Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OST: Aktivizuam planin e jashtëzakonshëm, puna u përshtat online

Operatori i Sistemit të Transmetimit aktivizoi nga muaji mars planin e veprimit në situata të jashtëzakonshme, për të siguruar vijimin normal të punës së kompanisë. Një pjesë e proceseve të punës janë zhvendosur në distancë për të respektuar kërkesat parandalimit të përhapjes së koronavirusit, ndërkohë që plani i investimeve ka vijuar kryesisht te nënstacionet që janë transferuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, tha kompania në një prononcim zyrtar.

Si ka qenë ecuria operacionale dhe financiare e OST në 6-mujorin e parë të 2020 dhe specifikisht në periudhën mars-qershor, kur pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë ndikuar nga pandemia?

Në OST sh.a. kemi një plan me procedura të qarta dhe të plota që garantojnë vazhdimësinë e aktivitetit (business continuity). Ndaj situata e krijuar nga pandemia nuk na gjeti të papërgatitur, pasi menjëherë aktivizuam zbatimin e këtyre procedurave, të cilat synojnë si mbrojtjen e shëndetit të punonjësve, ashtu edhe përmbushjen e plotë të funksioneve kryesore të OST sh.a., si operator strategjik i vetëm i sistemit të transmetimit të energjisë në vend.

Gjatë periudhës së pandemisë, të gjitha aktivitetet kryesore të OST sh.a. u zhvilluan normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke e përballuar këtë situatë kritike në mënyrë të suksesshme, në të mirë të ekonomisë dhe mirëqenies sociale.

Në 6 muajt e parë të vitit (janar-qershor 2020), në rrjetin e transmetimit kanë hyrë 4,050 GWh energji elektrike, aq sa ishte parashikimi për periudhën. Ndërsa treguesi i humbjeve në rrjet është përmirësuar, duke rënë në 2.2% nga 2.35% që ishte parashikuar në programin e vitit 2020.

Si 6-mujor, totali i të ardhurave është pothuajse i realizuar në raport me parashikimet e fillimit të vitit. Ndërsa shpenzimet operative të OST sh.a., janë më pak, ose sa 80% e parashikimeve për shkak të masave të ndërmarra në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19.

Si ka vijuar plani i investimeve nga ana e kompanisë në këtë periudhë? Cilët kanë qenë projektet më të rëndësishme ku është përqendruar vëmendja? Si është realizimi në raport me planin fillestar?

Gjatë kësaj periudhe, realizimi i investimeve u fokusua kryesisht në rehabilitimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve të transferuara nga OSHEE.

OST sh.a. parashikon që këto investime të përfundojnë brenda dy muajve, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia.

Gjithashtu, investime janë kryer edhe në ndërtimin e linjave të tensionit të lartë, si dhe për sigurimin e bazës materiale për rehabilitimin e nënstacioneve dhe sigurimit teknik të pajisjeve.

Me gjithë vështirësitë e krijuara nga kjo situatë, OST sh.a. po punon plotësisht që të realizojë planin e investimeve për vitin 2020. Për ne, kryerja e investimeve nuk është vetëm një detyrim, por ka një dimension edhe më të madh. OST sh.a. nuk e shikon veten jashtë zhvillimeve tërësore në vendin tonë. Ne e kemi përvetësuar të plotë bindjen se bërja e investimeve është një e mirë e përbashkët që rrit ekonominë, e cila është prekur nga pandemia dhe ndihmon në rikuperimin e mirëqenies së çdo shqiptari, pavarësisht se çfarë pjese të tablosë zëmë ne.

Si iu është përshtatur kompania kërkesave të reja që lidhen me protokollet e sigurisë nga njëra anë dhe funksionimin normal të njësive të saj në këtë periudhë?

OST sh.a. e ka pasur një plan që garanton vazhdimësinë e aktivitetit dhe që aktivizohet sa herë ka situatë të jashtëzakonshme, pavarësisht nëse ato shfaqen apo jo. OST sh.a. që pa u shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore i aktivizoi të gjitha masat e parashikuara, për të përballuar këtë situatë të re dhe të vështirë të krijuar nga COVID-19. Dhe kjo bëri që ne të ishim gati, të pasforcuar kur u vendosën kufizimet e lëvizjeve. Siç jua theksuam, vëmendja kryesore e OST sh.a. gjatë pandemisë ka qenë sa tek siguria e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike dhe garantimin e vazhdimësisë së funksioneve kritike të tij, aq edhe tek siguria dhe shëndeti i punonjësve në punë.

Të gjithat masat higjieno-sanitare janë dhe po zbatohen në të gjitha ambientet e OST sh.a. në përputhje me protokollet e miratuara nga ana e autoriteteve përkatëse. Në fillim, gjatë kohës së kufizimit të lëvizjeve u reduktua në minimum puna në zyra, duke i organizuar proceset nga shtëpia. Megjithëse masat shtrënguese janë hequr, në zbatim të planit të vazhdimësisë së aktivitetit janë krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për stafin për të punuar në distancë apo edhe nga shtëpia, sepse për ne është e qenësishme që OST.sh.a të realizojs misionin dhe qëllimin e saj pavarësisht situatave. Ndaj stafi i OST sh.a. është angazhuar maksimalisht për të mundësuar operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit energjetik, duke plotësuar kështu misionin tonë, sigurimin e energjisë tek njerëzit, pa asnjë ndërprerje e në çdo cep të vendit ku ata jetojnë e punojnë.

Për të menaxhuar dhe për të ndërlidhur njësitë, nënstacionet, platformat etj., është ngritur një rrjet i dedikuar për komunikimin dhe transmetimin e të dhënave, që është shtrirë gjeografikisht në të gjitha pikat ku ndodhet OST sh.a. Për të bërë të mundur komunikimin në distancë midis stafit të OST sh.a. si dhe për të garantuar në të njëjtën kohë edhe sigurinë e informacionit, po përdoren platformat më të mira për bashkëpunimin online, të tilla si Gotomeeting apo Microsoft Teams. Përdorimi i tyre ka rezultuar me sukses dhe efektiv në koordinimin e të gjitha strukturave të OST sh.a.

Këto sisteme komunikimi të sigurta po përdoren në mënyrë të vazhdueshme, edhe për të qenë kontakte të shpeshta me stafin për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për COVID-19 dhe respektimin e protokolleve higjieno-sanitare për të parandaluar përhapjen e tij.

Gjithashtu, vëmendje i është kushtuar edhe komunikimit dhe dhënies së këshillave të nevojshme mbi sigurinë e informacionit dhe sulmet kibernetike gjatë periudhës së pandemisë, në mënyrë që punonjësit të tregojnë kujdes maksimal për të mbrojtur veten dhe kompaninë.

Monitor,  05.08.2020