Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompanitë e energjisë, debitore – ERE iu shtyn afatin e pagesave, vendimi për shkak të COVID-19

Situata e krijuar nga COVID-19  ka detyruar Entin Rregullator të Energjisë të shtyjë afatet për likujdimin e pagesave rregullatore për të gjithë të licencuarit në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit natyror, që rezultojnë debitorë. Sipas ERE-s ka edhe subjekte që nuk kanë shlyer këto pagesa edhe për vitet e mëparshëm, ndërkohë që sipas vendimit të miratuar së fundmi të gjithë debitorëve iu lihet afat deri në datën 31 korrik 2020 për të paguar detyrimet, pa u bërë objekt i masave administrative.

Sipas Entit Rregullator, në kushtet e një izolimi prej më shumë se dy muajsh për shkak të pandemisë Covid-19, pezullimit apo ngrirjes së aktiviteteve në Republikën e Shqipërisë, është e arsyeshme që afatet e parashikuara, nga legjislacioni në fuqi, si dhe njoftimi i ERE-s drejtuar të licencuarve,  për shlyerjen e debisë së krijuar për shkak të mos kryerjes në afat të pagesave rregullatore nga të licencuarit, të shtyhet për një kohë të mjaftueshme për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve të pashlyera apo të prapambetura të të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike dhe atë të gazit natyror.

Por, në rast se këto subjekte nuk respektojnë afatin e ri, atëherë ndaj tyre do të vendosen gjoba, sikurse parashikon legjislacioni në fuqi. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë rreth 300 të licencuar, kryesisht në prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, ndërkohë që pagesa rregullatore varion për secilin prej tyre. Në total, për pagesat e vitit 2019, Enti Rregullator i Energjisë parashikon të mbledhë rreth 163.5 milionë lekë.

Scan,  14.07.2020