Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kastrati dhe Eida ulin çmimet e karburantit

Dy operatorët e mëdhenj të tregtimit të naftës, Kastrati dhe Eida kanë ulur së fundmi çmimin e naftës me pakicë me 6.7 lekë për litër.

Në pikat e tregtimit të Kastratit, operatori më i madh sipas qarkullimit vjetor, një litër naftë kushton 162 lekë dhe një litër benzinë 163 lekë, 6 lekë më pak se më parë.

Eida e tregtonte naftën dhe benzinë me përkatësisht 161 dhe 162 lekë për litër, me një zbritje prej 7 lekë për litër.

Reagimi i operatorëve të mëdhenj erdhi më vonë, teksa pikat e vogla të tregtimit me pakicë e kanë ulur tashmë çmimin ditë më parë, madje me ritme më të larta dhe një litër naftë tregtohet në shumicën e pikave të vogla aktualisht me 155-158 lek dhe në disa prej tyre edhe 150 lekë.

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, nafta arriti në gati 180 lekë, duke reflektuar shtrenjtimin në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër. Në gusht 2015, nafta shënoi për herë të parë rënie, me 10 lekë për litër dhe në fillim të nëntorit u reduktua sërish me 6-7 lekë për litër.

Rënia e çmimit në bursa, ku nafta ka arritur nivelin më të ulët të 14 viteve të fundit (rreth 33 dollarë për fuçi për treguesin referencë europian Brent) është arsyeja kryesore e kësaj tendence. Megjithatë ritmet e rënies janë më të ulëta se në shtetet e tjera, duke bërë që Shqipëria të renditet në vendin e 19 në botë për nga shtrenjtësia e karburantit, dhe më e shtrenjta në rajon, sipas një renditjeje të Global Petrol Price, të përditësuar në 5 janar të këtij viti.

Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave, që llogaritet në 67% të kostos. Shumëfishimi i tarifave të licencimit dhe rilicencimit të pikave të karburantit, nga dhjetori i vitit të kaluar, është një tjetër arsye që ka ndikuar në mosuljen e çmimeve.

Revista Monitor,  11.01.2016