të ishte edhe më i madh, nëse do të përfshiheshin të gjitha taksat e paguara nga sektorët në buxhet.

Nëse shikohen të ardhurat totale të sektorëve, duke përfshirë jo vetëm derdhjet në Buxhetin e Shtetit por edhe paratë e mbajtura në buxhetet e brendshme të Albpetrol, AKBN, ERE dhe KESH, rezulton se për vitin 2013 ato janë 18,1 miliard lekë ndërsa për vitin 2014 shkojnë 17,9 miliard lekë.

Viti 2013 ka një specifikë shtesë ndërsa janë të ardhura edhe 15,4 miliard lekë nga privatizimi i HEC-eve të Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe Bistricës 2. Nëse do të përfshiheshin këto të ardhura, kontributi total në Buxhet për 2013 do ishte 3.8%.

Sektori i naftës

Prodhimi i naftës për vitin 2013 u raportua në 1,203,637 ton me një vlerë prej 530 milion USD. Prodhimi në 2014 u rrit në 1,386,124 ton ose me vlerën e përllogaritur rreth 549 milion USD.

Nafta mbetet kontribuesi kryesor në Buxhetin e Shtetit me 3% në vitin 2013 dhe 2.7% në vitin 2014.Të ardhurat e gjeneruara nga pagesat e drejtpërdrejta të sektorit: renta minerare, pjesa nga ndarja e naftës, tatimi mbi fitimin dhe dividentët përllogariten respektivisht 15 miliardë lekë në vitin 2013 dhe 14.9 miliardë lekë në vitin 2014. Këto pagesa përbëjnë nga 27% e prodhimit të naftës bruto në 2013 dhe 26% në 2014.

Buxheti i Shtetit arkëtoi rreth 67% të pagesave të drejtpërdrejta gjeneruar nga sektori i naftës në vitin 2013 dhe 2014. Pjesa e mbetur u mblodh nga Albpetrol rreth (32-33%) dhe AKBN (0.3-0.5%).

Renta minerare paraqet zërin kryesor të të ardhurave të gjeneruara nga sektori i naftës me rreth (me 55% e të ardhurave të drejtpërdrejta në vitin 2013 dhe 52% e të ardhurave të drejtpërdrejta në 2014). Renta është zëri kryesor i të ardhura që arkëtohen në buxhet nga sektori i naftës. Ajo përfaqësonte rreth 83% e pagesave në buxhet nga sektori i naftës në vitin 2013 dhe 79% në vitin 2014. Pjesa tjetër e të ardhurave në buxhet u gjenerua nga tatim mbi fitimin dhe dividentët paguar nga Albpetrol. Asnjë nga kompanitë private të naftës nuk pagoi tatim mbi fitimin në vitet 2013 dhe 2015.

Pjesa nga ndarja e prodhimit të naftës është fluksi i dytë më i madh i të ardhurave të drejtpërdrejta nga sektori i naftës me rreth 33% e të ardhurave të drejtpërdrejta në vitin 2013 dhe 29% të të ardhurave të drejtpërdrejtë në 2014. Të gjitha këto pagesa, rreth 75,825 ton naftë bruto në vitin 2013 dhe 94,304 ton nafte bruto në vitin 2014 ishin për Albpetrol – administrues i fushave të naftës në prodhim. Prodhimi paraekzistuese (prodhimi zhvilluar nga Albpetrol para se të dorëzonte puset) zinte rreth 89% të pagesave në ndarja e prodhimit në vitin 2013 dhe 87% në vitin 2014.

Pavarësisht rritjes së prodhimit, numri punonjësve në sektor ra me 23% në katër vitet e fundit. Këto ndryshime rezultuan për shkak të transferimit të puseve nga Albpetrol tek kompanitë private të naftës. Me sa duket sektori privat nuk mundi të tërheqë më tepër fuqi punëtore gjatë këtij transferimi. Në vitin 2014, sektori i nxjerrjes së naftës dhe gazit punësonte rreth 3,109 staf duke kontribuar me rreth 0.3% në forcën punëtore të përgjithshme të regjistruar sipas INSTAT. Albpetrol ishte punëdhënësi më i madh në vitin 2014 në sektor me rreth 2,062 të punësuar (66% të punësimit total në sektorin e nxjerrjes së naftës).

Në vitin 2013, nafta bruto e prodhuar barazoi konsumin e brendshëm të naftës (matur në naftë bruto) në 98% dhe e tejkaloi atë me 108% në vitin 2014. Bazuar në këto të dhëna, mund të supozohet se nëse e gjithë nafta do të rafinohej në vend, prodhimi vendas do të kishte qenë shumë pranë përmbushjes së kërkesës së brendshme për konsum.

Nafta e prodhuar në vend kryesisht është eksportuar për t’u rafinuar jashtë vendit. Konsumi i brendshëm i naftës së rafinuar përmbushet përmes naftës së importuar. Bazuar në të dhënat e raportuara nga Dogana shqiptare, eksportet e naftës bruto llogariten në 104% e naftës së prodhuar në vitin 2013. Ky raport ka rënë në 77% e naftës së prodhuar në vitin 2014, kur nafta bruto e rafinuar përmes rafinerive vendase arriti në 22%.

Sektori minerar

Në nëntor 2015, AKBN raportoi 600 liçensa minerare, ndërsa 112 të liçensuarit janë nga mineraret e kromit në minierat e Bulqizës. Prodhimi i Minierave u vlerësua në 140 milion dollarë në vitin 2013 dhe 175 milion dollarë në 2014.

Kromi kontribuon në pjesën më të madhe me rreth 72% të prodhimit të brendshëm të minierave në vitin 2013. Kjo përqindje është rritur në 76% të prodhimit të brendshëm të minierave në vitin 2014. Guri gëlqeror dhe minerale të tjera të ndërtimit që përfaqësojnë grupin e dytë më të madhe të mineraleve pas atyre të kromit. Pjesa e tyre në prodhimin e minierave llogaritet në 14% në 2013 dhe 12% në vitin 2014.

Sektori i minierave ka punësuar rreth 3,800 staf në vitin 2013 (0.3% të forcës punëtore të përgjithshme të regjistruar) dhe 4300 staf në vitin 2014 (0.4% të fuqisë punëtore gjithsej regjistruar). Sektori i kromit ka punësuar rreth 59% të fuqisë punëtore të minierave në vitin 2013 dhe 69% në vitin 2014. Kontributi i njohur i sektorit llogaritet minimumi 0.7% e të ardhurave totale në buxhetin kombëtar në të dy vitet.

Sektori i hidroenergjisë

Prodhimi hidrocentraleve në Shqipëri dominohet nga sektori publik. KESH-i ka kontribuar me 88% të prodhimit të energjisë në vitin 2013. Ky raport ra në 74% në vitin 2014, për shkak të rritjes aktiviteti të HEC-eve private dhe HEC-ve me koncesion në këtë sektor dhe reshjeve më të pakta në 2014. ERE raportoi prodhimin e brendshëm të hidro-energjisë në 6,956 GWh në vitin 2013 dhe 4726 GWh në vitin 2014. Nëse vlerësimi do bëhej duke përdorur çmimet mesatare të eksportit prodhimi i brendshëm do të ishte raportuar në 25.5 miliard lekë (ekuivalent me 243 milionë USD) në vitin 2013 dhe 24.1 miliard lek (ekuivalente me 229 milionë USD) në vitin 2014. Megjithatë, për shkak se KESH shet prodhimin e saj me çmim të rregulluar shitjet nga sektori nuk kalon 11 miliard lekë (ekuivalent me 106 milionë dollarë) në vitin 2013 dhe në 9.6 miliard lekë (ekuivalente me 91.5 milionë dollarë) në vitin 2014.

Shteti shqiptar subvencionon e sektorit të energjisë përmes çmimeve të rregullimit të gjenerimit të energjisë, transmetimin dhe shpërndarjes. Ky fakt shpjegon kontributin relativisht të ulët të sektorit në PBB-në, rreth 2%.

Në vitin 2013, 45% e energjisë ishte humbur në rrjet për shkak të kushteve të saj të dobëta teknike dhe lidhjet informale në sistem. Në vitin 2014, humbjet ranë në 37.8% si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe kompanisë së shpërndarjes të energjisë – OSHEE.

Eksportet

Eksportet nga sektori nxjerrës janë rritur ndjeshëm me mbi 100% në tre vitet e fundit.

Në vitin 2013 eksportet nga sektori nxjerrës arriti në 96.7 miliardë lekë ose 39% të totalit të eksporteve. Kjo përqindje ka rënë në vitin 2014 në 32% të totalit të eksporteve ose 82.2 miliardë lekë. Nafta mbetet kontribuesi kryesor me 73% të totalit të eksporteve nga industria nxjerrëse vitin 2013 dhe në 68% në vitin 2014. Nafta e papërpunuar u eksportua kryesisht në Itali, Spanjë dhe Maltë. Ndërsa Kina ishte blerësi kryesor të mineraleve të kromit dhe bakrit prodhuar në vend.

Punësimi

Kontributi i industrisë nxjerrëse në punësimin total në vend është pothuajse i papërfillshëm. AKBN raporton se kompanitë e liçensuara në sektorët e naftës, gazit dhe minerar, kanë punësuar në total më pak se 1% të totalit të fuqisë punëtore të regjistruar në vend në vitin 2013 dhe 2014.

energjia.al 20.01.2016